Opinion/Aktualitet

Maqedonia e Veriut noton e mbijeton me shqiptarët ose mbytet me shqiptarët

Beteja politike reale është mes dy blloqeve poltike maqedone: atij që pretendon ta ruaj gjendjen e status quosë [LSDM] dhe bllokut për ndryshim radikal [VMRO DPPMNE-së ]. Në mes janë shqiptarët, por me peshë specifike që përcakton rrjedhën e historisë së Maqedonisë së Veriut si Republikë. 

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Moska, pasi ka arritur një pozicion të pakundërshtueshëm në luftë, sikur bëri të ditur se nuk është e interesuar për një luftë totale, respektivisht për pushtimin e plotë të Ukrainës, siç ishte objektivi i saj fillestar. Strategët rus duket se janë pajtuar që këtë fazë të luftës ta shtyjnë për dekadën tjetër ose për një momentum më të përshtatshëm gjeopolitik. Ndërkaq europerendimorët kanë lexuar këtë fakt më me realizëm dhe po shpërfaqin parashenja se ashtu si vepruan pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në dekadat vijuese duhet të bashkëjetojë me Rusinë. Në të kundërtën, lufta totale do ta përfshinte gjithë Europën, duke filluar nga Ballkani me gjasa të mëdha që të përfshijë pastaj gjithë Europën.

Në këtë kuadër të zhvillimeve gjeopolitike është e qartë pse Gjermania kërkon të ruajë rëndësinë dhe stabilitetin financiar të NATO-s qoftë edhe përmes vazhdimit të luftës në Ukrainë. Prandaj kancelari gjerman Olaf Sholc pas një takimi me Biden në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 9 shkurt, tha: “Le të mos godasim shkurret: mbështetja nga Shtetet e Bashkuara është e domosdoshme nëse Ukraina do të jetë e aftë të mbrohet”.  Ndërkaq nëse duam që të parandalojmë përhapjen e flakëve të luftës në Europë, ai e ka të qartë se duhet rritur fuqishëm ndihma ushtarake për Ukrainën, duke i dërguar kështu një “sinjal shumë të qartë” Putinit.

Ndërkohë derisa e gjithë vëmendja e analistëve politik dhe strategëve ushtarak është përqëndruar në parandalimin e shtrirjes së kësaj agjende në Ballkanin Perednimor, kryesisht në Bosnjë e Kosovë, Serbia kishte vazhduar me realizimin e “Botës serbe” me mjete të luftës hibride, që po i paraprijnë luftës reale në Malin e Zi dhe së fundmi edhe në Maqedonin e Veriut.  Në Malin e Zi përmes Kishës, de fakto, ka arritur objektivin e vet, duke e bërë fakt të kryer një lloj të pushtimit të butë të “Spartës serbe”. Tani Beogradi ka hedhur spirancat edhe në Maqedoninë e Veriut dhe është bërë palë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 8 maj. Por, meqë në Maqedoninë e Veriut Kisha Maqedone sado që është vasale e asaj serbe, nuk mund të jetë garantuese e fitores së bllokut maqedon proserb [LSDM-së], pa mbështetjen edhe të bllokut politik shqiptar. 

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të zhvillohet më 24 prill. Ato do të jenë investitura testuese e fituesit të zgjedhjeve më 8 maj.

Në garën mes bllokut politik maqedonas sondazhet vazhdojn ta nxjerrin fitues VMRO DPPMNE. Retorika e saj është tejet antishqiptare, pavarësisht se në aparencë duket se është vetëm anti BDI-së. Në udhëheqje të saj tani është eshaloni i dytë që e ka pasuar ish liderin e saj Gruevski, që është në egzil politik në Hungari.

Beteja politike brenda kampit politik shqiptar, prandaj, në aparencë, duket si një dhuratë e jashtëzakonshme për VMRO DPPMNE. A do të rezultojë e tillë mbetet të shihet më 9 maj. Por ajo që mund të konkludohet që tani është fakti se Maqedonia Veriore po hynë në fazën e ridefinimeve politike të brendshme. Në këtë fazë të zhvillimeve politike Maqedonia e Veriut do të ndodhet shpejt para alternativës: ose ajo shkon drejt federalizimit – vetëvendosjes së brendshme të shqiptarëve përmes krijimit të Republikës së Iliridës, duke u dakorduar me Shkupin si kryeqendër e përbashkët, pak a shumë sipas modelit Belg, ose drejt rikonfigurimit të saj të plotë dhe ndarjes.

Beteja politike prandaj është mes dy blloqeve poltike maqedone: atij që pretendon ta ruaj gjendjen e status quosë [LSDM] dhe bllokut për ndryshim radikal [VMRO DPPMNE-së ]. Në mes janë shqiptarët, por me peshë specifike që përcakton rrjedhën e historisë së Maqedonisë së Veriut si Republikë.

Në rast se forcat maqedone përcaktohen për mbijetesë të Republikës, ata kësaj radhe duhet të marrin në konsideratë me seriozitetin më të madhë të mundshëm edhe interesin jetik shqiptar. Maqedonia prandaj noton e mbijeton si Republikë ose mbytet në varësi të reflektimit politik në raport me interesat shqiptare. 

Shih për këtë zgjedhjet e 8 majit tani kanë ngarkesat e gjeopolitikës rajonale. Ato tashmë duhet të shihen përtej politikës së brendshme të lëkundur dhe dëshpërimit në këto dy komunitete – maqedon e shqiptar, ajo flet për tensione të reja shpërthyese, ku marrëdhëniet midis shteteve po riformohen.

YouTube player