Marrëveshja për emigrantët me Italinë, ministri i jashtëm Tajani sot në Tiranë e Shëngjin
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, do të vizitojë sot Tiranën si dhe portin e Shëngjinit për të diskutuar me autoritetet shqiptare hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjes për strehimin e azilkërkuesve nga Afrika e Veriut.
“Më 22 dhjetor do të jem në Shqipëri, ku do të takohem me kryeministrin Rama”, deklaroi Tajani pas takimit dypalësh në Romë me ministrin e Jashtëm britanik David Cameron.
“Me Shqipërinë kemi arritur një marrëveshje me kryeministrin Rama për përballimin e emigracionit të paligjshëm. Kemi ndërrmarrë këtë nismë me një vend që ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Unë do të jem në Tiranë të Premten, më 22 dhjetor do të takoj Ramën si dhe do të vizitoj portin e Shëngjinit ku do të ankorohen anijet ushtarake që do të mbledhin në ujërat ndërkombëtare azilkërkuesit që vijnë nga vende të tjera të botës dhe që do të dërgohen në Shqipëri e më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.”
Qeveria italiane nuk shqetësohet për pezullimin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje dhe në çdo rast ekziston vullneti për të mos ndërhyrë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare.
Kreu i diplomacisë italiane do të vizitojë vendet ku do të ngrihen qendrat për pritjen e emigrantëve, të cilët do të riatdhesohen në vendet e origjinës, në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni.
Më 13 Dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi ratifikimin e marrëveshjes italo-shqiptare, pas kërkesës së Lulzim Bashës dhe mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Një ditë më parë ambasadori italian në Tiranë Fabricio Bucci u shpreh optimist se më 18 Janar Gjykata Kushtetuese do ta vleresojë në përputhje me ligjet shqiptare marrëveshjen Rama-Meloni për pritjen dhe strehimin e azilkërkuesve nga Afrika e Veriut.
Rruga Press