Lufta bërthamore në prag, si do të përgjigjeshin SHBA-të nëse Rusia përdor arsenalin e vet?
Nga Dell Dailey & James Farwell “The Defense Post”
Politika e SHBA-së në lidhje me mbështetjen e Ukrainës është e kalibruar në një mënyrë të tillë që të shmangë skenarin e përshkallëzimit, ku Amerika do të hynte në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë. Presidenti Joe Biden dëshiron me të drejtë ta shmangë luftën e drejtpërdrejtë me Moskën. Por ne nuk mund t’i nënshtrohemi shantazhit bërthamor të Vladimir Putinit.
Sa larg mund të shkojë Putin me këtë sjellje? Çfarë do të bëjmë ne, në rast se ai kërcënon të bombardojë Estoninë apo Poloninë nëse të gjitha trupat e NATO-s nuk tërhiqen nga ato zona? Apo refuzojnë që të dalin nga NATO? A duhet të tërhiqemi? Strategjia e parandalimit e SHBA-së, dështoi që ta pengojë Putinin të nisë një luftë.
Ne duhet të përpiqemi që ta pengojmë atë nga përdorimi i armëve bërthamore. Po sikur Putin ta përdorë vërtet një armë të tillë? Fatmirësisht, kemi në dispozicion disa opsione asimetrike, për t’i dërguar mesazhin e duhur Putinit, dhe për ta ndëshkuar atë brenda kufijve të Ligjit të Konfliktit të Armatosur, pa përdorur armët tona bërthamore. Kjo vlen edhe për çdo përdorim nga Putini të armëve të shkatërrimit në masë, siç janë ato kimike. Një krim lufte nuk justifikon një krim lufte tjetër. Ne kemi nevojë për një përgjigje proporcionale, që synon të shmangë viktimat civile.
Reagimi jo-bërthamor
Së pari, kemi disa opsione jo-bërthamore. Lufta agresive e informacionit mund të dëmtojë bazën mbështesë të Putinit brenda Rusisë, siç minoi në vitet 1980 regjimet e Traktatit të Varshavës. Kjo perspektivë e tmerron Putinin. Lufta teknologjike mund të shkatërrojë sistemet e brendshme financiare ruse.
E mbani mend se si virusi “Stuxnet” i dëmtoi centrifugat iraniane të pastrimit të uraniumit në vitin 2010? Ishte një “përdorim i forcës” sipas nenit 2 (pika 4) të Kartës së OKB-së, dhe sulmi nuk vrau apo plagosi askënd. Ndërkohë lufta diplomatike në Azinë Qendrore, e plotësuar nga stimujt ekonomikë, mund t’i shkëputë nga Moska regjimet dhe ekonomitë e Azisë Qendrore.
Paralajmërimi kolektiv
Së dyti, Perëndimi duhet të paralajmërojë kolektivisht se ne do të hakmerremi ndaj çdo lloj sulmi të tillë të Rusisë. Dështimi i presidentit Barak Obama për të zbatuar “vijën e kuqe” kundër përdorimit të armëve kimike nga Siria në vitin 2013, e bindi Putinin se Perëndimi tërhiqet kur janë në lojë interesat e tij jetikë.
Paralajmërimi ynë kolektiv, mund të identifikojë publikisht objektivat e parazgjedhura. Kriteret duhet të jenë minimizimi i viktimave civile gjatë goditjes së trupave ruse, sidomos i udhëheqjes së saj në fushën e betejës. Ukrainasit janë treguar të aftë në eliminimin e gjeneralëve rusë, por shumë të tjerë janë ende aktivë në front.
Kërcënimi ekzistencial
Së treti, nëse Putin sheh një kërcënim ekzistencial për Rusinë, ai mund të përdorë edhe armët bërthamore. Por se çfarë përbën një kërcënim të tillë është e paqartë. Ndoshta mund të arrihet në këtë pikë nëse dërgesat tona më armë të rënda në Ukrainë, kombinuar me aftësinë dhe vendosmërinë e Ukrainës, e shkatërrojnë forcën pushtuese, një skenar që e shqetëson shumë Putinin.
