Lajme

Mbikëqyrësi Global i Pastrimit të Parave kundër Amnistisë fiskale: Shqipëria në listën gri

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) apo mbikëqyrësi global i pastrimit të parave ka dalë kundër qeverisë për Amnistinë Fiskale. Në raportin e fundit thuhet se programi që do të zbatojë Shqipëria nuk është në përputhje me parimet e FAFT, ndërsa kërkohet rishikimi i draftit për të parandaluar mundësinë e abuzimit për qëllime pastrimi parash ose financimi terrorizmi.

”FATF shpreh shqetësimin se planet e Shqipërisë për një program të mundshëm të Zbatueshmërisë Vullnetare të Taksave (Voluntary Tax Compliance apo VTC) nuk përputhen me parimet e FATF-së për menaxhimin e implikimeve të AML/ CFT ose praktikat më të mira të FATF-së për programe të tilla. Shqipëria duhet të rishikojë projektligjin e saj dhe të punojë me MONEYVAL për të siguruar që çdo ligj i miratuar ose i zbatuar të ketë masat mbrojtëse të përshtatshme për të parandaluar mundësinë e abuzimit të programit për qëllime pastrimi parash ose financimi terrorizmi”.

Programet e zbatueshmërisë vullnetare të taksave, siç edhe përkufizohet nga Këshilli Evropian, vijnë në forma të ndryshme dhe mund të përfshijnë mekanizma deklarimi vullnetar, stimuj për amnisti tatimore dhe/ose riatdhesim të pasurisë. Qeveria ka paraqitur për diskutim nismën e Amnistisë Fiskale në qershorin e këtij viti.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Por deklarimi vullnetar deri në 2 milionë euro pa penalitete dhe përkundrejt një detyrimi tatimor modest ka hasur në kundërshti jo vetëm nga përfaqësuesit e biznesit, ekspertët dhe opozita, por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Nisma nuk është mirëpritur nga jo vetëm për faktin se favorizon evazorët duke i shpëtuar nga burgu, por edhe për “dobësinë” e strukturave që do të kontrollojë burimin e këtyre të ardhurave si edhe riatdhesimin e kapitaleve, që është një tjetër aspekt po kaq shqetësues. Ndërsa jo më pak kërcënuese konsiderohen dhe pasojat që mund të sjellë duke dëmtuar konkurrencën e ndershme në treg dhe duke i hapur rrugë informalitetit.

NË LISTËN “GRI”

Prej gati dy vitesh, Shqipëria është pjesë e listës gri apo e vendeve me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Në raportin e fundit, Maneyval (strukturë pranë Këshillit të Evropës) vuri në dukje se nuk është bërë asnjë përmirësim dhe se nuk janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna. I njëjti shqetësim paraqitet edhe nga Task Forca për Veprim Financiar.

“Shqipëria dështoi në përfundimin e planit të saj të veprimit, i cili skadoi plotësisht në shkurt 2022. FATF i kërkon me forcë Shqipërisë që të demonstrojë me shpejtësi progres të rëndësishëm në përfundimin e planit të saj të veprimit deri në shkurt 2023 ose FATF do të shqyrtojë hapat e ardhshëm nëse ka progres të pamjaftueshëm”, theksohet në raport.

Por, pavarësisht kësaj, qeveria duket e vendosur për ta çuar para nismën me “pretekstin” se e ka kërkuar 60 për qind e shqiptarëve. Draftligji parashikon deklarimin vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë euro pa penalitete dhe përkundrejt një taksimi qëvarion nga 5 deri në 10 për qind.

MBI FATF

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) është mbikëqyrësi global i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Organi ndërqeveritar vendos standarde ndërkombëtare që synojnë të parandalojnë këto aktivitete të paligjshme dhe dëmet që ato i shkaktojnë shoqërisë. Si një organ politikëbërës, FATF punon për të gjeneruar vullnetin e nevojshëm politik për të sjellë reforma kombëtare legjislative dhe rregullatore në këto fusha.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *