Macron shtyn sanksionet e peshkimit ndaj Britanisë, bisedimet do të vazhdojnë
FRANCË – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u takua me Kryeministrin britanik Boris Johnson të hënën, në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Glasgow.
Sipas France 24, ai u tha gazetarëve se plani francez ishte në pritje të rezultatit të bisedimeve mes dy vendeve.
“Që pasditen e sotme, diskutimet kanë rifilluar në bazë të një propozimi që i kam bërë kryeministrit Boris Johnson. Bisedimet duhet të vazhdojnë. Ideja ishte që britanikët do të ktheheshin tek ne nesër me propozime të tjera. Do të shohim se ku jemi nesër në fund të ditës, për të parë nëse gjërat kanë ndryshuar vërtet. Dëshira ime është që ne të gjejmë një rrugëdalje për të gjitha këto çështje”, u tha Macron gazetarëve.
Ministri i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune, tha në rrjetin e tij në Twitter se sanksionet tregtare nuk do të zbatohen përpara një takimi me ministrin britanik të Brexit, David Frost, të enjten në Paris. Britania e mirëpriti vendimin dhe Frost pranoi ftesën e Beaune.
“Ne mirëpresim idenë e Francës se nevojiten diskutime të thella për të zgjidhur gamën e vështirësive në marrëdhëniet mes nesh”, tha një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë.
Të hënën, Britania i dha Francës 48 orë kohë që të tërhiqej nga kërcënimi i sanksioneve ose të përballet me veprime ligjore sipas marrëveshjes tregtare të Brexit. Masat e kërcënuara nga Franca përfshijnë shtimin e kontrolleve kufitare dhe sanitare për mallrat nga Britania dhe ndalimin e anijeve britanike nga disa porte franceze, hapa që kanë potencialin të pengojnë tregtinë. Britania dhe Franca janë grindur për dekada për aksesin në zonat e pasura të peshkimit rreth brigjeve të tyre.
Çështja e peshkimit vazhdoi negociatat që çuan në daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian , jo për shkak të rëndësisë së saj ekonomike, por për shkak të rëndësisë së saj politike. Ri-pohimi i kontrollit të Britanisë mbi bazat e saj të peshkimit ishte një pikë qendrore e çështjes për Brexit që Johnson u paraqiti votuesve britanikë. Ndërkohë, Macron përballet me rizgjedhjen vitin e ardhshëm dhe duhet të jetë në mbështetje të peshkatareve të vendit të tij, një zonë elektorale e politike e rëndësishme.
Rruga Press