KryesoreLibri i javes

LIBRI I JAVËS/VETJA DHE TJETRI-VINCENT DESCOMBES

Hyrje

FILOZOFIA NË FRANCË

A mund të rrëfehen ngjyrat e kohës? Cili mund të dinte ta thoshte atmosterën e epokës?

Që në fillim të kësaj trajtese duhet të shenjoj kufizimet e pamënjanueshme. Filozofia franceze është filozofia që shprehet në frëngjisht edhe pse, për të thënë në këtë gjuhë mendime greke, latine angleze, gjermane. Filozofia franceze lind kur Descartes – ndërmerr t’i përgjigjet në frëngjisht Eseve* të Montaigne-it me Ligjëratë mbi metodën ndjekur nga tri ese të kësaj metode.

___________________________________________________________

*Në tekstin shqip ne kemi preferuar t’i japim edhe titujt e punimeve të cituar me përkthimin e tyre më të afërt, si të themi më të drejtpërdrejt. Një gjë e tillë është bërë për të mos thyer tekstin me pakuptimësi, dhe duke menduar se ai nuk do të dëmtojë përkthimin dhe publikimin e këtyre librave në të ardhmen. Këtu po japim dhe listën e titujve në gjuhën frënge të shoqëruar prej emrit të autorit: L’anti – Edipe Deleuze dhe Guattari, La phénoménologie de l’esprit Hegel, Essais Montaigne, Etre et temps dhe Lettre sur l’humanisme Heidegger, Regulae ad directionen ingenii Descartes L’évolution créatrice Bergson, Phénoménologie de la perception Merleau – Ponty, L’origine de la géométrie Husserl, Dérive a partir de Marx et Freud Lyotard. Përkundrazi, titujt në shënimet në fund të faqes qëndrojnë si zakonisht në gjuhën e origjinalit. (Po njoftojmë me këtë rast se shënimet e njoftuara me asterisk janë ato të përkthyesit, përcaktimet në kllapa katrore janë termat në gjuhën e origjinalit.)

Por, në këtë debat mes Descartes – it dhe Montaigne-it, nuk lind vetëm filozofia franceze. Sipas mendimit të autoriteteve më të larta të filozofisë, që të paktën kësaj here përputhet, për shembull Hegelit dhe Heidegger-it, kërkimi i një të vërtete të pajisur me karakterin e sigurisë absolute përuron të gjithë filozofinë moderne.

Faqet më tej duan të jenë një hyrje në filozofinë franceze bashkëkohore. Një trajtesë e tërësisë së filozofisë franceze do të niste me Descartes-in (në përgjigje të Montaigne-it). Një trajtesë e filozofisë moderne do të niste po njësoj. Titulli i studimit, faqen e parë të të cilit jeni duke lexuar, flet për një qëllim më modest: të ftojë në të gjuhën dhe çështjet e diskutimit të quajtur filozofik në Francën e sotme, një lexues që e mendoj, për hipotezë, si më të huajin e mundshëm për traditën dhe të menduarit francez të filozofimit.

“Filozofia bashkëkohore franceze” nuk mund të përmblidhet as vetëm në një epokë të filozofisë, as në ndonjë shkollë të vetme. Ajo përkon me bashkësinë e ligjërimeve të mbajtura sot në Francë dhe të quajtura prej publikut të sotëm si filozofike. Janë rrethanat (vendi, datat) që kufizojnë lëndën e trajtesës sime. Në fillim lind përshtypja se këto rrethana mbeten jashtë filozofisë së mirëfilltë. Ndoshta do të lindë dhe shqetësimi se filozofia e zhytur në atmosferën e kohës mund të tkurret prej këtij fakti në një formë opinioni.

Publiku nuk është domosdoshmërisht gjyqtar i mirë. Me përkufizim saktësisht, ai nuk quhet si i pagabueshëm. Ka rëndësi ta nënvizojmë këtë gjë pasi programi ynë saktësohet në drejtimin që mund ta shprehim si vijon: të ftojmë në atë për çka kemi folur në një territor dhe një epokë të caktuar, në fund të fundit, do të thotë të qëndrojmë vetëm në atë ç’ka bërë zhurmë në publikun më të gjerë të mundshëm. Kjo përqasje e zhurmshme e filozofisë është padyshim e padrejtë sepse lë mënjanë gjithë ç’nuk është kuptuar prej publikut, ose ç’nuk është kuptuar në të njëjtën masë, por që gjithsesi do ta kishte meritën të trajtohej. Duhet të jetë e qartë se tekstet që do të trajtoj nuk janë domosdoshmërisht më interesantët që janë botuar në këta dhjetëvjeçarë. Madje as nuk mund të themi se të gjithë tekstet e trajtuar janë interesantë. Sepse tërësia bibliografike që duhet marrë në konsideratë ndahet në katër klasa:

  1. Tekste që i citojnë të gjithë dhe që të gjithë i quajnë të denjë për t’u cituar;
  2. Tekste që i citojnë të gjithë, por që disa i gjykojnë si të parëndësishëm;
  3. Tekste që i citojnë vetëm disa, apo madje dhe një person i vetëm por që mbahen prej këtyre personave si tekste të një kategorie më të lartë se tekstet e kategorive të mësipërme;
  4. Tekste që s’përmenden prej askujt, me përjashtim të vetë autorëve të tyre.

Vetëkuptohet se kjo ndarje nuk do të kishte asnjë kuptim në një hyrje në filozofi në përgjithësi, ku thjesht shpalosja e çështjes filozofike do të lejonte vlerësimin e dinjitetit filozofik të tekstit, pavarësisht publikut të tij. Ndërsa në një hyrje në filozofinë e sotme franceze, na duhet të qëndrojmë vetëm në tekstet e dy kategorive të para. Tek lëmë mënjanë dy kategoritë e tjera, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk kemi eliminuar vetëm tekste mediokër e të pakonsiderueshëm, por edhe tekste që kanë lexues real, të paktën jashtë Francës, ose që pritet të lexohen, apo që është e mundshme të lexohen në të ardhmen.

Kufizimi i fundit ka të bëjë me hapësirën (fatmirësisht) e pakët që zotëroj dhe që nuk do më lejojë citimin e të gjithë emrave apo titujve për të cilët ka folur publiku. Ky punim nuk kërkon të jetë një Who’s Who i filozofisë franceze, dhe as Gotha e saj. U desh të hiqja pra dorë nga nuancat, nga dallimet e vogla brenda shkollave, dhe të mbaja vetëm një version për çdo filozofemë. Edhe në këtë rast kam zgjedhur versionin për të cilin është folur më shumë. Sigurisht që nuk është më i zgjuari. Kuptohet që do të ruhem për të mos cituar emrat e atyre që, për mendimin tim, është dashur të dëgjohen më mirë, që do të dëgjohen ndoshta nesër apo më vonë Kriteri retorik në filozofi, le të mos e fshehim, është buja.

Mbetet të saktësoj, qoftë dhe shkurt, rrethanat e kohës dhe vendit.

Deri ku shtrihet ajo që ngjan të jetë e tashmja jonë? Nga shumë këndvështrime, nuk do të ishte e pajustifikuar të fillonim prej revolucionit francez, pra me Descartes-in. Më e mira pra është të fillojmë nga sot. Por, çështja e madhe që i mbetet një brezi, është të shlyejë borxhin e trashëguar prej paraardhësve. Prindërit i hëngrën kumbullat, bijve u mpihen dhëmbët. Duke vepruar në mënyrë të tillë, çdo brez sjell në jetë pengesat me të cilat do të ndeshet brezi pasardhës. Për të lokalizuar më mirë të sotmen, ia vlen gjithashtu të bëjmë llogaritë e brezave: brezin e tanishëm, atë që tregohet aktiv sot, dhe atë që sapo ka kaluar.

Lexo më shumë  Kamberi: Serbia po pengon realizimin e ndihmës së Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës

Në evolucionin më të fundëm të filozofisë në Francë, ne mund të shohim kalimin nga brezi i “3 H-ve” siç quhej pas 1945-s, në atë të tre “mjeshtrave* të dyshimit”, siç do të quhet në 1960-n.

__________________________________________________________

*Siç do të shohim përgjatë gjithë tekstit, termi maître ka një përdorim të shpeshtë dhe tepër të rëndësishëm në filozofinë franceze. Ai mund të përkthehet në shqip si mjeshtër, në kuptimin e mësuesit por edhe të njeriut që ka autorizimin të ushtrojë një disiplinë të caktuar të mendimit ose një profesion; por ai merr dhe kuptimin e zotërisë në rastin e ushtrimit të së drejtës mbi jetën e skllavit. Simbolika që aktivizon termi maître pershkruan të gjithë historinë e mendimit njerëzor në shpresën e fuqishme të njeriut se ai mund të trashëgojë vullnetin dhe arritjen për zbulimin e së vërtetës. Në këtë liber behet pothuaj fjalë për të gjithë procesin e ndergjegjesimit teorik të një dekonstruktimi të shumëfishtë të shpresës dhe mbresës që lidhen me këtë drejtues historik.

