KryesoreOpinion/Aktualitet

Mbi neutralitetin e mercenarëve, që shtetin e vet e shohin si një trup që nuk ka gjoks, por vetëm shpinë

Shkruan Elvis Hoxha

Disa medie si zakonisht vijojnë të njëjtën taktikë. Përmes gazetarësh që e kanë të theksuar mangësinë e idesë së pavarësisë, që prej ushtrimit të profesionit e deri tek ushtrimi i atdhetarisë, këto medie u përsërisin autoriteteve të Kosovës se shpinën ua mbrojnë shtetet e fuqishëm demokratikë. Ky është gabimi i madh logjik, politik dhe etik.

Shtetet e mëdhenj e të drejtë demokratikë nuk na mbrojnë shpinën. Jo! Ata mbrojnë bashkë me ne të njëjtin front të së drejtës së një shteti të pavarur përballë një shteti që nuk ka ndryshuar asgjë në politikën e tij agresive ndaj fqinjëve. Ata mbrojnë në të njëjtin front me ne demokracinë prej hibride të autokracisë dhe oligarkisë.

Le t’iu kujtojmë pra këtyre medieve dhe mercenarëve të tyre se vetë mediet kanë për qëllim të lehtësojnë këtë mision.

Duke përdorur argumentin e “aleatit në mbrojtje të shpinës”, gazetari mercenar tregon se nuk është pjesëtar i asnjë shteti apo shoqërie politike, por vetëm mercenar i një kompanie mediatike. Ai tregon, duke përdorur valën publike, se e sheh shtetin e vet si shtet pa prapavijë ose pa rezervë shoqërore.

Ne, publikut, na mbetet të kuptojmë se sa e brishtë ose e dyshimtë është prapavija jonë kur pushteti i katërt është kaq neutral ndaj atdhetarisë dhe profesionit. Nuk janë ndërkombëtarët në prapavijën e një shteti, por shoqëria civile me prodhimin, informimin, krijimtarinë, kjo përmes industrisë, bujqësisë, kulturës dhe medieve.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Po të kuptonin gabimin e tyre, gazetarët dhe mediet në fjalë do të nxirrnin të tjerë perfjndime nga mbledhja e djeshme e Keshillit te Sigurimit. Ata do të vlerësonin faktin se Vuçiçi nuk u shpreh për cilësinë e jetës dhe vërtetësinë e zgjedhjeve në shtetin e shoqërinë e tij. Ai kurrë nuk e bën një gjë të tillë. Ndërkohë që kryeministri i Kosovës ka për detyrë t’u paraqesë përfaqësuesve të shteteve demokratikë arritjet në shoqërinë e Kosovës para se të hyjë në temat ku e fton Vuçiçi Këshillin e sigurimit.

Duket se fronti i i betejës së kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës, sipas këtyre medieve, nuk është Serbia, por fronti brenda shqiptarëve.

Po radhis disa nga pikat që normalisht shumica e gazetarëve do të shpalosnin përpara shoqërisë mbarëshqiptare. Nga ndërhyrjet e kryeministrit të Kosovës do të nxirrni për shembull se përfaqësuesi i shqiptarëve shtroi në Këshillin e Sigurimit:

1. Rastin e Banjskës si agresion terrorist të orkestruar nga vetë Vuçiçi,

2. Mbajtjen në liri të kriminelit terrorist dhe oligark, simbol i sistemit anti-politik serb, Radoiçiçit,

3. Torturën si mjet i rëndomtë që një shteti diktatorial si Serbia e përdor mbi çdo individ që guxon të shprehet kundër kupolës së pushtetit.

4. Mashtrimet dhe gënjeshtrat vulgare e të përhershme që prodhojnë përfaqësuesit e lartë serbë dhe mediet e tyre sputnikase, pa asnjë respekt për dinjitetin e vendeve dhe kuvendeve ku shprehen,

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

5. Dallimin e cilësisë së demokracisë në të dy shtetet respektivë, kjo e nënvizuar në trajtimin e pakicave,

6. Marrjen peng të shoqërisë serbe nga një aparat drejtues që mbetet po ai i Milosheviçit.

Ka plot pika të tjera që mund të nxirren nga seanca e djeshme. Por për t’i shquar duhet të jesh gazetar profesionit e atdhetar dhe jo mercenar i ndonjë shefi.

Pra, nëse gazetari dhe media të cilit i përket do ta konsideronin veten, në një temë të tillë si ai i raportit me Serbinë, dhe në një vend të tillë si Këshilli i Sigurimit të OKB-së, prapavijë të kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës, atëherë gazetari dhe media përkatëse do të nxirrnin nga pozitat e profesionit pikat më sipër madje shumë të tjera. Por meqë ky gazetar dhe media qe e paguan kanë shpirt prej neutrali, atëherë e shohin kryeministrin e Kosovës me shpinën të kthyer nga armiku dhe po aty edhe shtetet perëndimorë aleatë të Kosovës.

Neutrali, pa dashur e hedh aleatin dhe armikun nga e njëjta anë, ndërsa shtetin e vet e sheh si një trup që nuk ka gjoks, por vetëm shpinë.

YouTube player