Libri i javes

LIBRI I JAVËS/LIBRI I QENIEVE IMAGJIANRE – JORGE LUIS BORGES

● PARATHËNIE

Siç e di gjithkush, në erudicionin e padobishëm e të ngeshëm fshihet një lloj kënaqësie e mefshtë. Përpilimi dhe përkthimi i këtij vëllimi na dha një kënaqësi të tillë; shpresojmë që lexuesi të ndajë me ne diç nga dëfrimi që ndjemë gjatë rrëmimit të rafteve të librave të miqve tanë dhe qilarëve labirintor të Biblioteca Nacional në kërkim autorësh të vjetër dhe referencash të errëta. Jemi orvatur të gjurmojmë lëndën në burimet origjinale dhe ta përkthejmë nga gjuhët origjinale – latinishtja mesjetare, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja dhe spanjishtja. Përmbledhjet e Lemprière-it, të Loeb-it dhe të Bohn-it, siç synojnë, dëshmuan se janë më të dobishmet përsa i përket klasikëve. Mosditja e gjuhëve orientale, na bën të miradijëshëm kundrejt veprave të burrave të tillë si Giles-i, Burton-i, Lane-i, Waley dhe Scholem-i. Botimi i këtij libri, që përmbante tetëdhjetedy zëra, u krye përsëpari në Meksikë, më 1957. Ai titullohej Manual de zoologi fantàstica (Doracak i zoologjisë fantastike). Botimi i dytë – El libro de los seres imaginarios – me tridhjetekatër zëra shtesë, doli në Buenos Aires, më 1967. Për këtë botim në anglisht kemi ndryshuar shumë prej zërave origjinalë, duke qortuar, shtuar apo rishikuar lëndën, madje kemi përpiluar nga e para edhe disa zëra të tjerë. Ky botim përmban 120 zëra. Falenderojmë për ndihmën e dhënë Marian Skedgell-in, të E. P. Dutton-it dhe José Edmundo Clemente-n, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Argjentinës.

Buenos Aires, 23 maj 1969

J.L.B. N.T. di G. 13

PARATHËNIE E BOTIMIT TË VITIT 1967

Titulli i këtij libri do të përligjte përfshirjen e princit Hamlet, të pikës, të vijës, të sipërfaqes, të hiperplaneve dhe hipervëllimeve – përmasore, të tërë termave të përgjithshëm dhe, ndofta, të secilit prej nesh dhe hyjnisë. Shkurt , shumën e tërë gjërave – universin. I jemi përmbajtur, gjithsesi, asaj që na ndërmendin saora fjalët ‘qenie imagjinare’; kemi përpiluar një doracak të krijesave të çuditshme të ngjizura nëpër kohë e hapësirë nga imagjinata njerëzore. Ne nuk e dimë domethënien e dragoit, ashtu siç nuk dimë as domethënien e universit, por çoç ka në shëmbëlltyrat e tij të kohëve dhe periudhave të ndryshme që i shkon për shtat imagjinatës. Një libër i këtij lloji është vetvetiu i paplotë; çdo botim I ri mbrun bazat për botime të ardhshme, të cilët, nga ana e tyre, mund të shumohen në pafundësi. Ftojmë lexuesit në Kolumbi apo Paraguaj të na dërgojnë emrat, përshkrimin e përpiktë, si dhe tiparet më të rëndësishme të përbindëshave të tyre lokalë. Sikundër se tërë përmbledhjet, si dhe vëllimet e pashterrshme të Robert Burton-it, Frazer-it, apo të Plinit, nuk është e thënë që Libri i qenieve imagjinare të lexohet me një frymë; përkundrazi, do të na këndej që lexuesi të thellohej kuturu ndër këto faqe, në po atë mënyrë që ndokush luan me gjedhet e ndryshueshme të kaleidoskopit. Burimet e kësaj përmbledhjeje janë të shumëfishta; ato kanë lënë mbresën e tyre në çdo pjesë. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pakujdesi të rastit.

Martínez, Shtator 1967

 J.L.B. M.G

PARATHËNIE E BOTIMIT TË VITIT 1957

Një fëmijë që çohet për të parën herë në kopështin zoologjik. Ky fëmijë mund të jetë secili prej nesh apo, thënë ndryshe, ne të gjithë kemi qenë ai fëmijë , por e kemi harruar. Në këtë kopësht – në këtë kopësht të tmerrshëm – fëmija sheh kafshë të gjalla, që s’i ka parë kurrë më parë; ai sheh jaguarë, huta, bizonë dhe – ç’është edhe më e çuditshme – gjirafa. Ai sheh për të parën herë larminë magjepsëse të mbretërisë shtazore dhe kjo shfaqje, që mund ta trondisë apo ta trembë, atij i pëlqen. Atij ia kënda që vajtja në kopshtin zoologjik është një prej ëndjeve të fëmijërisë. Si mund ta shpjegojmë këtë ngjarje të përditshme, po sërish misterioze?

Afërmendsh, mund ta mohojmë. Mund të hamendim se fëmija i shpënë papandehur në kopështin zoologjik do të bëhet, kur të vijë koha, neurotik, po e vërteta është se nuk ka fëmijë që të mos ketë vizituar qoftë dhe një herë kopështin zoologjik dhe nuk ka të rritur që të mos jetë neurotik. Mund të theksohet se të gjithë fëmijët, doemos, janë zbulues, dhe të zbulosh gamilen nuk është në vetvete më e çuditshme se sa të zbulosh një pasqyrë, ujët apo një shkallë. Mund të theksohet, gjithashtu, se fëmija u zë besë prindërve të tij, që e shpien tek ky vend që gëlon prej kafshëve. Përveç kësaj, tigri i tij lodër dhe vizatimet e tigrave në enciklopedi e kanë parapërgatitur për të kundruar, e fëmija pa ndjerë drojë, tigrin

prej mishi e ashti. Platoni (po të ish tashmë e ka parë tigrin në botën fillimore të arketipave dhe se grishur t’i bashkohej këtij kuvendimi) do të na thoshte se tani, tek e kundron, e njeh. Shopenhaueri (në mënyrë edhe fëmija e kundron më të mrekullueshme) do të na thoshte se tigrin pa drojë, ngase është i ndërgjegjshëm se ai vetë është gjithë tigrat apo, më saktë, se edhe ai edhe tigrat s’janë, veç se trajta të atij thelbi të vetëm, Vullnetit. Le të kalojmë tani nga kopështi zoologjik i realitetit tek kopështi zoologjik i mitologjive, tek kopështi zoologjik, banorët e të cilit nuk janë luanë, porse sfinksë, grifonë dhe kentaurë. Popullsia e këtij kopështi të dytë zoologjik me gjasë e kapton popullsinë e të parit, gjersa një përbindësh s’është asgjë më tepër se sa një bashkim i gjymtyrëve të qenieve reale, ndaj mundësitë e pleksjeve bëjnë fqinjëri me pafundësinë. Te kentauri janë bashkuar kali dhe njeriu; te Minotauri, demi dhe njeriu (Dantja e përfytyroi atë me fytyrë njeriu dhe trup demi); në këtë mënyrë duket se mund të përpunojmë një larmi të pafundme përbindëshash – bashkime të peshqve, zogjve dhe zvarranikëve; përmbahemi vetëm gjithsesi, nuk ka për të ngjarë; ne, falë Zotit, do t’i dështojmë nga mërzia apo ndohti. Kjo, përbindëshat tanë. Floberi përmblodhi në faqet e fundit të Tundimit të Shën Antuanit shumë përbindësha mesjetarë dhe klasikë, madje u orvat – kështu thonë shtjelluesit – të përftonte edhe ndoca të tjerë; shuma e tij totale është mbresëlënëse, por vetëm disa soje arrijnë të cysin përfytyrimet tona. Çdokush, duke shfletuar faqet e doracakut tonë, do të kuptojë saora se zoologjia e ëndërrave është shumë më e skamë se sa zoologjia e Krijuesit. Ne nuk e dimë domethënien e dragoit, ashtu siç nuk dimë as domethënien e universit, por çoç ka në shëmbëlltyrën e dragoit që ngashënjen imagjinatën njerëzore dhe, kësisoj, dragoin e hasim në vende dhe kohë të ndryshme. Ai është, nëse mund të shprehemi kështu, një përbindësh i nevojshëm, jo një përbindësh kalimtar, apo rastësor, ashtu sikundër se janë kimera me tri krerë apo katoblepasi. Sigurisht, jemi krejt të ndërgjegjshëm se ky libër, me gjasë i pari i këtij lloji, nuk shterron shumën tërësore të kafshëve imagjinare. Kemi rrëmuar në literaturën klasike dhe orientale, por e ndjejmë se subjekti ynë mund të vazhdojë përgjithnjë. Kemi lënë qëllimisht jashtë legjendat e shumta për njerëzit që shndërrohen në kafshë: lobisón-in, njeriun – ujk e kështu me radhë. Dëshirojmë të falenderojmë për ndihmën e dhënë Leonor Guerrero de Coppola-n, Alberto D’Aversa-n dhe Rafael López Pellegri-n.

Martínez, 29 Janar 1957

J.L.B. M.G


Shqipëroi: Azem Qazimi
Shtëpia botuese: Zenit Editions, 2005


© RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *