Lufta në Ukrainë/ Përse grupi Wagner rreket të rekrutojë mercenarë në Serbi
Në fillim të javës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç i kërkoi haptas grupit paramilitar Wagner të ndalojë rekrutimin në një vend ku ndjenja pro-ruse mbetet e fortë.
Javët e fundit, mesazhet që i nxisin serbët të shkojnë e të luftojnë në Ukrainë na krah të të grupit paramilitar rus Wagner janë shpërndarë në disa rrjete socialë, si dhe në Russia Today (RT). Kanali pro-rus autorizohet gjithnjë të shpërhapë në këtë vend të Ballkanit, kandidat për në BE, ndërkohë që po ky kanal është ndaluar të transmetojë në pjesën tjetër të Europës. Sipas shumë specialistësh të kontaktuar nga L’Express, këto mesazhe “të shpërhapur në serbisht” dëftojnë hapat që duhen ndjekur për me shku me luftu, apo edhe pagesën e shpresuar nga ushtari që do t’i bashkohet radhëve të Wagnerit. “Këto njoftime janë më publike se ç’mendohet”, nënvizon një këshilltar politik që punon në rajon.
Në Beograd, javën e fundit një murale që paraqiste emblemën me kafkë të vdekjes të grupit Wagner u vizatua në qendër të qytetit. E nënshkruar nga organizata e ekstremit të djathtë Narodna Patrole (patrullat e popullit), u fshi me ngut. Por mesazhi u ndoq më pas nga një video e shpërndarë të martën nga agjensia ruse e shtypit RIA, duke u bërë edhe më transparente: shihen dy persona të maskuar, të identifikuar si vullnetarë serbë, gjatë ushtrimit ushtarak në zonat nën kontroll rus të krahinës Zaporijia.
“Përse i thërrisni ju serbët?”
Për t’iu përgjigjur agjitacionit, presidenti serb Vuçiç, që shprehet shumë rrallë, e piketoi haptas grupin paramilitar. “Përse Wagneri po ia bën një gjë të tillë Serbisë?”, pyeti ai në një komunikim televiziv. “Përse i thërrisni ju serbët kur e dini se është kundër rregullave tona?”, shtoi ai. Sipas një ligji serb të votuar në 2014-n, është e ndaluar të marrësh pjesë në një konflikt të huaj. “Ky legjislacion u vu në zbatim sepse në atë kohë nga një anë ishin ata që po shkonin për të luftuar në krah të rusëve dhe nga ana tjetër ata që niseshin për në Siri”, shpjegon Loïc Tregoures, studjues në Institutin e studimeve të larta të mbrojtjes kombëtare (IHEDN). “Edhe pse e ndaluar, dihet se serbët po u bashkohen rusëve për të luftuar në territoret ukrainase që prej 2014-s, vijon studjuesi i specializuar për Ballkanin. Por nuk është ndonjë lëvizje masive: bëhet fjalë për disa dhjetëra njerëz, jo më shumë.”
Në një mesazh Telegram, shefi i grupit paramilitar rus Wagner, Evgueni Prigojine, i ka përgënjeshtruar përpjekjet për rekrutim në Serbi. “Thashethemet mbi kooperimin e Wagnerit me Serbinë janë krejt të pabazuara”, deklaroi ai, duke treguar se nuk ka më serbë në përbërjen e trupave të tij, “dhe kjo prej kohësh”.
Që prej 2014-s, gjykatat serbe kanë dënuar nja tridhjetë persona për pjesëmarrje në “betejat në fronte të huaj”. “Shifrat për numrin e serbëve të rekrutuar përkrah rusëve nuk njihen, hamendon Jean-Sylvestre Mongrenier, studjues në Institutin Thomas More, specialist i çështjeve të mbrojtjes. Këta efektivë nuk mendohen megjithatë shumë të lartë, por vetë fakti ëshët domethënës.”
Gjithsesi, për të dy studjuesit, komunikimi i presidentit Vuçiç ëshët i punuar në mënyrë të zgjuar dhe me objektiv të dyfishtë: mos të akuzohet drejtpërdrejt Rusia dhe, në të njëjtën kohë të tregohet vendosmëria e Serbisë për BE-në. “Në deklaratën e tij, ai shpreh inat me Wagnerin, por nuk e përmend Rusinë për asnjë çast, madje as ambasadorin rus në Serbi”, vëren Loïc Tregoures. “Vuçiç e di mirë se disa prej qytetarëve të vet luftojnë përkrah Rusëve. Politikisht, kjo nuk i kushton shumë të nxehet me Wagnerin”, siguron këshilltari politik që punon në rajon. “Duhet ta vendosim këtë deklaratë në kontekst, në lidhje me ardhjen disa ditë më pas të një delegacioni të BE-së dhe SHBA-së në Beograd, lidhur me statutin e Kosovës “, shton po ky burim. Ky territor dikur serb e ka deklaruar pavarësinë e vet në 2008-n, por nuk është njohur as nga Serbia, as nga Kombet e Bashkuar dhe BE-ja.
Serbia, bastion pro-rus
Për më tepër, nëse Wagner i lejon vetes përpjekje rekrutimi kaq të dukshme në Serbi, kjo vjen prej ndjenjës pro-ruse, e rrënjosur thellë. Nsërkohë që Parisi, Roma, Praga, Berlin apo edhe Londra po veshin me ngjyrat ukrainase ndërtesat e tyre zyrtare, Beogradi preferon ngjyrat ruse. “Beogradi ëshët i vetmi qytet i madh i Europës ku mbahen manifestime në mbështetje të Rusisë”, vë në dukje Loïc Tregoures. Që prej fillimit të pushtimit, disa manifestime mbështetës për rusët ndodhin në rrugët e kryeqytetit, portrete të Vladimir Putinit në duar, madje edhe shkelje të flamurit europian. “Relacioni i afërsisë mes Serbisë dhe Rusisë bazohet mbi çështjet energjitike dhe mbështetjen diplomatike të Moskës në lidhje me Kosovën”, komenton Loïc Tregoures.
Serbie varet në fakt krejt prej importimeve të gazit me prejardhje nga Rusia. Ndërkohë që europianët janë reshtuar në izolimin e Rusisë, veçanërisht duke ia ndalur vetes blerjen e energjive fosile, Beogradi bën të kundërtën. Këtë verë, vendi përftoi prej Moskës rinovimin e marrëveshjes për furnizimin me gaz për një periudhë tre vjeçare.
Dhe, lidhur me çështjen e Kosovës, që Beogradi e konsideron si provincë autonome të territorit të vet dhe jo si shtet të pavarur, Rusia është, që prej 2008-s, aleat përballë bashkësisë ndërkombëtare që do të donte ta shihte të zgjidhur këtë çështje. Përpara Këshillit të Sigurimit të Komebeve të Bashkuara, vendi i drejtuar nga Vladimir Putini përdor gjithherë veton për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Në realitet, Rusia ndeshet diplomatikisht nga ana e Serbisë që prej vitesh, çka bën të jenë aleat të ngushtë”, komenton këshilltari politik. Në popullsinë serbe, Rusia ngjan më e vlerësuar se BE dhe NATO. “Në opinionin serb ekziston një simpati e fortë për Rusinë dhe për figurën e Putinit që shihet si njeri i fortë, i cili e ka ngritur vendin nga gërmadhat dhe i është kundërvënë SHBA-së. Në një vend që ruan në kujtesë bombardimet e 1999-s, kjo ka shume vlerë. Por, megjithatë, vetëm disa qindra apo mijëra serbë janë të gatshmë të shkojnë e të luftojnë në krah të Rusisë”, përfundon Loïc Tregoures.
Marrë nga L’Express, përkthyer nga Rruga Press
Rruga Press