Lajme

Maksiq: Në Serbi nuk dëgjohet kurrë si flet Kurti e Osmani

Një hulumtim mbi raportimin e mediave në Kosovë dhe Serbi ka gjetur se një pjesë e mediave në fqinjin verior janë të ndikuara nga pushteti dhe se gazetarët ballafaqohen me presione e kërcënime, kurse, në Kosovë politikani bëhet shumë herë burimi i parë dhe i vetëm i gazetarëve. Gjatë diskutimit mbi raportimin, është shtruar nevoja për raportim më profesional dhe po ashtu që gazetarët të merren edhe me hallet e qytetarëve, pasi në shumicën e rasteve dominon raportimi për politikën

Mediat në Serbi janë të ndikuara nga pushteti, ndërsa në Kosovë politikani shumë herë bëhet burimi i parë për gazetarët e nganjëherë i vetmi – këto vlerësime janë shpalosur të premten gjatë prezantimit të hulumtimit të BIRN-it në Serbi dhe Internews në Kosovë për raportimin e mediave mbi marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve.

Tanja Maksiq, e cila e ka realizuar hulumtimin në Serbi ka thënë se mediat proqeveritare dëgjohen më shumë në Serbi dhe janë ato që e shtyjnë përpara diskursin në publik.

“Në Serbi vërehet qartë ai dallimi midis mediave proqeveritare dhe atyre që nuk janë me qeverinë dhe ky polarizim është aq i qartë saqë kur t’i shikoni njërën përkrah tjetrës, mbase do të mendonit që nuk po jetoni në të njëjtin realitet apo në të njëjtin vend. Këto ndasi nuk janë kryekëput produkt i skenës mediale, janë në fakt një pjesë e problemit të gjerë me të cilin ne në Serbi po përballemi prej dhjetëra vjetësh, e ky është që ne jetojmë në një regjim jashtëzakonisht autoritar që i heqë llojet e ndryshme të të drejtave dhe të lirive. Kjo mungesë e kapacitetit demokratik shihet edhe në media por edhe në të gjitha fushat e tjera shoqërore”, ka deklaruar Tanja Maksiq nga Birn në Serbi. “Për ju sigurisht se nuk do të jetë risi kur t’ju them se sistemi medial serb përballet me shumë probleme, përfshirë sigurinë e gazetarëve që përballen me kërcënime që vijnë prej zyrtarëve më të lartë shtetëror”.

Lexo më shumë  Kurti: Nga Planit të Rritjes, Kosova do të përfitojë afro 1 miliard euro

Sipas saj, dialogu dominon raportimin në mediat serbe, por thotë se në to kurrë nuk dëgjohet se si flet Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kreshnik Gashi nga Internews Kosova, ka thënë se gazetarët në Kosovë ende nuk e kanë kuptuar që për hir të së vërtetës politikani nuk duhet të jetë burimi i parë në raportimet e tyre.

“E gjetur kryesore e këtij raporti konsiston në faktin se mediat ende nuk kanë mbërri me kalua faktin që politikanët duhet me qenë burimi i parë i informacionit. Statistika e cila që na tregon që politikanët vazhdojnë me qenë burimi i parë i informacionit është problematike në të dy anët e në dy shtet e po ashtu te pjesa më e madhe e komunitetit, ka theksuar Gashi. “Mediat që janë përfshirë në këtë hulumtim anashkalojnë raportimin për problemet e qytetarëve, ndërkohë raportojnë për ato që duan qeveritarët”.

Problem tjetër, sipas Gashit, është se ministra e kryetarë komunash janë të paqasshëm për gazetarët.

Pjesëmarrës në këtë prezantim kanë thënë se në shumë raste pushtetet përzgjedhin mediat se me cilat duan të bashkëpunojnë. Ndërsa është kërkuar që të tejkalohen dallimet ndërmjet gazetarëve shqiptarë e atyre serbë dhe nevojën për të mësuar gjuhën e njëri-tjetrit që ta kenë më të lehtë qasjen te informatat.

Hulumtimi është bërë për shtatë media në Serbi dhe gjashtë në Kosovë, dhe përfshin periudhën shtator 2022-shkurt 2023.

YouTube player

Rruga Press

YouTube player