Lubonja për “The Albanian Files”: SPAK të hetojë ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura
Publicisti Fatos Lubonja komentoi librin “The Albanian files” që përmban projektet e arkitektëve të huaj në Shqipëri, për të cilin Edi Rama tha se nuk dinte gjë dhe se nuk e kishte lexuar. Lubonja tha se libri në vetvete është një provë që SPAK të hetojë se si u ndryshua ligji për zonat e mbrojtura që i hapi rrugë projekteve të resorteve që ishin planifikuar para se Rama ta ndryshonte ligjin.
“Një pjesë e mirë e këtyre projekteve janë bërë kur nuk ishte ndryshua ligji për zonat e mbrojtura. Pra ti i ke zonat e mbrojtura dhe i paguar arkitektët të bëjnë projekte në zonat e mbrojtura pa qenë i ndryshuar ligji. Në thelb ç’do të thotë kjo? Se këto projekte kush do I bëjë? Siç ka dalë, krimi i organizuar dhe oligarkët shqiptarë. Kjo është kapje e shtetit” u shpreh Lubonja në studion e News24.
Sipas tij, vetë fakti që libri është shkruar në anglisht dhe jo në shqip, është domethënëse, pasi populli shqiptar është krejtësisht i përjashtuar nga vendimmarrja dhe se vendimet i merr një pakicë njerëzish në shërbim të pastrimit të parave të krimit të organizuar.
Pjesë e shkëputur e bisedës së Lubonjës në News24
Ky libër nxjerr shumë gjëra. Libri ësh në anglisht. Shiko ti je kryeministri i vendit tënd, i paraqit një projekt kaq madhor popullit tënd me 60 studio, që ndërtojnë në fusha, në male, në det e kudo, dhe nuk e di populli fare se ç’po bëhet. I ka bërë ky me këta arkitektët. Ndërsa ne jemi… pra tregon mendësinë antidemokratike.
Ata arkitektët kërkojnë ta nxjerrin si të iluminuar. Ai e thotë si ironi, por ajo nuk është ironi, kur i thotë që ti të bëhesh mbret, se ti je i iluminuar, se autokratë janë edhe andej, por ti je i iluminuar, me këto që po na bën këtu një revolucion.
Problemi tjetër që nxjerr janë shumë, por do të përqëndrohem te shkelja e ligjit dhe ku duhet të hetohet kjo punë.
Ky që thotë “S’ka projekt për Zvërnecin”, ky i ka bërë këto projekte me kohë. Janë aty si masterplane. Po shiko çfarë është e rëndësishme: Një pjesë e mirë e këtyre projekteve janë bërë kur nuk ishte ndryshua ligji për zonat e mbrojtura. Pra ti i ke zonat e mbrojtura dhe i paguar arkitektët të bëjnë projekte në zonat e mbrojtura pa qenë i ndryshuar ligji. Në thelb ç’do të thotë kjo? Se këto projekte kush do I bëjë? Siç ka dalë, krimi i organizuar dhe oligarkët shqiptarë. Kjo është kapje e shtetit. Ata e dinë se ky kryeministri nuk pyet për ligjin se ky e ndryshon ligjin si të dojë, si t’i vijë puna. Dhe mos harroni, ai ligj si ka ndryshuar? Ka dalë një deputet që nuk ia mbaj mend emrin dhe ka bërë një propozim gjasme dhe e ndryshoi parlamenti ligjin. Sali Berisha është nën akuzë për ndryshim ligji që përfitoi dhëndri i tij, një ndryshim ligji për kthimin e pronave.
Prandaj duhet hetuar se këtu ka shumë prova që të çojnë në hetim nga ky libër. Nuk po merrem në anën e asaj “Ore sa të bukura janë apo jo”. Aty ka projekte që janë 42% e investitorëve që janë anonimë. Nuk njihen fare. Ku janë këta ne 2 milion e ca jemi, ne i njohim të gjithë. Kjo të çon te teza që janë paratë e pista. Edhe tek Zvërneci janë ca me 24%, janë disa në Holandë, offshore dhe sipas ligjit holandez duhet të kesh mbi 25% që të dali emri. Mirë që fshihen projektet, fshihen edhe investitorët. Pse kjo?
Këtu ne jemi jashtë vendimmarrjes, jashtë kontrollit dhe jashtë transparencës. Kjo është skandaloze, nga një njeri omnipotent, delirant që mendon se është mbi ligjin. Prandaj them që kthimi i sundimit të ligjit është vendimtar.
Është kjo dhurata që i ka bërë Fusha, që është e paligjshme. Ne e dimë se kjo është bërë me lekët publike dhe jemi revoltuar, kemi reaguar “Si u harxhokan 4 milion për një lulishte, për një kopësht aty?”. Ndërkohë ne s’kemi shkolla, s’kemi ujë, nuk kemi kushte. Mos harrojmë edhe se ky në libër po na lëvdon sikur Shqipëria po bëhet shembulli i gjithë botës për arkitekturën botërore. Ne kemi koshat e plehrave aty, akoma të padiferencuara aty, s’kemi ujë. Përt ë mos folur për çmimet e këtyre. Thelbi është kjo, ky projekt për mua është ana tjetër e medaljes së projektit që ka bërë krimi i organizuar për të pastruar paratë në Shqipëri dhe arkiketktët dhe starkitektët janë përdorur për të na hedhur ne vellon e injorantit, sikur ne jemi injorantë, për të thënë se shiko se janë këto dhe ne po i bëjmë Shqopërisë një gjë të madhe, një kopësht arkitekturor. Ka edhe delir, edhe krim, edhe çmenduri, ka edhe rrezik për territoret që po na i merr një pakicë e vogël.
Rruga Press

