Opinion/Aktualitet

Masat anti-kovid të një pushteti anti-qytetar, në shoqërinë e krizave të moralit politik

Që prej fillimit të seancave parlamentare mbas zgjedhjeve të 25 prillit, deputetët në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nuk kanë qenë aspak të kujdesshëm për mbajtjen e maskës apo masave të tjera anti-covid.

Edhe vetë qeveria, e cila bën thirrje për zbatimin e masave të vendosura nga Komiteti Teknik i Shëndetit, nuk i zbaton ato masa. Mjaft të përmendim mosmbajtjen e maskave në Kuvend, grumbullimin masiv nëpër evente dhe vetë lejimi i tyre, edhe pse vendimi thotë që nuk mund të bëhet grumbullimi i më shumë se 50 persona.

Vendimi për moslejimin e grumbullit me më shumë se 50 persona

Para disa javësh në Sheshin Skënderbe u mbajt koncerti i Arilena Arës, me leje të Bashkisë Tiranë. Në këtë koncert u mblodhën me mijëra qytetarë të cilët ishin thuajse të ngjeshur me njëri-tjetërin dhe turmës nuk i dukej fundi.

Lexo më shumë  Bushati: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane, si thirrja e një kapo bande

Nuk po merremi me ndonjë problem të koncertit në vetvete, por me standardet e dyfishta të qeverisë dhe bashkisë, përkatësisht Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj.

Koncerti i Arlina Arës në Sheshin Skënderbe

Në rast se qytetarët organizojnë një tubim, protestë, për një shqetësim dhe duan që të dëgjohen nga qeverisësit, ata gjobiten ose arrestohen. Siç ndodhi te protesta e fundit ku naftëtarët janë arrestuar dhe ndjekur penalisht. Arsyeja, grumbullim i paligjëshëm në kohë pandemie.

Naftëtari thotë “jam pa bukë, nuk më ka dalë rroga, vendi jonë i punës është në pikëpyetje”, kurse qeveria u thotë “burg, sepse na paske kërkesa”. Arilena thotë “më duhen ca lekë dhe famë” Bashkia i thotë “ku dhe kur, se dhe mua më duhet ahengu që me zhurmën e tij mbyt zërat e çështjeve reale”.

Lexo më shumë  Reportazhi i RAI 3 – prova e pakontestueshme se Shqipëria drejtohet nga një kryemafioz?

Kur disa lokale në Tiranë ose jashtë saj, pronarë kanë bosët e mafies, orari policor vjen me klauzolë përjashtuese. Nuk po i futemi aspak faktit se në këto vende kontrolli është i ndaluar, policia dhe inspektorët kanë frikë dhe s’kanë mbështetje; prandaj zgjedhin rrugën e shkurtër, ca lekë xhepi ekstra të marrë qyl.

Por kur qytetarët apo lokalet e lagjeve “zihen” brenda orës policore, duhet të gjobiten ose të durojnë “policin garip”.

Janë pikërisht këto standarde selektive nga lartë që për efekt kanë mosbesimin dhe mosbindjen nga poshtë.

Kur populli nuk ndihet i përfaqësuar nga qeveria dhe deputetët kjo bën që autoriteti i tyre si drejtues apo menaxhues të zhytet në krizë, dhe pozicioni i tyre ngelet veç se një rrogëtar me pushtet vendor apo lokal, por jo si autoritet moral legjitim që prodhon solidaritet mbarëshoqëror.

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *