KryesoreLajme

Lista Serbe gjobitet edhe me 30 mijë euro të tjera nga PZAP-ja

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur edhe me 30 mijë euro  subjektin Lista Serbe për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes.

Ankesën e ka parashtruar i njëjti subjekt politik Kosovki Savez dhe për të njëjtën arsye si herën e parë, ku Lista Serbe u gjobit me 20 mijë euro po ashtu për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes.

Sipas ankesës e cila u pranua si e bazuar nga PZAP-ja, aktivistët e Listës Serbe kanë vendosur material zgjedhor në disa vende në Komunën e Leposaviqit. Ky subjekt politik ka vendosur material promovues zgjedhor në hapësira publike (shtylla elektrike, vendbanime, stacione të autobusëve, fshatra, objekt në pronësi të Agjencisë për Privatizim, rrugë publike, shesh-qendër).

Lista Serbe në përgjigje ka kërkuar nga PZAP-ja që të hedhë poshtë ankesën e paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez.

“Subjekti politik Lista Serbe, ka paraqitur përgjigje në ankesë në të cilën ka theksuar se, ankesa e parashtruar e cila ka të bëjë me vendosjen gjoja të paligjshme të materialit promocional në vende ku kjo nuk lejohet, theksojnë se i njëjti person tashmë ka paraqitur ankesë në lidhje me të njëjtën shkelje të rregullave dhe se subjekti i tyre politik është gjobitur me një gjobë në shumën prej 20,000€, në bazë të ankesës Anr.25/2025. Tutje, në përgjigje shtojnë se këto fotografi janë bërë në të njëjtat lokacione nga kënde të tjera, në territorin e Komunës së Leposaviqit, dhe për ketë është në njohuri edhe vetë parashtruesi i ankesës. Andaj, kjo është një çështje e gjykuar dhe me të shkelet parimi ne bis in idem, duke kërkuar nga PZAP që të pranoj përgjigjën në ankesë si të bazuar dhe të hedhë poshtë ankesën e paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez”, thuhet në përgjigjen e Listes Serbe.

Lexo më shumë  Bekim Jashari: Nuk mund të jesh shok i Adem Jasharit pa e mbështetur sovranitetin e Kosovës në veri

Por në përgjigjen ndaj kësaj kërkese, PZAP-ja ka thënë se pretendimet e Listës Serbe nuk qëndrojnë sepse nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte se ankesa është e njëjtë dhe pamjet janë të njëjta me të herës së parë.

“Paneli ka vlerësuar edhe përgjigjën në ankesë të subjektit politik Lista Serbe, në të cilën kanë pretenduar se i njëjti person ka paraqitur ankesë në lidhje me të njëjtën shkelje të rregullave zgjedhore dhe se lidhur me ketë subjekti politik Lista Serbe është gjobitur me një gjobë në shumë prej 20.000 euro, kjo sipas Vendimit ZP.Anr.25/2025 të datës 22.12.2025, duke konsideruar se kjo është një çështje e gjykuar, mirëpo për Panelin këto pretendime nuk qëndrojnë pasi që subjekti politik Lista Serbe në përgjigje në ankesë nuk ka bashkangjitur asnjë provë që do të dëshmonte të kundërtën e pretendimeve ankimore dhe provave të bashkangjitura nga pala ankuese. Andaj, pretendimet e tilla mbetën vetëm në nivel deklarativ dhe të pa argumentuara me prova konkrete”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Lexo më shumë  Kurti: Nga magjistralja e Dukagjinit do të përfitojë edhe Deçani

Sipas vendimit, PZAP vlerëson se subjekti politik Lista Serbe duhet që menjëherë t’i largojë posterat dhe materialet tjera zgjedhore nga vendet ku janë të vendosura ato, teksa dështimi për t’i hequr ato do ishte shkelje tjetër e ligjit e cila mund të sanksionohet me dënim tjetër shtesë.

Para dy ditësh, Lista Serbe u gjobit me 20 mijë euro pas ankesës së paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez. Po ashtu dy mijë euro u gjobit pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Lista Serbe është partia që ka bërë më së shumti shkelje të rregullave gjatë shtatë ditëve të fushatës elektorale. 

Rruga Press

YouTube player