Më 1 shtator 1916 nisi Komisia Letrare e Shkodrës
Më 1 shtator 1916 filloi nga puna Komisia Letrare e Shkodrës.
Komisia Letrare e Shkodrës e vazhdoi veprimtarinë e vet deri në vitin 1918. Qëllimi i parë i saj qe lëvrimi i gjuhës shqipe dhe zhvillimi i letërsisë artistike.
Në vitin e parë, kjo komisi nxori një të përkohshme shqip “Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe”, e cila përkujdesej për të gjitha çështjet që i përkitnin lëvrimit të gjuhës shqipe e përparimit dhe lulëzimit të saj.
Në Komisinë Letrare të Shkodrës bënin pjesë: Gjergj Pekmezi, kryetar i Komisisë, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Sotir Peci. Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Gjergj Fishta etj.
Komisia Letrare e Shkodrës ishte përmbushja e dëshirës së shprehur nga Kongresi i Manastirit që pas dy vjetësh të bëhej edhe një kongres tjetër “për orthografi e literaturë të gjuhës shqipe”.
Vendimet e Komisisë bënë jehonë në shtypin e kohës, si në atë të vendit ashtu dhe në atë që dilte ndër kolonitë shqiptare jashtë vendit.
Vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës patën një jetëgjatësi gati 50-vjeçare dhe ato, me përjashtime të rralla, gjetën zbatim në organet zyrtare, në tekstet shkollore, në shtypin e kohës etj.
Rruga Press