Lajme

Majlinda gëzon qindra fëmijë në qytetin e minatorëve

Në kuadër të programit “Kosova, shtet i xhudos”, në palestrën buzë lumit Ibër, u mbajt stërvitje demonstruese e xhudos. Rreth 1000 fëmijë thirrën vazhdimisht “Majlinda, Majlinda”. Prezent ishte edhe kryeministri Albin Kurti, që foli për përfshirjen e xhudos në shkolla dhe për rëndësinë e sukseseve të xhudistëve kosovarë

Majlinda Kelmendi ka pasur një nga stërvitjet më të zhurmshme të mërkurën pasdite. Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, kampionia olimpike ka demonstruar veprime të xhudos, në të cilin sport ka fituar medaljen e artë olimpike, dy tituj të botës e shumë të Evropës. Për të përcjellë demonstrimin e Majlindës, në palestrën buzë lumit Ibër ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Të pranishëm ishin po ashtu rreth 1000 fëmijë e të rinj. Emri i Majlindës është thirrur shumë herë, sidomos derisa ajo bënte lëvizje atraktive të xhudos.

Majlinda dhe kryeministri Kurti kanë hyrë bashkë në palestër, ndërsa morën duartrokitje nga fëmijët e shumtë.

Majlindën e ka shoqëruar kryetrajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Kuka ka thënë se nxënësit e tij nuk përçojnë urrejtje përmes sportit.

“Majlinda, Nora dhe Distria nuk dinë të flasin për urrejtjen në sport dhe pikërisht sot në qytetin e Mitrovicës, kampionia olimpike me demonstrimin dhe mjeshtërinë e saj do të tregojë se sporti është për të përçuar mesazhe paqeje e jo si disa sportistë të shteteve të tjera. Kjo e ka simbolikën e vet”, ka thënë Kuka.

Ai e ka pasur fjalën për provokimet që iu bënë Kosovës nga tenisti serb, Novak Gjokoviq.

Kuka është shprehur i lumtur për vizitën në Mitrovicë. Ka folur për emocione të veçanta.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti udhëton për në Gjermani, do të marrë pjesë në konferencën e PES

“Luftërat më të forta si garues i kam pasur me xhudistët e Trepçës. Në kohën e okupimit, dy qytetet që kanë qenë simbol i qëndresës dhe shpresës së xhudos ishin Besa e Pejës dhe Trepça e Mitrovicës. Është me të vërtetë kënaqësi që jemi sot në qytetin e minatorëve dhe qytetin simbol të qëndresës”, ka shtuar Kuka, që ka vlerësuar edhe drejtuesit e klubit Trepça.

Kryeministri Kurti ka folur për programin “Kosova, shtet i xhudos” në kuadër të të cilit edhe u mbajt demonstrimi në Mitrovicë. Ka treguar që xhudoja do të mësohet në shkolla prej vitit të ardhshëm shkollor. Kurti ka përcjellë me entuziazëm lëvizjet atraktive të Majlindës dhe xhudistëve të tjerë.

“Të dashur nxënës, rrugëtimi i Majlindës është shembull të cilin të gjithë ju duhet ta synoni dhe ta ndiqni, në cilindo angazhim në jetë. Të them të drejtën po mundohem ta ndjeki edhe unë personalisht në detyrën që kam. Një nga trajnerët më të mirë në botë, kryemjeshtri Driton Kuka, që nga viti 2009 i ka sjellë Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, prej tyre 87 të arta, përfshirë tri të artat olimpike. Në veçanti Toni, Majlinda, Distria dhe Nora janë pjesë e pandashme e historisë sonë kolektive për shtetndërtim, zhvillim dhe sukses. Këto rezultate të xhudos kanë shërbyer si inspirim për ne që së bashku me Federatën e Xhudos ta iniciojmë dhe zhvillojmë programin ‘Kosova, shtet i xhudos’. Nga fillimi i vitit ky program po troket në derën e secilës shkollë në Kosovë dhe secili nxënës do të njoftohet me sportin e xhudos me demonstrimet që i bëjnë garuesit tanë. Në vitin e ri shkollor do të fillojë integrimi i xhudos në orët mësimore. Rrjedhimisht do të filloni të ushtroni sportin e xhudos nëpër shkolla. Jam i lumtur që vitin shkollor po e përfundoni duke parë xhudo, ndërsa vitin e ardhshëm do ta filloni duke ushtruar xhudo”, ka thënë kryeministri Kurti. Ai beson se përmes programit do të identifikohen shumë talente të xhudos. Thotë se është koha që atë që ka bërë xhudo për Kosovën, të bëjë Kosova për xhudon.

Lexo më shumë  Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Kryeministri Kurti e ka vlerësuar Majlindën simbol të shpresës dhe përkushtimit.

“Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf dhe modestia ndaj suksesit janë tri virtytet e Majlindës, që e bëjnë atë kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione për jetë”, ka thënë Kurti.

Pasi përfundoi demonstrimin, Majlinda ka falënderuar kryeministrin Kurti për përkrahjen ndaj xhudos dhe sportit në përgjithësi. Kryeministrit i ka dhuruar një brez të zi dhe po ashtu librin kushtuar asaj. Librin fillimisht e ka firmosur.

Pos Majlindës, kanë demonstruar xhudo edhe anëtarët e klubit Trepça e po ashtu xhudiste të tjera reprezentuese. Fjalime kanë mbajtur edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, si dhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri.

Majlinda ka mbetur gjatë në “Minatori”. Shumë fëmijë kanë bërë fotografi e kanë kërkuar të bisedojnë me Majlindën, që tashmë punon si trajnere e xhudos. Disa prej tyre mund të vendosin për karrierë në xhudo, që edhe është synimi i programit shtetëror./KOHA.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *