Lajme

Lobistët thyejnë qeverinë/ Si shpëtuan fabrikat nga taksat për përdorimin e qumështit pluhur në mbledhjen e fundit të kabinetit

Rreth dy javë më parë, Ministria e Financave mbylli paketën e re fiskale. Ndër ligjet që ndryshonin ishte edhe ai për “Taksat Kombëtare”

Ajo që binte në sy ishte taksa e re, prej 100 lek për kilogram, për qumështin pluhur. Në relacion qeveria theksonte se në vitet e fundit është pesëfishuar importi i qumështit pluhur. Se qumështi pluhur “shpesh përzihet me qumësht të freskët për të prodhuar produkte bulmeti”. Shifrat ishin të qarta. “Sasia e importuar e këtij produkti për vitin 2020 ka qenë në masën mbi 1.400 ton/vit, sasi kjo rreth 2.5 herë më e lartë krahasuar me atë të vitit 2016 që ka qenë rreth 560 ton/vit”.

Pra, qumështi pluhur po zëvendësonte qumështin e blegtorëve vendas. Dhe sipas qeverisë, “rreth 1/2 e fermerëve janë të angazhuar në blegtori, duke përfshirë sektorin e bulmetit”. Për këtë arsye, qeveria vendosi një taksë 100 lekë për kilogram për qumështin pluhur të importuar. Synimi i saj zyrtar ishte “të incentivojë prodhimin dhe tregtimin në vend të qumështit, me synim mbështetjen e fermerëve vendas. Kjo, duke marrë në konsideratë dhe faktin se, sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi nisur nga potenciali për zëvendësimin e importit”.

Dhe logjika ishte e saktë. Janë të forta dyshimet se djathi, gjalpi, kosi dhe shumë nënprodukte të tjera nuk prodhohen nga qumështi i freskët i blegtorëve tanë, por nga përzierja me qumësht pluhur. Ky vendim i qeverisë, i para dy javëve, do e bënte më pak të leverdishëm përzierjen dhe si rrjedhojë do e ulte përdorimin e qumështit pluhur. Por, në vendimin e fundit qeveria ka ndryshuar totalisht qasje për taksën e qumështin pluhur. Në ligjin e depozituar në Kuvend, qeveria ka detajuar taksim krahas qumështit pluhur edhe për hirrën, pijen e homogjenizuar “barista”, për krem qumështi, por ka shtuar një nen të fundit.

Lexo më shumë  Podujeva do të bëhet me Zonë Industriale, Hajdari dhe Bulliqi nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë prej rreth 4 milionë euro

“Përjashtohen nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”. Duket qartë se kush janë lobuesit që thyen qeverinë në mbledhje. Pra, qartësisht ka ndryshuar thelbin e ligjit të paraqitur vetë.

Ishte “Taksë për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur” dhe bëhet “Taksë për qumështin pluhur për tregti”, por me përjashtim të fabrikave që prodhojnë qumësht, kos, djathë, gjalpë. Qartësisht, përjashtimi i fabrikave e bën krejtësisht të pavlerë politikën e re. Duket sikur qeveria e ndau projektligjin si një mundësi për të marrë ofertat më të mira deri në miratimin e tij përfundimtar. Dhe ofertat do kenë qenë vërtetë joshëse, përderisa e ndryshuan katërçipërisht ligjin.

Sa për fermerët, që do mbroheshin nga përdorimi i qumështit pluhur që “shpesh përzihet me qumësht të freskët për të prodhuar produkte bulmeti”, do të ketë një herë tjetër. Ose fermerët duhet të bëjnë një ofertë më të mirë, se sa ajo e fabrikave që përpunojnë qumësht. Nëse mblidhen dhe e kopsitin ofertën e tyre, sigurisht që qeveria e ndryshon mendimin. Siç e ndryshoi herën e parë.

Ndryshimi i ligjit 

Ishte

Neni 1

Në nenin 3, “Llojet e taksave kombëtare” shtohen pikat 12 dhe13 me këtë përmbajtje: 12. Taksë për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur (për produktin e importuar sipas kodeve të NKM-së 04021019 dhe 04022118).

Lexo më shumë  Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Neni 2

Në nenin 4, “Niveli i taksave kombëtare” shtohen pikat 12 dhe 13me këtë përmbajtje: 12. Taksa për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur është në vlerën 100 lekë për kg.

Bëhet

Neni 1

Në nenin 3, “Llojet e taksave kombëtare”, shtohen pikat 12 deri 16, me këtë përmbajtje: 12. Taksë për qumështin pluhur për tregti (i përfshirë në kreun 0402 të NKM-së). 13. Taksë për pijen e homogjenizuar “barista” (i përfshirë në kreun 0404 të NKM-së). 14. Taksë për hirrë qumështi (i përfshirë në kreun 0404 të NKM-së). 15. Taksë për krem qumështi (i përfshirë në kreun 0402 të NKM-së).

Neni 2

Në nenin 4, “Niveli i taksave kombëtare”, shtohen pikat 12 deri 16, me këtë përmbajtje: 12.Taksa për qumështin pluhur është në vlerën 100 lekë për kg. 13. Taksa për pijen e homogjenizuar “barista” është në vlerën 16 lekë për litër. 14. Taksa për hirrë qumështi është në vlerën 150 lekë për kg. 15. Taksa për krem qumështi është në vlerën 150 lekë për litër.

Neni 4

Në nenin 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje: 8. Përjashtohen nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit./Panorama

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *