Lajme

Manastirliu shpenzoi 5 milionë lekë për gjysëm ore show me Yuri Kim

Qeveria shqiptare është tejet e kujdesshme që çdo aktivitet, përfshirë edhe nga ato të rëndomtët, ta prezantojë në media, për të bindur qytetarët mbi angazhimin e tyre të madh.

Ky “virus publiciteti” i “Rilindjes” ka prekur edhe disa ambasadorë të rëndësishëm në Tiranë, përfshirë atë amerikane, Yuri Kim, të cilët nuk lënë rast pa iu shfaqur shqiptarëve në çdo orë të ditës e në çdo ditë të vitit, edhe atëherë kur veprimet e tyre kërkojnë përulësi sublime.

Dhe, në çdo rast, shfaqjet publike, shoqëruar me elementë të shumtë skenikë, kanë një kosto, shpesh edhe të lartë, të cilat paguhen nga taksat e qytetarëve të varfër të vendit.

Në 16 Qershor 2021, Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara dhuroi 1 milion dollarë pajisje mjekësore kundër COVID-19 për spitalin “Nënë Tereza”.

Ky akt ishte shumë i rëndësishëm për të forcuar kapacitetet e strukturave spitalore shqiptare, të cilat u gjendën tërësisht të papërgatitura për të përballuar fluksin e qytetarëve të prekur nga pandemia globale.

Lexo më shumë  Kurti kërkon t’i ndërpriten ndihmat Serbisë dhe kthim të zonës së sigurisë kufitare prej 5 kilometrave

Por, kjo dhuratë, shumë e rëndësishme jo vetëm për mjekët, por sidomos për qytetarët që kanë nevojë për to, zbehet nga show që shoqëroi procesin e dorëzimit të tyre.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, dhe të tjerë zyrtarë e punonjës spitalorë, u mblodhën në një ceremoni, ku falënderuan dhe i buzëqeshin njëri-tjetrit.

Në foto: Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve mjekësore

Ceremonia zgjati rreth 30 minuta dhe ambasadorja Kim deklaroi për përkujdesjet e saj për popullin shqiptar.

“Kur dikush të hapë atë frigorifer për të marrë një dozë vaksine, kur një pacient të shtrihet në një prej atyre krevatëve, kur një ekspert të lexojë një prej atyre ekraneve, shpresoj të kujtohen thellë në zemrat e tyre, se populli amerikan përkujdeset. Ne përkujdesemi shumë për popullin shqiptar..”

Por, për të dëgjuar këto fraza, në të cilat ndihet më shumë pathosi se diplomacia, ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar plot 5 milionë lekë (të vjetra) për regji skenike.

Një ditë para këtij aktiviteti, institucioni i drejtuar nga Manastirliu zhvilloi një tender urgjent, me objekt: “Organizimi i ceremonisë për donacionin e pajisjeve mjekësore nga Ambasada Amerikane”, me fond limit 500 mijë lekë të reja.

Lexo më shumë  Ish-presidenti shqiptar për sulmin në Banjskë: Dihet botërisht që u organizua nga Beogradi
Në foto: Tenderi për ceremoninë, i shpallur në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik

Sipas të dhënave të pakta për këtë procedurë, Ministria e Shëndetësisë ka porositur pajisje për video dhe transmetim figure, pajisje video-konferencash dhe monitorë me ngjyra.

“Boldnews.al” bëri një hulumtim mbi të gjitha rubrikat e Agjencisë së Prokurimit Publik, por nuk arriti të identifikonte se cilët ishin pjesëmarrës në këtë procedurë, cila ishte kompania fituese dhe sa ishte oferta e paraqitur prej saj.

Megjithatë, ajo që është e sigurt, është fakti se Manastirliu vendosi të shpenzonte 5 milionë lekë (të vjetra), për ceremoninë 30-minutëshe, të cilën mund ta organizonin brenda spitalit “Covid” në Qendrën Spitalore Universitare, pa asnjë kosto skenike.

Nevojës së Manastirliut për show, iu bashkua me vetëdije edhe ambasadorja Kim, e cila, natyrisht, ka qenë në dijeni të ceremonisë dhe kostove që kanë shfaqjet publike./bold/

RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *