Maqedonci takon komandantin e Forcave Speciale turke, flasin për avancimin e FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vizituar të martën Komandën e Forcave Speciale Turke, ku ka diskutuar me komandantin për bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të Forcave Speciale të FSK-së.
Maqedonci, në takim me komandantin e Forcave Speciale, gjeneral Ömer Ertuğrul Erbakan, ka theksuar rëndësinë e Forcave Speciale në kohën kur bota sipas tij, ballafaqohet me kërcënime të natyrës hibride.
“Kisha kënaqësinë që sot të vizitoj Komandën e Forcave Speciale Turke, me ç’rast u prita në takim nga Komandanti i Forcave Speciale, gjeneral Ömer Ertuğrul Erbakan. Në një kohë kur bota po përballet me kërcënime të natyrës hibride, njësitë jokonvencionale si Forcat Speciale përbëjnë kapacitet të rëndësishëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Gjatë takimit me komandant Erbakan, ata kanë diskutuar për programet trajnuese të Forcave Speciale Turke dhe mundësitë e ndjekjes së tyre nga ushtarakët e Forcës Speciale të FSK-së.
“Komandantin e falënderova për mbështetjen e deritanishme, ndërsa u dakorduam për të vazhduar bashkëpunimin me qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së”, ka shkruar tutje Maqedonci në Facebook.
Rruga Press