BallinaLajme

Ligji i Policisë së Shtetit, Balla “sulmon” Presidentin Meta: Takohet me ish-policë të përfshirë në aktivitete kriminale

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë seancës parlamenare ka folur për ligjin e Policisë së Shtetit, teksa ka përfituar nga rasti për të sulmuar Presidentin Ilir Meta.

Balla ka akuzuar Kreun e Shtetit se takohet me ish-policë të përfshirë në aktivitete kriminale, ndërkohë që nga ana tjetër shfaq shqetësimin për ligjin. Ai ka vijuar më tej duke i kërkuar Metës që të mos bëjë politikë me dekretet.

Balla: Dua të them dy fjalë për dekretin për kthimin e ligjit “Për policinë e shtetit”. Ligji është diskutuar për një kohë shumë të gjatë në Kuvendin e Shqipërisë, ka marrë kohë të gjatë. Gjej rastin ta falënderoj ministrin e Brendshëm për korrektesën që ka treguar në marrëdhënien me Kuvendin.

Të gjitha përpjekjet, në krye të të cilave është vënë Ilir Meta, Presidenti i Republikës që natën takohet me ish-policë të larguar nga policia e shtetit për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale dhe  ditën bën sikur shqetësohet për Policinë e Shtetit.

Presidenti duhet të heqë dorë nga të bërit politikë me dekretet. Nuk i shkon që Kryetari i Shtetit të etiketojë apo sulmojë policinë e shtetit.

Është e patolerushme, është e papranueshme Ilir Meta që të vonojë ligjin për buxhetin e shtetit. Është miratuar në Kuvend dhe Presidenti i Republikës për turpin e vijon ta mbajë peng ligjin për buxhetin e shtetit duke vonuar përgatitjen që duhet të bëjë qeveria për përballimin e situatës së COVID, në veçanti sigurimin e vaksinë.

YouTube player