KryesoreLajme

Mbi 1 milion euro investime – përurohen renovimet në Klinikën e Urologjisë

Pas shtatë muajsh renovime në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) sot përmes një ceremonie u bë përurimi i tyre.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vlerësoi si shumë të rëndësishme investimet 1.2 milion euro për pacientët dhe stafin shëndetësor në këtë klinikë.

Kurti tha se për 20 vite në Urologji nuk pati investime por vetëm degradim të kushteve.

Nëntë dhoma me kushte moderne me nga tre shtretër janë vendimtare, sipas Kurtit, për shërimin e pacientëve dhe kujdesin profesional që e japin mjekët dhe infermierët.

“Ky përurim i rëndësishëm i transferimit të Klinikës së Urologjisë më rreth 1.2 milion euro investim pasi që për rreth 20 vjet nuk ka pasur investime por ka pasur vetëm degradim të kushteve si për pacientët ashtu edhe për mjekë e infermieret. Kisha kënaqësinë që të shoh se si këtu 9 dhoma me nga 3 shtretër i kanë kushtet moderne gjë që është tejet vendimtare si për shërimin e pacientëve ashtu edhe për kujdesin profesional të cilët e japin përkushtimin e tyre maksimal të gjithë mjekët dhe infermierët”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Kurti për heqjen e vizave për serbët: E padrejtë dhe dekurajuese

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se vendimin për renovimin e Urologjisë e kishte marrë pas shprehjes së brengave nga kjo klinikë se kushtet janë të këqija dhe se nuk ka pas investime për vite të tëra.

Për këto investime, Vitia tha se janë rezultat i kërkesave të stafit shëndetësor të kësaj klinike.

Vitia potencoi se javën tjetër do të hapen edhe sallat operative të Klinikës së Urologjisë dhe kështu sipas tij kjo klinikë nga më problematikja në aspektin infrastrukturor po bëhet klinika model në QKUK.

Lexo më shumë  Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

“Ka disa muaj që kemi pasur takim me stafin e Klinikës së Urologjisë, ku stafi më pat treguar brengën ku Klinika e Urologjisë në bllokun operativ është klinika me kushtet më të këqija sepse nuk është investuar asgjë pothuajse gati që 20 vite. Në javën tjetër do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë dhe në këtë mënyrë Urologjia nga klinika më problematike në aspektin infrastrukturorë në bllokun operativ po bëhet klinika model në QKUK”, u shpreh Vitia.

Renovimet në Klinikën e Urologjisë filluan në dhjetor të vitit 2023.

Ato përfshijnë riparimin e hapësirave pritëse dhe riorganizimi i sportelit, sallat operative- zhvendosja e ESËL (aparatit për thyerje të gurëve) dhe cistoskopisë në lokacionin e bodrumit të Kirurgjisë, si dhe renovimi i dhomave dhe tualeteve.

YouTube player