___________________________________________________________

Tre H-të janë Hegel, Husserl dhe Heidegger, ndërsa tre mjeshtrat e dyshimit janë Marx, Nietzsche dhe Freud. Kjo s’do të thotë se hegelianët dhe huserlianët u zhdukën papritmas prej skenës në vitet ’60. Veç se ata që e propagandojnë veten si të lidhur me tre H-të ose njërin prej tyre pas kësaj date, pranojnë pa droje se pozicioni i tyre nuk është mbizotërues. Gjë që i detyron të marrin parasysh gjatë diskutimeve edhe opinionin shoqëror të përbashkët dhe të parashohin kundër shtitë që mund t’u bëhen në emër të trinitetit të ri. Na bie si detyrë atëherë të gjejmë arsyet e këtij kalimi. Përse mjeshtërit që mbretëruan prej 1930-s deri në 1960-n u rrëzuan njëkohë sisht nga fronet, në vitet 1960, në përfitim të disave të ardhurve rishtas? Mund të vërehet se mbledhja e autoriteteve në triada të njëpasnjëshme është një fakt retorik: historiani i rreptë i filozofisë mund të gjejë gjithfarëlloj kundërshtish për përafrime të tilla, por s’mund ta pengojë një brez të kuptojë, tek lexon Hegel, Husserl dhe Heidegger, të njëjtin mësim. S’është i parëndësishëm fakti që tekstet më të kërkuar pas viteve 1930 janë më së shpeshti tekste që nuk ta bëjnë të thjeshtë leximin disa sepse nuk janë përkthyer ende në këtë kohë (Fenomenologjia e shpirtit u përkthye vetëm në 1947-n dhe Qenia dhe koha s’ishte përkthyer ende në 1978-n), ndërsa të tjerë as nuk janë botuar (tekstet më të admirueshme të Husserl-it do të jenë me të drejtë dorëshkrimet e pabotuara të Luvenit). Rrethana kaq të veçanta lehtësojnë transformimet krijuese të mendimit të cituar prej lexuesit, transformime të cilat vihen re gjithnjë në ngjizjen e autoritetit. Të mos na shkojë ndermend se një vepër fiton autoritet vetëm se është lexuar, studiuar dhe më në fund gjykuar si bindëse. Ndodh e kundërta: lexojmë sepse jemi tashmë të bindur. Veprat paraprihen prej zhurmës. Siç thotë dhe Maurice Blanchot, opinioni publik është më shumë se kurrë opinion i plotë vetëm te zhurma: opinion është për shembull ajo ç’mund lexojmë nëpër gazeta, por asnjë herë në një gazetë të caktuar “; ky është dhe thelbi i zhurmës, “atë ç’mësoj prej zhurmës e kam dëgjuar tashmë diku”![1] Pothuaj si përmes një reminishence platoniane, teksti me te cilin biem në dashuri, është ai në të cilin mësojmë pareshtur atë çka dinim. Merleau-Ponty e ka pranuar:

“Brenda nesh e gjejmë unitetin e fenomenologjisë dhe kuptimin e saj të vërtetë”. Problemi nuk qëndron te numërimi i citimeve, por te fiksimi dhe objektivimi i fenomenologjisë për ne, gjë që bën që, tek lexojnë Husserl-in ose Heidegger-in, shumë nga bashkëkohësit tanë dallojnë më shumë atë që prisnin sesa një filozofi të re.”[2]

S’kemi pse e pyesim veten këtu nëse interpretimet e Hegel it, Husserl-it më pas të Marksit ose Nietzsche-s, janë besnikë ndaj mendimeve që ata kërkojnë të kuptojnë. Është e qartë se interpretimet i tradhëtojnë, por ndoshta kjo tradhti është vetëm një mënyrë për të nxjerrë një lloj të “pamenduare”, siç thotë Heidegger-i, inherente e vetë mendimeve.

Duhet të themi diçka edhe për veçoritë e hapësirës së qarkullimit të shprehjeve filozofike.

Kjo hapësirë dëshmoi një qëndrueshmëri të lavdërueshme deri tani vonë, kur u ndjenë dhe krisjet e para të nxitura nga shtimi i mjeteve të fuqishme të komunikimit në masë (televizioni etj.) në rrjetet e vendosura që prej fundit të shekullit të kaluar.

Çka e karakterizon vendin universitar të filozofisë, është formimi i saj bashkëqendror dhe tepër i përqendruar. Licetë janë ata që i sigurojnë universiteteve shumicën e publikut të tyre në vetinë e mësuesve të ardhshëm të arsimit të mesëm. Këta mësues licesh, në parim, rekrutohen nga shteti me konkurs. Meqë programi i këtyre konkurseve (agregim dhe CAPES) është në varësi të vitit të fundit të liceut që quhet dhe “klasa e filozofisë”, mësimdhënia e filozofisë është pakashumë e përcaktuar prej natyrës dhe funksionit të “këtij programi të klasës së filozofisë”. Sipas doktrinës zyrtare, Programi, kryevepër për koherencën dhe saktësinë e tij, është objekt i konsensusit unanim. Në realitet kemi të bëjmë më tepër me rezultatin e një kompromisi mes prirjeve të ndryshme ekzistu ese, ndaj dhe Kryevepra kaq shumë e lëvduar bëhet rregullisht objekt rishikimesh të ndryshme. Të akuzuar nga disa si bartës i një ideologjie reaksionare, nga të tjerë si shkatërrues i asaj çka mbetej autentike në filozofi në programet pararendës, programet e njëpasnjëshëm reflektojnë gjendjen e çastit të forcave politike, jo vetëm në trupën pedagogjike, por edhe në tërësinë e vendit.

Të rrallë janë të kënaqurit prej sistemit në gjendjen aktuale të tij, të panumërt janë ata që kërkojnë ribërjen e tij. Megjithatë askush siç duket nuk vë në dyshim domosdoshmërinë e programit. Kulti i programit që gjithnjë e mbush me habi vëzhguesin e huaj, shpjegohet nga dashuria e francezëve për institucionin e diplomës së pjekurisë, këtë mishërim të idealit barazitar. Mirëpo, provimi i diplomës së pjekurisë, përsa i përket filozo fisë, qëndron në atë se: në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë dhe për të njëjtën kohëzgjatje, të gjithë kandidatët në parim duhet të hartojnë mbi një fletë letre krejt identike një tekst të së njëjtës shtrirje, që deri së fundmi trajtonte të njëjtën pyetje të zgjedhur nga Programi. Këto punime të uniformizuara më pas korri gjohen prej mësuesve të udhëhequr nga direktiva speciale të përpunuara në këtë rast nën kujdesin e ministrisë. Që korrigjimi të jetë i paanshëm, organizohet shkëmbimi i korrigjuesve mes qyteteve, në mënyrë të tillë që asnjë kandidat të mos njihet prej korrigjuesit. Prej ku dhe domosdoshmëria e një programi të vetëm, i njëjti për të gjithë licetë e planetit Tokë e, nëse do të duhej, edhe të tjerëve.

Lexo më shumë  “Focus”: Drama e portit të Durrësit, largohen investitorët gjermanë

 Kuptohet që dhe rekrutimi i profesorëve, të cilin s’po e trajtoj në detaje, bëhet sipas parimesh të ngjashme. Si një rit i vërtetë anëtarësimi, konkursi i agregimit i shkëput kandidatët nga ajo ç’shihet si e keqe (provincat, krahinat, partikularizmat lokale), për t’u dhënë formën e misionarëve të shpirtit publik dhe të shtetit. Në lidhje me këtë çështje duhet të këmbëngulim në rolin mbizotërues të kryetarit të jurisë. I emëruar drejtpërdrejt nga ministri, kryetari zgjedh anëtarët e tjerë të jurisë, kryeson vendimmarrjet dhe vendos për programin e konkursit (i nxjerrë nga Programi i klasës së filozofisë), ndërkohë që ky program përcakton programet e mësimit në fakultetet e filozofisë që duan të përgatisin studentë për konkurs. Vetë stili i filozofisë franceze cenohet në vazhdimësi: kur neokantizmi udhëhiqte jurinë e agregimit, nën emrin e Leon Brunschvicg-ut , shumica e studentëve përpiqeshin të përvetësonin mendimet e Platonit, Descartes-it dhe Kantit, të lexuar në këtë rend, si i progres ndërgjegjes drejt shpirtit; përsa i përket autorëve të dënuar prej neokantizmit, si Aristoteli dhe Hegeli, studentët mund t’i përmbaheshin vetëm një refuzimi të përciptë.

Fakti që profesori i filozofisë në Francë është funksionar i shtetit shpjegon dhe përthyerjet politike të pashmangshme të mësimdhënies. Nëse këto përthyerje u ndjenë pak në periu dhën e ekuilibrit kombëtar, ato bëhen përcaktuese kur shteti shfaqet i lëkundur. Në fillim të Republikës III, filozofia universitare u gjet e pajisur me mision prej shtetit: t’u mësohej nxënësve legjitimiteti i institucioneve të reja republikane. Dy doktrina ishin kandidate për një funksion të tillë: pozitivizmi sociologjik i Durkheim-it dhe racionalizmi neokantian (i nisur nga Renouvier dhe i mishëruar më vonë te Brunschvicg). Në fund fitoi i dyti. Edhe pse kundërshtare, të dy doktrinat mësojnë njësoj se njerëzimi, që në origjinat e tij më të largëta, nuk ka reshtur së përparuari drejt një përputhjeje reciproke të të gjitha qenieve njerëzore, mbi bazën e parimeve të arsyeshme: parime që saktësisht janë ata të institucioneve republikane! Do të shohim sesi pikënisja e brezit të 1930-s do të jetë vullneti për t’i ikur kësaj pamjeje optimiste të historisë.

Por sigurisht që filozofitë urdhërohen menjëherë të vulgarizojnë domethënien e tyre politike në vendin mondan (gazeta, revista dhe masmedia). Pozicionimi politik është dhe mbetet në Francë prova vendimtare, sepse ai duhet të nxjerrë në pah kuptimin përfundimtar të mendimit. Gjithçka ndodh asisoj që mund të mendonim se jemi tashmë në zemër të diskutimit të një çështjeje në çastin kur, nisur prej një hipoteze mbi njëshin dhe të shumfishtën ose mbi natyrën e njohjes, mbërrijmë në çështjen e zgjedhjeve të ardhshme elektorale ose në atë të sjelljes së partisë komuniste. S’mund të moshabitemi nga mënyra e menjëhershme me të cilën kalojmë mara mendthi nga Ideja e së mirës tek e mira ndjesore. Dhe në fakt, megjithë angazhimin e tepruar të politikës në debatin filozofik, nuk shohim kurrë shpalosjen e ndonjë reflektimi politik të mirëfilltë. Librat e shquar të filozofisë politike të shkruar në frëngjisht numërohen me gishtat e dorës. Kjo gjë ka ndodhur për shembull me ekzistencialistët, të cilët i shumëfishuan deklaratat dhe pozicionimet politike: megjithatë do të kërkonim më kot tek ata ndonjë teori të shtetit ose ndonjë reflektim mbi format moderne të luftës. Gjërat ndodhin në atë formë sa mund të mendojmë se një shprehje e caktuar filozofike mund t’i atribuohej menjëherë një partie të caktuar politike. Bëhen dhe zhbëhen opinione të ndryshme: deri në 1968-n epistemologjia ishte e majtë dhe metafizika e djathtë; por ja që me shfaqjen e shqetësimeve ekologjike, epistemologjia shfaqet reaksionare kurse metafizika merr ritme subversive.

Këto përmbysje vlerash politike në Bursën e opinioneve nuk e ndihmojnë aspak kthjellimin e debatit. Por aty qëndron dhe një fakt madhor. Në Francë, raporti i filozofisë me – opinionin është së pari raport me opinionin politik dhe së dyti me opinionin letrar, domethënë me grupet letrare (për shembull “le nouveau roman”, grupi Tel Quel). E meqë këta grupe nga ana e tyre shfaqin po aq edhe qëndrimet politike, marrëdhëniet e ndryshme të bashkëpunimit dhe kundërvënies kryqëzohen. Për shembull, grupi Tel Quel në një periudhë të caktuar është partizan i “mbështetjes së P.K.”: lexuesi që ka të njëjtin këndvështrim mbi letërsinë do të jetë njëherazi pro komunist. Por lexuesi do t’i duhet ose të heqë dorë nga kjo doktrinë letrare , ose të ndërpresë “mbështetjen e P.K.” kur pak më vonë Tel Quel bëhet pro-kineze . Dhe sipas rastit, nëse do të blejë revistën Tel Quel në njërën prej këtyre dy kohëve, ai do të mund të gjejë artikuj të botuar nën firmën Jacques Derrida-së.

Kështu që trajtesa ime, në disa zona, do të duhet të shpjegojë rrethanat politike. Kuptohet se kjo do të bëhet për ato faza në të cilat ligjërata kërkon vetvetiu të vihet në korrespondencë me këto rrethana.


[1] L’entretien infini, Gallimard, 1969, f. 26.

[2] 2 PP, f. 11.


Shqipëroi: Elvis Hoxha
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe, 2017


©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *