Opinion/Aktualitet

Lufta e humbur e Prokurorisë ndaj masakrës së pyjeve

Nga Blerina Gjoka

Gjatë tre viteve të fundit, oficerët e policisë së komisariatit të Pogradecit kanë kapur në kohë të ndryshme kamionë me lëndë drusore, të cilët nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës për ngarkesën që transportohej.

Edhe pse policët i kanë referuar rastet në Prokurorinë e Pogradecit dhe në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Ujërave për Qarkun Korçë, ata kanë vënë re se ky i fundit ka marrë shumë pak sanksione administrative dhe nuk ka dërguar asnjë çështje në organin e akuzës, duke ngritur dyshime se drejtuesit e mjeteve që transportonin lëndë drusore favorizoheshin nga inspektorët.

Kjo indicie ka çuar në referimin dhe regjistrimin e një procedimi penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec ndaj punonjësve të Inspektoriatit të Mjedisit.

Hetimi ka zbuluar se mosveprimi i Inspektoriatit nuk ka qenë i rastësishëm, pasi gjatë përgjimit të bisedave telefonike të tre inspektorëve, u zbulua se ata bisedonin shpesh me shoferët e kamionëve dhe i lajmëronin ata nëse “është rruga e lirë”.

Por pas transferimit të dosjes hetimore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në dhjetor 2020, kjo çështje u nda dhe u pushua, pasi SPAK arriti në përfundimin se nuk mund të provohej vepra penale e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.”

Ky nuk është rasti i vetëm kur Prokurori a Posaçme ka hasur në vështirëve në hetimet ndaj inspektorëve të mjedisit, që akuzohen se favorizojnë prerjen e paligjshme të pyjeve dhe krimin mjedisor.

Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit e shohin me shqetësim mungesën e ndëshkueshmërisë së këtyre krimeve, duke theksuar se kjo e nxit aktivitetin e paligjshëm të motorsharrave që po masakrojnë kurorën e gjelbër të pyjeve shqiptare.

“Mosndëshkimi sigurisht që nxit më tej krimin mjedisor dhe shton presionin e njeriut mbi burimet natyrore,” tha Besiana Guri, përfaqësuese e organizatës mjedisore ‘Eco Albania.

“Çdo shkelje në këtë drejtim duhet të dënohet në mënyrë që të frenohet ky fenomen,” shtoi ajo.

Favorizimi i druvarëve

Shpyllëzimi në Shqipëri nga viti 2000 deri në vitin 2020

Sipas të dhënave nga ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi i pyjeve me qendër në SHBA, nga viti 2002 deri në vitin 2020, Shqipëria humbi 36,4 mijë hektarë pyje, e barabartë me një rënie prej 5,6% të sipërfaqes së pyllëzuar.

Dy qarqet më të prekura nga shkatërrimi i paligjshmëm i pyjeve gjatë kësaj periudhe ishin Shkodra dhe Korça, të cilën humën 14,785 hektarë pyje ose 37% e totalit të hapësirës së shpyllëzuar në Shqipëri në dy dekada.

Hetimet e Prokurorisë për prerjet e paligjshme të pyjeve gjatë viteve të fundit tregojnë se ky aktivitet favorizohet shpesh nga zyrtarët e Inspektoriatit Mjedisor, të cilët kanë tagrin për ta monitoruar dhe ndaluar krimin mjedisor.

Në vitin 2019, Prokuroria e Pogradecit mori nën hetim tre inspektorë të Inspektoriatit Mjedisor që mbulonin territorin e qytetit të Pogradecit, si të dyshuar për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas regjistrimit të procedimit penal, numrat e telefonit të të tre inspektorëve u vendosën nën përgjim. Nga analizimi i të dhënave të përgjimeve telefonike, ka rezultuar se inspektorët komunikonin shpesh me drejtuesit e  mjeteve që transportojnë lëndë drusore, dhe madje i njoftonin për grupe kontrolli të mundshme që vinin nga Inspektoriati Qendror nga Tirana, duke ju kërkuar që të mos lëviznin gjatë atyre ditëve.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Sipas Prokurorisë së Progradecit, nga komunikimet e shpeshta të tre inspektorëve me drejtuesit e mjeteve që transportonin lëndë drusore pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe përmbajtja e bisedave mes tyre, rezulton se është provuar bashkëpunimi midis tyre për lejimin e automjeteve të qarkullojnë lirisht.

“Inspektorët e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Ujërave në Qarkun Korçë, jo vetëm  nuk ushtronin në përputhje me ligjin kompetencat e tyre për ndalimin e kësaj veprimtarie të  kundërligjshme, jo vetëm nuk përpiqeshin ta ndalonin atë, por ju krijonin lehtësira drejtuesve  të mjeteve me qëllim përfitimin për këta të fundit,” thekson Prokuroria e Pogradecit në dosjen hetimore.

Sipas organit të akuzës, për tre të pandehurit u provua akuza e shpëdorimit të detyrës, por jo akuza e korrupsionit pasiv. Për të këtë arsye, në korrik 2019, Prokuroria e Pogradecit i është drejtuar Gjykatës së Rrethit duke kërkuar pushimin e akuzës së “korrupsionit’ pasiv.

Më 16 korrik 2019, Gjykata e Progradecit shpalli moskomptencën për shqyrtimin e akuzës së korrupsionit dhe i dërgoi aktet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Me 13 nëntor 2020, Gjykata e Posaçme vendosi se kërkesa e Prokurorisë së Pogradecit për pushimin e hetimeve për veprën penale të korrupsionit pasiv është bërë nga një prokuror jokompetent,ndërsa ia ktheu aktet Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar regjistrimin e procedimit penal nga kjo e fundit.

SPAK ka vendosur ndarjen e akuzave ndaj tre të pandehurve në dy çështje – 288 dhe 288/1, duke pushuar akuzat për ‘korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.’ Ndërsa për veprën e shpërdorimin të detyrës, Prokuroria e Posaçme ka gjykuar se nevojiteshin veprime të tjera hetimore. [kliko këtu për vendimin]

Gabimi taktik

Shpyllëzimi sipas qarkut 2000-2020

Një fabul e ngjashme paraqitet edhe me një procedimin penal të iniciar nga Prokuroria e Shkodrës, pas dyshimeve për prerje të paligjshme të pyjeve në zonën e Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, veprimtari që dyshohej se kryhej nën “mbrojtjen” e inspektorëve të mjedisit.

Gjatë vitit 2019, shërbimet e komisariateve të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe raportojnë se në zonën e Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit po pritej fondi i pyjeve, duke e shpyllëzuar atë në kundërshtim me Iigjin.

Sipas të dhënave operative, ky aktivitet i paligjshëm realizohej gjithashtu në bashkëpunim me punonjës të administratës shtetërore në Bashkinë Shkodër. Sipas informacionit që policia referoi në Prokurori, pretendohej se këtë aktivitet e ushtronin disa firma të licencuara për prerjen e pyjeve në Qarkun Shkodër, në pronësi të personave të zonës që kishin kamionë dhe transportonin lëndë drusore nga malet në qytet.

Në informacionet paraprake të mbedhura nga oficerët rajonalë nëpërmjet përgjimeve,  pretendohej se aktiviteti i jashtëligjshëm kryhej me mbështetjen e  një kryeinspektori të Inspektoriatit të Mjedisit. Sipas hetimeve, kryeinspektori “u siguronte mbrojtje dhe paprekshmëri” të gjithë personava që bënin transportin e lëndës drusore dhe druve të zjarrit kundrejt pagesave që luhateshin nga 10 mijë deri në 25 mijë lekë.

