Mbledhja e parë e Këshillit të GVV-së, Kurti: Gratë në partinë tonë gjithmonë kanë pasur angazhim të dyfishtë
Lëvizja Vetëvendosje, sot, ka mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm të “Gratë për Vetëvendosje”.
Kryeministri, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetari i partisë tha se është i bindur se fuqizimi i grave do të thotë fuqizim i shoqërisë dhe se avancimi i të drejtave të grave është avancim i të drejtave njerëzore.
Madje, Kurti tha se gratë anëtare dhe aktiviste të VV-së gjithmonë kanë pasur angazhim të dyfishtë.
“Gratë anëtare dhe aktiviste të Vetëvendosjes gjithnjë e kanë pasur angazhimin e dyfishtë, sa me politika të përgjithshme po aq edhe me ato gjinore sepse që në krye të herës është kuptuar që shoqëria patriarkale e ndrydh së pari gruan. Edhe tani me organizimin e GVV-së do ta keni angazhimin e dyfishtë sa në GVV, po aq edhe në Lëvizjen Vetëvendosje dhe për këtë më vjen keq, por jam i bindur se gratë do t’ia dalin me kauzat e tyre sepse edhe ne do t’i ndihmojmë pa kursim”, tha Kurti.
“Unë si kryetar i LVV dhe si kryeministër angazhohem pa kursim për krijimin e Republikës sonë vend të barabartë e të drejtë”.
Ndërsa kryetarja e GVV-së, Albulena Haxhiu, tha se “Gratë për Vetëvendosje” ka ardhur si nevojë për angazhim dhe organizim edhe më të fuqishëm të grave, për ta ndryshuar gjendjen së pari brenda Lëvizjes e pastaj kjo do të ketë edhe impakt të madh edhe në shoqëri.
“Si GVV, do të jemi të pakompromis kur vjen fjala tek barazia gjinore. Me strukturat dhe me anëtarësinë e GVV-së do të punojmë që të avancohemi si gra, të gjitha së bashku. Anëtarësimi i grave dhe vajzave në GVV e në Lëvizje është kryeproriteti jonë, andaj duhet të angazhohemi aktivisht që të rrisim anëtarësinë me gra”, tha kryetarja Haxhiu.
“Gratë në politikë, duhet të jenë mundësia për përmirësimin e gjendjes së vajzave dhe grave, derisa gratë e papunësuara dhe punëtore duhet të trajtohen me dinjitet. Në shtëpi dhe në vendin e punës, në lagje, fshat e qytet, gjatë ndarjes së trashëgimisë e me regjistrim të pasurisë në emër të grave, në konkurset qoftë në nivel qendror apo privat”.
Në mbledhjen e sotme konstituive Këshilli i organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! zgjodhi strukturat e saj në nivelin qëndror ku Kryesuese e Këshillit të GVV-së u zgjodh, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ndërsa zëvendëskryesuese, Violeta Emini Salihu, nënkryetare, Tinka Kurti dhe sekretare organizative, Agnesa Kastrati.
Teksa anëtare të kryesisë u zgjodhën: Saranda Bogujevci, Fitore Pacolli, Nazlie Balaj, Arjeta Fejza, Arijeta Rexhepi, Shaipe Metaj-Isufi, Fatmire Cecelia, Nita Shehu dhe Rinë Zhitia.
Rruga Press