Lulzim Basha, i shkarkuar, çon tre deputetë të PD në SPAK
Lulzim Basha i shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka ndërmarrë hapa ligjor kundër tre deputetëve te PD-së të cilët morën pjesë në “Kuvendin Kombëtar” të ditës së shtunë më 11 dhjetor.
Konkretisht Lulzim Basha ka kallëzuar në SPAK për falsifikimin e vulës së PD, deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso e Ervin Minarolli.
Sipas Kryetarit të shkarkuar Basha , bëhet fjalë për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.
Në kallëzim drejtuar SPAK-ut thuhet se këta persona që kanë pasur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit, dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore.
Basha e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi 3 nga të kallëzuarit janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Sjellim ndërmend se dje Këshilli Kombëtar i PD-së shkarkoi nga funksionet 10 anëtarë të Kryesisë, me 251 vota pro nga 257 që votuan, duke nisur nga Edi Paloka dhe më pas me anëtarët dhe sekretarët e Kryesisë së PD. Megjithatë nga ana tjetër Sali Berisha dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar si “nul” veprimet e Bashës, pasi sipas tyre ai u shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Në PD ka nisur një luftë e brendshme që prej shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar me vendim të Lulzim Bashës, pasi ai u shpall më herët “non grata” nga SHBA.
Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe u shkarkuan:
Edi Paloka (Kryetar i Këshillit)
Anëtarët e kryesisë
Flamur Noka
Aldo Bumçi
Gent Strazimiri
Albana Vokshi
Oerd Bylybashi
Sekretarët
Ervin Minarolli
Ivi Kaso
Belind Kelliçi
Ledina Mandia
Rruga Press