Lubonja: Rama, më aleat më Vuçiçin se me Kurtin!
Analisti Fatos Lubonja përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me situatën në veriun e Kosovës.
Sipas tij, situata është shumë komplekse, por mund të zgjidhet vetëm me një marrëveshje mes Albin Kurtit dhe Vuçiçit. Ai shtoi se do ishte e vështirë të justifikoheshin kryetarët e komunave nga ana e qeverisë së Kosovës, ndërsa nga ana tjetër Vuçiç “luan me dy porta” dhe ka interesa më të mëdha se komunat me shumicë serbe.
Sa i përket qëndrimit të Shqipërisë në këtë situatë, Lubonja u shpreh se kryeministri Rama i bën jehonë zgjidhjes që kërkon Perëndimi, por ai “duket më aleat me Vuçiçin se me Kurtin”.
“Mundet që të akuzosh Kurtin duke u nisur nga ideja se në një vend ku kanë votuar vetëm 3-4% e njerëzve është e vështirë të justifikosh kryetarët e zgjedhur. Kurti mund të propozonte sërish zgjedhje. Mbrapa këtij sherri të vogël ka një luftë më të madhe. Serbët nuk duan të njohin Kosovën, kërkojnë asociacionin, etj. Këtu dalim në nivelin e tretë që është si e duan ndërkombëtarët këtë punë.
Ata duan stabilitet dhe nuk duan të hapet një front i ri lufte. Vuçiç luan me dy porta, ndërsa Kurti mendon se do ketë mbështetjen e Perëndimit duke parë se Vuçiç njihet si mik i Rusisë. Situata është shumë komplekse dhe zgjidhja më e mirë do ishte një marrëveshje që të ketë zgjedhje dhe serbët të marrin drejtimin e komunave. Nuk ka kuptim që të mbahen me polici.
Kurti mund të ketë menduar se serbët nuk do reagojnë ose se partnerët do e mbështesin. Në këtë rast gjykoj se më tepër se kundërshtimi i Amerikës duhet ta shtynte Kurtin një dimension demokratik ku nuk mund të njihej zgjedhjet kur votojnë 3% e popullatës. Kurti duhet të njohë pak më mirë historinë se sa ka vërtet këllqe të kundërshtojë Amerikën që ka çliruar Kosovën. Amerika këtë nuk e bëri për Kurtin, por për interesa gjeopolitike.
Amerikanët kanë interesat e tyre, nuk është si prindi i madh që kujdeset për ne gjithmonë. Një telefonatë mes Vuçiç dhe Kurtit do mjaftonte për të ndaluar këtë situatë, por problemi është se kjo çështje është më e thellë. Vuçiç nuk ka hallin e kryetarëve të komunave, por se si do shkojë çështja e Kosovës. Ai do një copë të Kosovës, ndërsa ka edhe faktorët ndërkombëtarë që nuk e duan. Me ndërhyrjen me polici Kurti e ka ndihmuar Vuçiç duke thënë se nuk duan asociacionet. Kurti kërkon ta shtyjë këtë dhe konflikti bëhet për këtë kontekst.
Rama në këtë rast i bën jehonë zgjidhjes që kërkon Amerika dhe Evropa. Kësaj i duhet shtuar dhe një lloj alergjie që i krijon Kurti si personazh politik, jo vetëm në raport me ndërkombëtarët, por edhe me zhvillimet në Kosovë e Shqipëri. Me të Rama nuk ndihet aq rehat sa me Thaçin. Shqipëria duhet të ishte më afër Kosovës dhe të vendoste theksin te problemet që kanë krijuar serbët. Duhet t’i mbrojë disa çështje, si ajo e asociacionit. Duhet t’i vërë në dukje problematikat e saj. Rama duket më aleat më Vuçiçin se me Kurtin”, u shpreh Lubonja.
Rruga Press