KryesoreLajme

Maqedonci thotë se FSK po vazhdon furnizimet me armatim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka raportuar para anëtarëve të komisionit për të arriturat dhe sfidat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë këtij raportimi Maqedonci ka përmendur të gjitha zhvillimet dhe aktivitetet e fundit në ministrinë që ai drejton.

“Gjatë kësaj periudhe kohore ka vazhduar edhe validimi i ekipit të dytë të mjekësisë, kurse te blerjet ushtarake kontratat për blerje ushtarake që janë lidhur gjatë gjashtëmujorit të dytë 2023 janë duke vazhduar që të implementohen, kemi pranuar, pra vazhdojmë të pranojmë furnizime në sisteme të armatimit”, ka thënë Maqedonci në Komision.

Ai bëri të ditur se aktualisht është duke vazhduar procesi  i prokurimit për blerjet e këtij viti dhe sipas tij gjithmonë janë duke u realizuar sipas formatit shtet me shtet dhe shtet me prodhues.

Maqedonci përmendi në të tjera edhe donacionin nga Gjermania në mars të këtij viti, pjesëmarrjen e FSK-së në 12 ushtrime ndërkombëtare, nënshkrimin e përbashkët mes FKS-së dhe Forcave të Armatosura Shqiptare, kursin bazik të oficerëve të karrierës e të tjera.

Lexo më shumë  Sveçla: Mallrat në Merdarë do t’i nënshtrohen kontrollit manual

Ai ka thënë se fokusi i tyre është që të gjejnë edhe zgjidhje afatgjate për ushqimin e FSK-së. “Kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe po sa të përfundojë do të kemi informacion shtesë, kurse fokusi ynë është që të ndërtojmë një koncept të ri i cili do të garantojë vetëqëndrueshmëri në ushqim për FSK-në, koncept i cili do të praktikohet në vazhdimësi. Nga viti 2015 deri në vitin 2024 për 10 herë radhazi janë nënshkruar kontrata emergjente për furnizimin e ushqimit që kanë garantuar vetëm një periudhë të shkurtër kohore ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së “, ka thënë ai.

Maqedonci ka folur edhe për çështjen e largimit të personelit ushtarak nga FSK. Ai tha se në vitin 2024, janë larguar vullnetarisht 119 ushtarë të FSK-së.

Lexo më shumë  Maqedonci: Ushtria jonë i tejkalon shumë prej ushtrive të Ballkanit

“Arsyeja është ndërprerja e në mënyrë vullnetare. Në këtë vit kemi 119 vetë që kanë kërkuar vullnetarisht ndërprerje të shërbimit. Për ne çdo largim është i dhimbshëm. Është shumë e nevojshme që të kemi njerëz në forcë sidomos ata që i përgatisim dhe edukojmë për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për këtë qëllim ne kemi kërkuar nga  Drejtoria e Burimeve Njerëzore  në ministrinë e Mbrojtjes që të bëjë një plan të mbajtjes së personelit”, ka nënvizuar Maqedonci.

Në këtë komisioni ai ka folur edhe për çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve dhe çështjen e largimit të personelit ushtarak nga FSK, çështje këto të cilat kryetari i Komisionit Bekë Berisha i ngriti në hyrje të këtij debati.

YouTube player