Lufta në Ukrainë, BE: Kemi prova të mjaftueshme për përdorimin e dronëve iranianë nga Rusia
Bashkimi Europian ka mbledhur prova të mjaftueshme se, Rusia ka përdorur dronë kamikazë iranianë kundër Ukrainës, tha sot zëdhënësja e Komisionit për politikën e jashtme, Nabila Masraeli.
E pyetur nëse BE po shqyrtonte vendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit, zëdhënësja e Komisionit u përgjigj se në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së të 17 tetorit kishte një konsensus të gjerë politik që BE-ja duhet të vepronte sa më shpejt.
“Tani që kemi mbledhur prova të mjaftueshme, ne po punojmë për përgjigje të qartë, të shpejtë dhe të qëndrueshme europiane ,” theksoi ajo.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe ministrat e Jashtëm të BE-së kanë shprehur shqetësimin në lidhje me raportet në rritje për sulmet ruse në Ukrainë – një çështje që ata diskutuan me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba.
Rikujtojmë se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së miratoi vendosjen e sanksioneve ndaj 11 personave dhe katër subjekteve në Iran për vdekjen e Mahsha Amini dhe shtypjen e dhunshme të demonstratave paqësore në Iran.
Rruga Press