BallinaLajme

Mbi 100 denoncime për “Shqiponjat”, shqyrtohen ankesat e qytetarëve për dhunë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka regjistruar mbi 100 ankesa të qytetarëve në drejtim të repartit “Shqiponja” në Tiranë, ndërsa çdonjëra prej tyre po verifikohet rast pas rasti.

Pas nisjes së hetimit gjithëpërfshirës të SHÇBA-së mësohet se forcat “Shqiponja”, edhe përgjatë vitit 2019, por edhe 2020, kanë më tepër denoncime për akte dhune se çdo strukturë tjetër e policisë apo në krahasim me patrullat e përgjithshme.

Sipas raportit periodik, i cili pritet të publikohet këtë fundvit, rezulton se reparti në fjalë është më i denoncuari, jo vetëm për sjelljen me qytetarët por edhe veprimet policore. Hetimi administrativ i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur punën në verifikimin e çdo rasti ndërsa do të merren veprime konkrete për largimin ose transferimin e një pjese të kësaj njësie.

Vrasja e Klodian Rashës, orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor, vuri në pikëpyetje të gjithë njësinë “Shqiponja”, e cila është në rrugët e Tiranës, por edhe qyteteve kryesore prej vitit 2013. Pas hetimit të vrasjes së 25-vjeçarit dolën në dritë disa fakte si komunikimi me telefon mes eprorëve dhe vartësve, përdorimi i armës jashtë çdo kriteri, mospasja e kamerave të trupit në kontrollin e itinerarit të ndjekur nga viktima, por edhe marrja e atributeve që nuk i takojnë në hetimin e vendit të ngjarjes. Pjesë e hetimit të SHÇBA-së është verifikimi nëse instruktazhi kryhet rregullisht, ndërsa pritet dhe nxjerrja e konkluzioneve që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në repartin “Shqiponja”.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW
YouTube player