Art & Kulturë

Luigj Gurakuqi, vlera e tij letrare

Nga Arshi Pipa

Luigj Gurakuqi, së bashku me Kolë Thaci, Hil Mosi, Risto Siliqi, FIilip Shiroka kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në pasurimin e gjuhës dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Mund të themi se këta shkrimtarë nuk e kanë pasuruar aq fort gjuhën e letërsinë shqipe, sa shpirtin e popullit shqiptar. Janë përpjekë të pastrojnë gjuhën e mendësinë e një turme të paarsimuar që kërkonte nga çdo intelektual punë konkrete për lartësimin e vendit. Veprimtaria letrare e Luigj Gurakuqit paraqitet në prozë e poezi, por proza e shkrimtarit tonë qëndron më lart se poezia e tij.

Luigj Gurakuqi është një ndër fytyrat më fisnike të letërsisë dhe historisë shqiptare. Rritur në mes librash dhe në frymën e një edukate klasike, plazmue ndër vuajtje jo të tijat personale, por të mbarë popullit shqiptar, Gurakuqi ndoqi një rrugë në të cilën pak i shkuan prapa, rrugën e punës së ndershme për lirinë e vërtetë të popullit. Çështja e atdheut qe çështja e tij e për të punoi në çdo rasë, me çdo mënyrë dhe nën çdo kusht e rrethanë të vështirë. Prandaj veprimtaria letrare është vetëm një degë e veprimit të tij më të gjerë në shërbim të atdheut. Për letërsinë punoi aq sa e pa të arsyeshme. Nuk patin ndonjë ambicie me u shque dhe me prodhue shumë, në mënyrë që veprimtaria letrare t’u zhvillonte në dëm të veprimtarisë atdhetare. Letrari qe në funksion të atdhetarit, pse të gjitha energjitë e tij donte të synonin drejt një qëllimi të vetëm. Në këtë prizëm mund të studiohet e të vlerësohet vepra e Gurakuqit si vjershëtar.

Lexo më shumë  129 vite më parë lindi Haki Stërmilli, autori i romanit ‘Sikur t’isha djalë’

Pak vjersha na ka lënë të shkruara Luigj Gurakuqi e gati të gjitha me vlera relative. Këto vjersha mund t’i ndajmë në: 1. Në vargje me qëllim edukativ; 2. Vargje me qëllim atdhetar; 3. Vargje me vlerë retorike, ku vjershëtari tregon erudicionin e vet klasik; 4. Përkthime e punime në gjuhë latine.

Nuk mund të themi se këto vjersha janë shkruar pa frymëzim. Frymëzim kanë, por të vogël dhe të përkohshëm. Në një vjershë, për shembull, mund të gjesh dy deri tri tufëza të ndritura, muzikore, ndërsa pjesa tjetër mbetet në gjymës të errët poetike. Bota e vjershave të Luigjit është mjaft e varfër, sidomos kah përmbajtja. Pak motive dhe ato të thjeshta dhe të shtjellueme në një mënyrë elementare. Por megjithëkëtë nuk është çudi të gjejmë, aty-këtu, farfuritje drite, akorde të një muzike të pazhvillueme mirë. Këto bukuri të papritura nuk rrjedhin aq fort nga talenti poetik i vjershëtarit t’onë, sa nga virtyti i natyrës së tij ëngjëllore. Pse Luigj Gurakuqi sa qe burr si burrat e motit, aq qe i butë, i thjeshtë, shenjt.

Tue hy me ba një analizë të shkurtër të veprimit letrar të vjershëtarit, do të përpiqemi të zbulojmë disa bukuri të rralla ndër vargjet e tij. Për këtë qëllim do të sjellim disa shembuj. Nga vjersha “Stinët e Motmotit”, po nxjerrim këtë tubzë mjaft të bukur

Lexo më shumë  129 vite më parë lindi Haki Stërmilli, autori i romanit ‘Sikur t’isha djalë’

E ndiell bylbyli t’bukurën prendvérë

n’prozhem me mall mbi géma i’ri tue kndue;

e diftojnë kreshtët e nalta e fusha e blerë

me gjeth e me bar t’njomë për gjithkah mblue;

drandofillja e kalon me t’kandshmen erë,

me boça q’i lulishten kanë garmue;

e ndiell me vedi e bie nji t’lehtë puhi

qi fryn, tue idhanë natyrës jetë e risi.

Unë fola vetëm pak fjalë për Luigj Gurakuqin. Por kishte me u dashtë ma tepër se vllim për të përshkrue e për të përfshi si duhet veprën e tij të shumë-anëshme si atdhetar, burr shtetit, letrar etj. Sot kjo punë nuk mund të bahet. Do të bahet atëherë kur rrethana ma të volitshme do të na lejojnë me mendue shqiptarisht, shka jemi e shka duem. Kur të caktohet nji herë e mirë fati i Shqipnis, do t’i caktohet vendi martirve e trathtarëve të të gjitha periudhave historike. E Luigj Gurakuqi, atbotë, do të xajë vendin qi i përket, në rradhën e parë, pranë martirve ma të këthiellë t’ides kombtare.

Shënim: Artikulli pasqyrohet me shkurtime. Shkëputur nga revista “Kritika”, e përmuajshme letrare, drejtuar nga Arshi Pipa (1920-1996), themeluar më mars 1944, nr. 3, maj 1944, f. 81-84.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *