Maqedonci: 270 milionë euro u shpenzuan për blerje të armatimit dhe pajisjeve ushtarake për vitin 2024
Në konferencën e fundvitit, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi arritjet e rëndësishme të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes gjatë këtij viti, duke e quajtur një periudhë intensive për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.
“Ky ka qenë një vit me arritje të jashtëzakonshme falë mbështetjes së vazhdueshme nga Qeveria, si me buxhet ashtu edhe me buxhet shtesë. Kemi bërë blerje të rëndësishme ushtarake që kanë kontribuar në rritjen e fuqisë sonë mbrojtëse,” tha Maqedonci.
Në fokus të këtij procesi ka qenë zhvillimi i kapaciteteve luftarake për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Sot, kemi dy regjimente të këmbësorisë të validuara për të kryer detyra luftarake, dhe deri në vitin 2025, në kuadër të “Defender Europe”, do të validoni regjimentin e tretë të këmbësorisë,” shtoi ai.
Ministri Maqedonci theksoi se Ushtria e Kosovës është më e fuqishme, më e pajisur, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë më parë, duke theksuar gatishmërinë e saj për të mbrojtur sovranitetin e vendit. “Ushtria jonë është shumë më e fuqishme dhe më e gatshme se në vitet e kaluara,” u shpreh ai.
Për sa i përket buxhetit, Maqedonci njoftoi se janë shpenzuar 169 milionë e 758 mijë euro për Ministrinë e Mbrojtjes gjatë këtij viti, duke arritur një nivel të lartë të shpenzimeve, që përbën rreth 97% të buxhetit të planifikuar. “Ky buxhet rekord ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve tona, përfshirë arsenalin ushtarak dhe numrin e personelit,” shtoi ai.
Përveç rritjes së kapaciteteve, Maqedonci theksoi se gjatë mandatit të tij janë rekrutuar 1,971 ushtarë të rinj, dhe se janë në proces rekrutimi edhe 300 të tjerë, duke e çuar numrin total të ushtarëve të rinj në 2,271.
“Krahas rritjes në numër, kemi mbështetur edhe rritjen e mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së, duke rritur pagën për 60%, nga 422 euro në 726 euro që do të aplikohet nga 1 korriku i vitit 2025,” deklaroi Maqedonci.
Ministri gjithashtu njoftoi se janë investuar mbi 270 milionë euro për blerjen e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, duke përfshirë dronët Bayraktar dhe sisteme të ndryshme të mbështetjes me zjarr.
“Ky investim ka përmirësuar kapacitetet tona mbrojtëse dhe ka ndihmuar në përgatitjen e ushtrisë sonë për sfida të mundshme,” tha ai.
Një tjetër hap i rëndësishëm i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë nënshkrimi i kontratës për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, një projekt që përbën bazamentin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë.
“Ky është një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe sigurinë e vendit,” përfundoi Maqedonci.
Përfundimisht, Maqedonci vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe theksoi se Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të mbetet një prioritet i rëndësishëm për qeverinë e Kosovës në vitet në vijim.
Rruga Press