Opinion/Aktualitet

Mbi bisedimet me “përfaqësuesit alternativë” të Kosovës, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe

Shkruan Inxhi Brisku

Ambasada e SHBA-së në Republikën e Kosovës paska deklaruar se në datën 31 janar do të fillojë diskutimet në ambientet e saj me aktorë të ndryshëm politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë, për të shqyrtuar mundësitë e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo vjen afro një muaj pas deklarimeve të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ku tha se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.

Sipas deklaratave të kësaj ambasade edhe z. Escobar, këta partnerë do të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet (think tanks) që mund të ofrojnë ide për formimin e këtij Asociacioni.

Përfaqësuesit e vetëm legjitimë të qytetarëve të Kosovës janë deputetët e parlamentit të Republikës së Kosovës të zgjedhur me votë të lirë nga populli dhe organet e zgjedhura prej tij, si kryeparlamentari komisionet parlamentare, qeveria dhe presidenti. Këta përfaqësojnë vullnetin e popullit qoftë për politikën e jashtme, qoftë për politikat e brendshme të Kosovës.

Të vetmit përfaqësues të shtetit për marrëdhëniet me jashtë, janë presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm, ndërsa qëndrimet kryesore të politikës së jashtme miratohen nga Kuvendi. Asnjë shtet i huaj dhe përfaqësues të tij, nuk mund të zgjedhin “partnerë alternativë” nga politika apo shoqëria e një shteti tjetër, për të diskutuar politika e këtij të fundit, pasi kjo të ishte shkelje e sovranitetit të këtij shteti dhe fyerje e popullit (të Kosovës në këtë rast) që ka zgjedhur këta përfaqësues.

Lexo më shumë  Votimi në veri, Qeveria i kërkon BE-së largimin e masave sanksionuese

Në bisedimet që patën përpara disa ditësh në Serbi, për një marrëveshje përfundimtare me Kosovën, përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së dhe shteteve të tjera perëndimore patën si bashkëbisedues presidentin e Republikës së Serbisë dhe jo partnerë alternativë nga polika dhe shoqëria serbe.

Këtu ia vlen të përmendet se politika ndërkombëtare nuk ka denjuar të shprehet për shkeljet flagrante dhe të vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e as të konsiderojë problemet e tyre të shprehura nga përfaqësuesit legjitimë si kryetarët e komunave apo deputeti tashmë i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë.

Kësisoj ky qëndrim i përfaqësuesit të SHBA-së, z.Escobar se në rast se qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrën e themelimit të Asociacionit, do të kërkojnë partnerë të tjerë është krejtësisht i papranueshëm për marrëdhëniet, që konsiderohen miqësore, mes dy shteteve.

Lexo më shumë  Për herë të parë, Kosova merr vlerësim kreditor

Po ashtu nuk duhet harruar se tre vjet më parë, i dërguari special i SHBA-së për dalogun Kosovë-Serbi, z. Richard Grenell u bë protagonist në një thuajse grusht shteti, duke i bërë presion partnerit të koalicionit qeverisës, LDK-së për daljen nga koalicioni dhe rrjedhimisht rrëzimin e qeverisë, meqenëse kryeministri Kurti nuk pranonte të nënshkruante një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, e cila përfundimisht shërbeu vetëm për fushatën elektorale të ish-presidentit Donald Trump.

Nga ana tjetër këtyre “partnerëve alternativë” të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë në bisedime që minojnë institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës, do të duhet t’u shtrohet pyetja se ku e gjejnë legjitimitetin për të përfaqësuar qytetarët e Kosovës në bisedimet me përfaqësues të një shteti të huaj, aq më tepër kur këta merren si alternativë, vetëm kur këtij shteti nuk i pëlqen qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës.

Kjo lloj gatishmërie ul prestigjin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe vë në pozitë të vështirë qeverinë e Kosovës, pasi çdo partner ndërkombëtar që negocion me Kosovën, në rast se nuk i pëlqen qëndrimi i përfaqësuesve shtetërorë, do të kërkojë për partnerë alternativë që janë të gatshëm të bëjnë lëshime pa fund.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *