Mark Rutte do të jetë shefi i ri i NATO-s
Mark Rutte do të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, pasi 32 anëtarët e aleancës ranë dakord që kryeministri holandez të pasojë Jens Stoltenberg-un.
Pas mbështetjes së marrë nga Hungaria dhe Sllovakia të martën, edhe Rumania konfirmoi mbështetjen e saj për Rutte të enjten. Presidenti rumun Klaus Iohannis, u tërhoq nga gara për postin kryesor në Aleancën e Atlantikut Verior.
Gjatë një mbledhjeje në Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare, Iohannis u shpreh se ai ka njoftuar aleatët e NATO-s për tërheqjen e kandidaturës së tij.
Rutte do të marrë drejtimin e NATO-s në një moment kritik. Ai pritet të nisë punën zyrtarisht më 2 tetor, pak më shumë se një muaj përpara zgjedhjeve në SHBA, të cilat do të formësojnë fatin e aleancës ushtarake që ka shërbyer si mburojë e Evropës Lindore ndaj synimeve të Rusisë.
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kandidati aktual republikan, është zotuar të qëndrojë në NATO , por kërcënoi se do të reduktojë ndihmën e SHBA-së për Ukrainën nëse rizgjidhet.
Për të marrë postin e shefit të ri të NATO-s, Rutte e ka nisur fushatën që në nëntorin e kaluar.
Rruga Press