Kryeinspektori, sipas policisë, mbulonte nga 12 deri në 16 rrugë me kamionë në 24 orë dhe bashkëpunonte me një zyrtar tjetër me detyrë, inspektor pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Tiranë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Pasi është bërë regjistrimi i procedimit penal për dy zyrtarët publik, shërbimet e policisë gjyqësore të Shkodrës i kanë kërkuar informacion bashkisë Shkodër, e cila ka mohuar të ketë kontratë shërbimi për prerje pyjesh apo punime të kësaj natyre me ndonjë subjekt juridik apo fizik në fondin pyjor në administrim të saj. Po ashtu, gjatë hetimeve, oficerët kanë marrë në pyetje dhe dy shtetasit nën hetim, të cilët kanë mohuar përfshirjen e tyre në veprën penale të korrupsionit pasiv.

Pasi çështja ka mbërritur në duart e SPAK në Tiranë, prokurori i çështjes ka konstatuar se nuk ka fakte për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe e ka parë të panevojshme kryerjen e hetimeve në vijëmësi. Prokurori i SPAK kërkoi pushimin e çështjes, duke fajësuar prokurorët e rrethit gjyqësor Shkodër, pasi sipas tij, gjatë hetimeve rezulton se ata kanë marrë në pyetje të dyshuarit, duke e minuar hetimin. [Kliko këtu për vendimin]

“Si formë tipike për këtë lloj hetimi do të duhej të ndiqej ajo proaktive, e cila është e pamundur në vazhdim, sidomos edhe për shkak të një “gabimi taktik”, të kryer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, (vlerësuar si i tillë nga ana jonë), siç është pyetja e shtetasve S dhe Gj,” shprehet SPAK në kërkesën për pushimin  e hetimeve.

“Nëpërmjet pyetjes, këta shtetas vijnë në dijeni të faktit që ekziston një hetim dhe marrin masa për ndërprerje të veprimeve të kundraligjshme, bazuar kjo gjithmonë në hipotezën se informacionet paraprake të policisë gjyqësore janë të vërteta,” përfundoi SPAK.

Pandëshkueshmëria nxit krimet kundër mjedisit

Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit e shohin me shqetësim dështimin e hetimeve për rastet e dyshuara për korrupsion nga radhët e inspektorëve të mjedisit.

“Ashtu si në shumë fusha të tjera, zbatimi i ligjit është pika e dobët e ndëshkimit të krimeve mjedisore,” theksoi Besjana Guri.

Sipas raporit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit në vend, gjatë vitit 2020 u regjistrua një rritje statistikore e veprës penale ‘prerja e paligjshme e pyjeve’ me 13.5% në krahasim me vitin 2019.

Për Alminda Memën, drejtuese e qendrës ‘Aarhus’ në Shkodër, pandëshkueshmëria ndaj krimit mjedisor në këtë qark është kthyer në shqetësim për aktivistët dhe pengesë për përpjekjet e tyre për mbrojtjen e habitatit natyror.

“Njerëzit dhe kompanitë operojnë vetëm sipas interesave të tyre ekonomike dhe me pikëpamje shumë afatshkurtër dhe individualiste,” shpjegoi Mema, ndërsa theksoi se ndjeshmëria ndaj mjedisit është e vakët dhe ndëshkimin ligjor duhet parë si mjet i domosdoshëm parandalues.

Sipas Memës, mungesës së ndëshkueshmërisë i shtohet korrupsioni dhe paqartësia e përgjegjësive institucionale.

“Krimet mjedisore, ashtu siç është prerja e paligjshme e pyjeve, janë të ndëshkueshëm dhe dënohen sipas Kodit Penal,” theksoi Mema.

“Ka një abuzim me këtë pasuri natyrore që vjen nga mosfunksionimi i zbatimit të ligjit, nga mbivendosja funksionale e disa institucioneve që kanë përgjegjësi për menaxhimin e pyjeve dhe ia kalojnë përgjegjësitë njëra-tjetrës, niveli i lartë i korrupsionit të instancave monitoruese apo ndëshkuese dhe niveli i ulët i ndërgjegjjes komunitare për të kuptuar masakrën që po bëhet me pyjet,” përfundoi ajo. /Birn

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *