KryesoreLajme

Lojërat Mesdhetare 2030, Kurti paralajmëron investime në disa qytete të Kosovës

Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” ka mbajtur të premten takimin e radhës ku u diskutua për vazhdimin e përgatitjeve. Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se “Prishtina 2030” do të mbahet në disa qytete, përfshirë Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Drenasin dhe Skënderajn, bashkë me komunat e tjera. 

Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ai i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.  

Kryeministri Kurti tha se investimet janë duke vazhduar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe atë “Shani Nushi” në Gjakovë. 

Lexo më shumë  Balla mbron Ballukun, ndaj së cilës SPAK heton tendera me vlerë 1.2 miliardë euro: “Ndër deputetet më të mira të PS-së”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, javë më parë ngriti shqetësimin se Kosova mund ta humb të drejtën e organizimit të këtyre Lojërave, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve financiare nga Qeveria. 

Por Kurti ka thënë se puna do të kryhet me ritëm të shtuar. 

Prej projekteve prioritare ka përmendur Qendrën e Studentëve që do të shërbejë si Fshat i Sportistëve, Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Qendrën Akuatike dhe Qendrën Nacionale të Tenisit. 

Lexo më shumë  Maqedonci takon zyrtaren e USEUCOM-it, diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit në mbrojtje

Njëri prej kushteve për organizimin e Lojërave Mesdhetare është “Stadiumi Nacional”, me kapacitet prej të paktën 20 mijë ulëseve. 

Kryeministri i Kosovës theksoi se po shqyrtohet mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me siç shkroi ai “kapacitet të shtuar”. 

Priten të tjera takime të përbashkëta për prezantimin e hapave të mëtejmë në përgatitjet për “Prishtina 2030”.

Rruga Press

YouTube player