Opinion/Aktualitet

Lista serbe fillimisht duhet të plotësojë disa parakushte dhe kushte

Nga Donik Sallova

Lista Serbe paska shprehur vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhjet që duhet të organizohen në komunat veriore, të cilat i kishin bojkotuar me urdhërat e Beogradit. Shumë mirë për këtë reflektim, por fillimisht duhet plotësuar disa parakushte dhe kushte. E para, Lista Serbe duhet të shkëputet nga veprimtaria kriminale dhe terroriste e shumë anëtarëve të saj, në krye me Milan Radoiçiqin. E dyta, drejtuesit e kësaj liste duhet të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë për të identifikuar të gjithë pjesëmarrësit në sulmin terrorist të Banjskës, si dhe të kontribuojnë në kapjen e pjestarëve të organizatave terroriste si Brigadat e Veriut dhe Mbrojtja Civile. Çdo kultivim i lidhjeve me këto organizata duhet të jetë penalizuese për këtë formacion politik. Dhe e treta, thelbësorja, KQZ nuk duhet ta çertifikojë këtë parti nëse drejtuesit dhe anëtarët e saj vazhdojnë që publikisht dhe në dokumente partiake ta përdorin emrin “Kosova dhe Metohija”. Ky është një emër antikushtetues dhe i referohet realitetit kur Kosova ishte nën pushtimin serb, si një aspiratë politike që nuk ka të bëj me asnjë lloj lirie dhe të drejte për t’u shprehur. Tolerimi i përdorimit politik dhe publik të termit pushtues “Kosova dhe Metohija”, ka bërë që shumë serbë të iluzionohen se “Kosova një ditë do të bëhet Serbi”. Kjo nuk i shpërben integrimit, tolerancës dhe demokracisë. Ky tolerim është njësoj sikur politikanët e partive turke t’i referohen Kosovës si Vilajeti i Kosovës. Betimi në Kuvend i deputetëve serbë sa për ta marrë rrogën nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Diskursi politik e publik që synon rrënimin e rendit kushtetues nuk mund të tolerohet. Serbia mundet të mos e njoh kurrë pavarësinë e Kosovës, por ata që duan të zhvillojnë veprimtari politike në dobi të komuniteteve të tyre në Kosovës nuk mund t’ju tolerohet që qëllimet armiqësore të Serbisë t’i promovojnë lirshëm brenda sistemit tonë politik. Këtij paradoksi duhet t’i jepet fund, s’mund të zhvillosh veprimtari legale në Kosovë duke pasur qëllime anti-kushtetuese dhe armiqësore ndaj shtetit!

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Rruga Press

YouTube player