LVV-ja zhvillon aksion simbolik para Komunës së Prishtinës për gjendjen me mbeturinat
Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Komunës së Prishtinës, ku hyrja e objektit u bllokua me thasë me mbeturina, në shenjë proteste për gjendjen me mbeturinat në kryeqytet.
Aksioni nuk zgjati shumë, pasi kompania “Pastrimi” reagoi menjëherë dhe i largoi thasët me mbeturina nga hyrja e komunës.
Egzon Azemi, asamblist i LVV-së në Komunën e Prishtinës, tha se përmes këtij aksioni synuan të tërheqin vëmendjen për gjendjen e mbeturinave në kryeqytet.
“Ky aksion simbolik shpërfaq një problematikë jashtëzakonisht shqetësuese në Komunën e Prishtinës. Problemi i mbeturinave nuk ka qenë kurrë në historinë e kryeqytetit në këtë nivel kaq alarmant. Shumica e lagjeve të Prishtinës janë shndërruar pothuajse në deponi mbeturinash. Prandaj sot me këtë aksion simbolik erdhëm t’ia kujtojmë zotëri Rama problemin kryesor pothuajse që e ka kryeqyteti, përveç shumë e shumë problemeve të tjera me të cilat përballen çdo ditë qytetarët. Zotëri Rama, në vend se të ishte kryetar i komunës së kryeqytetit, është shndërruar në një vegël të Partisë Demokratike, i cili përveçse ia ka ndarë shumicën e drejtorive në komunë Partisë Demokratike të Kosovës, edhe po i shërben vazhdimisht agjendave të saj dhe ka harruar kështu të merret me pozicionin që i takon e të merret me problemet e Prishtinës.
Prishtina nuk ka qenë kurrë më e ndotur dhe Komuna e Prishtinës për vite të tëra nuk ka blerë as edhe një kamionetë të vetme për pastrimin e mbeturinave. Në ndërmarrjen “Pastrimi” janë të punësuar rreth 900 punëtorë, por vetëm 100 e diçka prej tyre merren me pastrimin e qytetit“, tha ai.
Azemi ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të ndërmarrjes “Pastrimi”, duke thënë se problemet me mbeturinat dhe çështjet e tjera në kryeqytet duhet të jenë në fokus të kryetarit.
“Pra kjo flet se si i kanë shkatërruar ndërmarrjet duke punësuar zyrtarë administrativë edhe në ndërmarrjen “Pastrimi”, e cila do të duhej t’i shërbente për mirëmbajtjen e qytetit.
Këto skandale të njëpasnjëshme, skandalet e pronave, skandalet në Ndërmarrjen Publike Banesore, kjo gjendje alarmante me mbeturina, normalisht se duhet të ishin temat me të cilat merret kryetari i kryeqytetit, por si duket atij më shumë po i intereson të merret me temat e nivelit qendror. Nuk ka të keqe të merret me temat e nivelit qendror, por ai duhet ta dijë se është kryetar i kryeqytetit dhe duhet të merret kështu me problemet e qytetarëve të Prishtinës“, tha Azemi.
Pas këtij aksioni që u zhvillua para objektit të komunës, aty u pa edhe inspektorati.
Rruga Press

