Libri i javes

LIBRI I JAVËS/MOSMARRËVESHJA, POLITIKË DHE FILOZOFI – JACQUES RANCIÈRE

FJALA E AUTORIT PËR BOTIMIN SHQIP

Disa fjalë hyrëse janë ndoshta të nevojshme, për t’i paraqitur lexuesit shqiptar të sotëm këtë libër të botuar në Francë më 1995. Megjithë pamjen sistematike, Mosmarrëveshja nuk është vepër e shkruar nga një filozof politik me synimin të përmbledhë «teorinë» e tij mbi politikën. Filozofia politike s’ka qenë ndonjëherë specialiteti im akademik dhe libri, siç do të mund të shihet, vë në pikëpyetje vetë kuptimin e një nocioni tillë. Por edhe vetë kjo pyetje nuk binte nga qielli filozofik. Reflektimet e mia mbi barazinë e kanë burimin e vet gjetiu: te hulumtimet e bëra lidhur me format konkrete historike të emancipimit të punëtorëve dhe me idenë provokuese të emancipimit intelektual, të cilat i parashtrova te librat La Nuit des prolétaires (1981) dhe Le Maître ignorant (1987). Formësimi i dytë ndodhi në kuadrin e një koniukture politike dhe teorike që ia vlen ta rikujtojmë, ngaqë është ende e jona: ajo e viteve 1980 dhe 1990, të cilat u shenjuan nga rrënimi brutal i bllokut sovjetik dhe botëkuptimit marksist të botës, si dhe nga zhgënjimi, jo më pak brutal, i shpresave që pati ushqyer ky rrënim për një botë të paqtuar e përfundimisht demokratike. Në rastin tim, perceptimi i koniukturës në fjalë u bë, natyrisht, përmes prizmit të zhvillimit dhe përjetimit të saj në hapësirën perëndimore dhe, me veçanërisht, në Francë. Lëvizjet kontestuese radikale të viteve ‘60-‘70 në Perëndim paraqiteshin si pjesë përbërëse e rizgjimit të një hovi të dytë të revolucionit botëror, nën shenjën e shumëfishtë të revolucionit kubanez, revolucionit kulturor në Kinë, revolucionit të «karafilave» në Portugali, lëvizjeve anti-kolonialiste dhe anti-imperialiste nëpër botë, por edhe të revoltës antisovjetike të «pranverës së Pragës». Kjo sepse, rinia majtiste në Francë apo Itali, ndërsa shprehte refuzimin radikal të rendit sundues në BRSS dhe në bllokun sovjetik, angazhimin e vet politik vijonte jo më pak ta mendonte në kuadrin e revolucionit proletar marksist. Pikërisht ky pozicionim i dyfishtë u shpërbë disa vite më vonë, me shkrehjen e ngadaltë ose shkarjen militariste të lëvizjeve majtiste. Në Francë, qysh nga fundi i viteve ’70, disa ish majtistë të penduar i hynë një kryqëzate të madhe nën emrin e «filozofisë së re», e cila synonte asgjësimin global të traditës marksiste. Por, në fakt, shuarja e energjive majtiste dhe rrënimi i botëkuptimit marksist erdhën më së shumti si rezultat paradoksal i rikuperimit të tyre nga e majta zyrtare. Më 1981, një parti socialiste e zgjedhur mbi bazën e një programi shtetëzimesh masive të sipërmarrjeve dhe bankave, program i hartuar në bashkëpunim me Partinë Komuniste, e ndryshonte kështu radikalisht kahun pas vetëm dy vitesh qeverisje, duke u konvertuar gjithnjë e më me zell në dogmat ekonomike te neoliberalizmit. Nën shtysën e papërmbajtur të këtij yryshi u pa sesi inteligjencia marksiste i ktheu të gjitha bindjet e deridjeshme dhe nisi të sulmojë me zhurmë jo vetem krimet e shtetit stalinist, por tërësinë e traditës punetore e revolucionare, deri dhe vetë idenë e luftës së klasave pa harruar edhe praktikën e thjeshtë të luftës sociale rivendikuese. Ka ardhur koha, thanë ata, të rizbulojmë politikën në pastërtinë e vet virgjinale, të rigjejmë kuptimin politik të jetesës se bashku dhe të së mirës së përbashkët, horizonte këto deri atëherë të errësuara