Lajme

Mandati i Vetingut/ Etleda Çiftja, dyshime për pasurinë dhe mashtrim në kredi (dokumentat)

Parlamenti është investuar së fundmi për të zgjatur mandatin e komisionerëve të Vetingut, në atë që e konsideron si nevojë jetike për të përmbyllur me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Maxhoranca socialiste është e vendosur të zgjasë edhe me së paku deri në Dhjetor 2024 mandatin e 12 komisionerëve, të cilëve u përfundon afati i rregullt në detyrë në Qershor të këtij viti (2022). Opozita e Lulzim Bashës, megjithëse ka qenë tejet kritike për standartet e ndjekura nga trupat e Vetingut, me shumë mundësi do t’i bashkohet nismës së paraqitur zyrtarisht nga deputetja socialiste Klotilda Bushka. Partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacionin e Bashkimit Europian, janë shprehur gjithashtu në favor të zgjatjes së procesit të Vetingut.

Të gjithë përkrahësit e nismës nuk ndajnë, qëllimisht, zgjatjen e mandatit të procesit të Vetingut me zgjatjen e mandatit të Komisionerëve. Një zgjidhje alternative mund të ishte ndryshimi i Komisionerëve, të cilët dyshohet se kanë probleme të theksuara me pasurinë dhe integritetin. “Boldnews.al” po nis një cikël mbi individët që po kryejnë prej afro 5 vitesh Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Cilët janë personat që po tentohet t’u zgjatet mandati? Cikli po fillon me komisioneren Etleda Çiftja, mbi të cilën ekzistojnë dyshime për kriterin e pasurisë.

***

Në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë.

Ndër të tjera, ajo deklaron se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.

Në foto: Deklarimi fillestar i pasurisë i Komisoneres së Vetingut, Etleda Çiftja
Në foto: Deklarimi fillestar i pasurisë i Komisoneres së Vetingut, Etleda Çiftja

Për këtë pasuri, ajo deklaron si burim financiar 15 mijë euro të kursimeve nga paga si juriste në kompaninë private “Egnatia O. Albania” dhe 35 mijë euro të tjera kredi, të cilën duhet ta shlyejë për 20 vjet, deri në vitin 2026.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Deri këtu, nuk duket se ka ndonjë gjë të veçantë. Por, redaksia ka zbuluar kontratën që Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë në vitin 2006 dhe historia ndërlikohet shumë, në dëm të komisioneres së Vetingut.

Sipas kontratës me nr. 2138 Rep, nr. 1490 Kol, dt. 10 Korrik 2016, nënshkruar pranë noteres publike Luljeta Kongoli në Tiranë, rezulton se Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë për vetëm 300 mijë lekë të reja.

Në foto: Kontrata e nënshkruar nga Etleda Çiftja për blerjen e sipërfaqes e 3440 m2 tokë arë në Korrik 2006

Pra, kontrata e vitit 2006 shënon si vlerë blerjeje 300 mijë lekë, ndërsa në deklaratën e pasurisë është shënuar vlera 50 mijë euro.

Në foto: Etleda Çiftja deklaron në kontratë se e ka blerë tokën për 300 mijë lekë

Cila është shifra reale që ka përdorur Etleda Çiftja për blerjen e kësaj toke? Rezultati mund të dalë vetëm pas një hetimi të mirëfilltë penale, të nisur prej disa muajsh nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Megjithatë, redaksia, me aq të dhëna sa disponon, krijon dyshime të forta për kryerjen e një sërë veprash penale nga personi i zgjedhur nga Parlamenti për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.

Deklarim i rremë

Pavarësisht se kush është shifra e saktë që ka shpenzuar Etleda Çiftja për të blerë sipërfaqen e tokës, në çdo rast ajo duket se ka kryer deklarim të rremë të pasurisë.

Zonja Çiftja ka shënuar në deklaratën e pasurisë vlerën 50 mijë euro, e cila nuk përputhet me vlerën reale të kontratës së nënshkruar para noteres Kongoli.

Pra, mjafton vetëm kaq që mbi Komisioneren të ngrihen dyshime për deklarim të rremë të pasurisë.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Por nuk përfundon këtu.

Falsifikim dokumentash

Nga konsultimi i deklaratës së pasurisë dhe kontratës autentike të blerjes së tokës 3440 m2, krijohen dyshime se komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja ka falsifikuar dokumentat.

Nga njëra anë është kontrata me vlerën e blerjes 300 mijë lekë të reja dhe nga ana tjetër është kontrata që ka dorëzuar pranë një banke të nivelit të dytë, për blerjen e tokës me vlerë 50 mijë euro.

Fakti provohet lehtësisht edhe me metodën indirekte. Rregullat e bankave të nivelit të dytë parashikojnë se ato mund të disbursojnë deri në 70 përqind të vlerës së pasurisë së paluajtshme objekt i kontratave të shit-blerjes.

Nga të dhënat e vetëdeklaruara nga Etleda Çiftja, rezulton se banka ka disbursuar kredinë në vlerë 35 mijë euro, shumë e cila është saktësisht 70 përqind e vlerës 50 mijë euro.

Në foto: Deklarimi i Komisioneres Etleda Çiftja për kredinë e marrë në Shtator 2006
Në foto: Deklarimi i Komisioneres Etleda Çiftja për kredinë e marrë në Shtator 2006

Pra, për të njëjtën tokë, Etleda Çiftja ka përdorur të njëjtën kontratë, por me të dhëna tërësisht të ndryshme sa i përket çmimit të blerjes.

Kjo situatë përbën një rast të pastër falsifikimi dokumentash.

Vijojmë më tej.

Mashtrimi me kredi

Komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja, duket se ka kryer edhe një tjetër vepër penale, atë të “Mashtrimit me kredi”.

Ajo duket se ka paraqitur në bankë një kontratë me të dhëna të rreme, për të siguruar një kredi prej 35 mijë euro, e cila i është disbursuar në Shtator 2006, pra rreth tre muaj pas nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes.

Me shumë mundësi, qëllimi i vërtetë i marrjes së kredisë, ka qenë diçka tjetër./bold/

Rruga Press

YouTube player