Ne nuk mund t’i shmangemi kësaj sfide. Po cilat janë opsionet tona nëse Putin do të përdorë një armë bërthamore kundër Ukrainës? Hakmarrja bërthamore duket një opsion jashtëzakonisht i rrezikshëm. Edhe pse Rusia kryen një krim lufte, Perëndimi nuk është i justifikuar të bëjë diçka të ngjashme.
Nuk është e qartë nëse ai do të shpërthejë domosdoshmërisht një armë bërthamore brenda Ukrainës. Gjenerali Mark Kimmitt ka deklaruar se Putini mund të përdorë një të tillë në kufi me Ukrainën, si një gjest force. Por lejimi i përdorimit të armëve bërthamore ruse brenda Ukrainës është i papranueshëm. Por në varësi të situatës, ne duhet të shmangim përdorimin e armëve tona bërthamore.
Opsionet asimetrike
Cilat opsione asimetrike kanë kuptim? Ne mund t’i japim mundësinë Ukrainës të fundosë të gjithë flotën ruse të Detit të Zi, e cila përmban transportues trupash që kanë në bord marinsat rusë. Këto nuk do të quheshin viktima civile. Kjo mund të jetë përgjigja jonë më e fortë. Rusia po grumbullon forca pranë Izyum.
Ne mund t’i shkatërrojmë ato formacione luftarake. Këto opsione duken të arsyeshme dhe ndikuese në frontin e betejës. A duhet që SHBA të ndërmarrë një sulm hakmarrës? Krijimi i mundësisë që këtë ta bëjë Ukraina e pengon NATO-n ta luftojë drejtpërdrejt Rusinë. Dhe kjo duket si një sjellje e matur.
Por meqenëse përdorimi i një arme bërthamore e ndryshon tërësisht dinamikën e luftës, vetë SHBA-ja, ose bashkë me NATO-n, mund ta luftonte drejtpërdrejt në front. Në çdo rast, Putin duhet të kuptojë se ka zero tolerancë ndaj përdorimit prej tij të armëve bërthamore. Çdo kundërpërgjigje perëndimore duhet të kufizohet brenda Ukrainës ose kundër flotës së Detit të Zi.
Fuqia diplomatike perëndimore
Po ashtu ne duhet të përdorim fuqinë tonë kolektive diplomatike, për të imponuar një votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Asamblenë e Përgjithshme, BE dhe organizata të tjera të afta për të ndërmarrë veprime ligjore me peshë, për të dënuar përdorimin e paprovokuar të armëve bërthamore nga Rusia.
Edhe pse Rusia do të vendoste veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit, konflikti bashkëkohor ka të bëjë me luftën e informacionit si dhe me operacionet kinetike. Le të mos harrojmë: Kina është duke vëzhguar me kujdes sjelljen tonë. Ne dyshojmë se ashtu si Putin, përgjigja e bashkuar e Perëndimit dhe forca e tij kanë befasuar presidentin kinez Xi Jinping.
Kinës duket se i pëlqen ta shpallë Perëndimin si histori të dikurshme.
Konflikti në Ukrainë ka qenë një zile zgjimi. Përdorimi i çdo lloj arme të shkatërrimit në masë nga çdo palë në Ukrainë, do të pengonte perspektivat për arritjen e stabilitetit global. Por përdorimi nga Rusia i një rakete bërthamore nuk do të na linte pa asnjë mundësi zgjidhje. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/
Shënim:Dell Daily, gjeneralejtnant në pension i ushtrisë amerikane. Ka qenë drejtues i Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale, dhe kreu i Zyrës Kundër Terrorizmit në Departamentin e Shtetit. James Farwell, bashkëpunëtor në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër.
Rruga Press