nga zhurmimi i realiteteve ekonomike dhe rivendikimeve shoqërore. Një rikthim i tillë i zhurmshëm te politika dhe filozofia politike bëhej, teorikisht, nën hyqmin e dallimit aristotelian mes jetesës së thjeshtë dhe jetës së mirë, përfshi dhe zgjatimet moderne të saj në veprat e Leo Straussit apo Hannah Arendtit. Praktikisht, rikthimi pajtohej në fakt me një realitet shumë më prozaik, atë të jetës politike ngushtësisht zyrtare, të tkurrur te gara e partive elektorale dhe të karakterizuar nga zhdukja progresive e dallimeve mes programeve dhe mënyrave të qeverisjes së partive në fjalë. Do të shfaqej atëherë një nocion, i cili do të imponohej përherë e më shumë për cilësimin e kësaj koniukture të re, ai i konsensusit: ideja e një politike të çliruar tashmë nga fantazmat e luftës së klasave dhe emancipimit të të shtypurve, dhe të kufizuar brenda suazave të menaxhimit të arsyeshëm të interesave të përbashkëta të komunitetit-menaxhim ky që bazohej te përcaktimi dhe vlerësimi realist i objektivave të arritshme dhe mjeteve të disponueshme, dhe që rezulton të jetë pothuaj përherë i njëjti, si për menaxhuesit e djathtë dhe për ata të majtë. Me mënjanimin e «arkaizmit» të luftës së klasave, menaxhimi dukej se mund të bëhej mishërimi vetë i idesë së politikës, ndërkohë që zbehja konsensuale e debatit njesohej me idenë e demokracisë. Rrënimi i bllokut komunist më 1989 bëri që kjo fitore e konsensusit në rrafshin kombëtar të dukej në pajtim me vizionin global të një bote të paqtuar ku demokracia kishte ngadhenjyer përfundimisht-vizion global që do të sintetizohej në librin e suksesshëm të Francis Fukuyamas Fundi i historisë dhe njeriu i mbramë. Në këtë libër, demokracia perëndimore trashëgonte privilegjin që dikur i pat’ qenë rezervuar revolucionit socialist atë të të qenit stadi i fundit i evolucionit historik të njerëzimit. Por, shumë shpejt, bazat e këtij optimizmi sintetik do të tronditeshin nga faktet. Shpresat e demokracive të sërishta në vendet e Lindjes europiane, të ushqyera me aq zjarr nga disidentet e viteve ’80, do të zbeheshin njëra pas tjetrës, paralelisht me konvertimin e rrufeshëm të aparateve burokratiko-komuniste të dikurshme në mafie ekonomiko-shtetërore; përsa i përket paqes botërore si pasojë e rënies së komunizmit, realiteti na serviri në fakt luftëra të reja mes kombeve, feve dhe racave, vargun e mundimshëm të proceseve të spastrimit etnik si dhe, në vazhdim të tyre, «luftërat humanitare», bashkë me format e reja të një policie botërore që mëtonte ta gjente justifikimin e vet te mbrojtja e të drejtave të viktimave. Dhe në vetë vendet që e quanin veten demokraci nisën të shfaqen me forcë dy dukuri fort të lidhura, me gjithë pamjen e tyre kontradiktore: nga njëra anë, konsensusi nënkuptonte në një masë të madhe indiferencën e qytetarëve ndaj tërë atyre procedurave demokratike që i shiteshin si model i detyrueshëm pjesës tjetër të botës. Pati kësisoj sociologë që nuk ngurruan ta përshkruanin si «fund të politikës» atë që filozofët e konsensusit e kremtonin pikërisht si «rikthim të politikes». Mirëpo, nga ana tjetër, paqja politiko-shoqërore aq e lëvduar tronditej qëndrueshëm nga një dukuri e çuditshme: nga acarimi i atyre pasioneve urryese që kujtoheshin të varrosura me kohë, dhe që kudo, por veçanërisht në Francë, kishin si tregues ngritjen e së djathtës ekstreme dhe raciste në rangun e një force politike madhore.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *