Sport

Mbyllet procesi i ankandit, Vllaznia tani me një pronar legjitim: Alban Xhaferi president i saj…

Ka përfunduar edhe ‘odiseja’ e shitjes së klubit të futbollit, Vllaznia e Shkodrës. Ankandi i organizuar nga Bashkia e Shkodrës, më 11.05.2021, për shitjen e klubit Vllaznia, ku fitues u shpall kompania ‘Albasport&Entertaimnent ShPK& Albaphoto ShPK’, e përfaqësuar nga Alban Xhaferi, konsiderohet i vlefshëm.

Komisioni i Prokurimit Publik, nuk e ka pranuar ankimin e kompanisë “Almiro Gurakuqi&Carpathia Albania ShPK’, dhe sot i ka kthyer zyrtarisht përgjigje Bashkisë së Shkodrës, duke e konsideruar zhvillimin e ankandit të rregullt dhe në përputhje me ligjet në fuqi.

“Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka sjellë zyrtarisht në Bashkinë e Shkodrës përgjigjen përfundimtare për procesin e ankandit të KF Vllaznia sh.a.

KPP ka lënë në fuqi vendimin e Autoritetit Shitës – Bashkia e Shkodrës, duke çertifikuar të gjitha etapat e procedurës së ndjekur për ankandin e KF Vllaznia sh.a.

Që në ditën e parë të shpalljes, ka qenë një proces ligjor, transparent dhe në komunikim me publikun. Janë respektuar me rigorozitet ligjet dhe aktet e tjera ligjore që rregullojnë procedurat e ankandit në Shqipëri.

Tashmë, pas vendimit të KPP, ankandi i KF Vllaznia sh.a. po shkon drejt përmbylljes, duke shënuar privatizimin e parë në Shqipëri për një klub futbolli.

Jemi krenarë që Vllaznia jonë është përsëri e para edhe në ketë procedurë. Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit që kanë treguar interes për një emër të madh siç është Vllaznia jonë.

Klubi kuqeblu përgatitet të nisë një fazë të re të aktivitetit, duke u administruar ashtu si të gjitha klubet e tjera të suksesshme në vend e botë. Siç kemi konfirmuar edhe më herët, si një emblemë identifikuese e Shkodrës, shkodranëve e mijëra tifozëve, Bashkia Shkodër do të vazhdojë të kontribuojë për Vllazninë e futbollit, siç edhe për të gjitha sportet.

Në fund, një falenderim për tifozët e mrekullueshëm kuqeblu, të të gjitha kohërave, kudo ku ndodhen. Mbështetja e tyre edhe gjatë procesit të ankandit, është një vlerë shtuar e qendrueshme për Vllazninë dhe sukseset e saj,”- shkruhet në faqen zyrtare të bashkisë së Shkodrës në rrjetet sociale.

E gjitha kjo, e përkthyer, do të thotë që sezonin e ardhshëm të futbollit, skuadra kuqeblu e Vllaznisë, do të ketë president të saj ligjitim, ish-donatorin Alban Xhaferi, i cili do të jetë edhe pronari i klubit shkodran.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *