Art & Kulturë

LIBRI I JAVËS/GJENDJA NJERËZORE – HANNAH ARENDT

Prolog

 Në vitin 1957 u lëshua në gjithësi një objekt i lindur në tokë, i bërë nga njeriu, dhe për disa javë ai u rrotullua rreth tokës simbas të njëjtave ligje të rëndesës që rrotullojnë dhe mbajnë në lëvizje trupat qiellorë – diellin, hënën, yjet. Sateliti i bërë nga njeriu sigurisht nuk ishte hënë, yll apo trup qiellor që të vazhdonte rrugën e vet rrethore për një hark kohor që për ne, të vdekshmit e lidhur me kohën tokësore, zgjat nga përjetësia në përjetësi. Megjithatë, për njëfarë kohe ai mundi të qëndronte në qiell; ndenji e lëvizi në afërsi të trupave qiellorë si të ishte pranuar sa për provë në shoqërinë e tyre: sublime.

Kjo ngjarje, së cilës për nga rëndësia nuk ia kalon asnjë tjetër, as ndarja e atomit, do të ishte përshëndetur me gëzim të papërmbajtshëm po të mos kishte ndodhur në rrethana të pakëndshme ushtarake e politike. Për çudi, ky gëzim nuk qe ngadhënjyes; nuk qenë krenaria apo adhurimi për madhështinë e fuqisë dhe të mjeshtërisë njerëzore që mbushën zemrat e njerëzve, të cilët tani, kur ngrinin sytë nga toka drejt qiellit, mund të shquanin atje një send që e kishin bërë vetë. Reagimi i menjëhershëm, i shprehur nën nxitjen e çastit, ishte ndjenja e lehtësimit për “hapin e parë drejt arratisjes së njerëzve nga burgimi në tokë.” Dhe kjo deklaratë e çuditshme, që nuk mund ta quaje kurrsesi një lajthitje të rastit të ndonje reporteri amerikan, padashur i bënte jehonë një rreshti të jashtëzakonshëm, i cili më shumë se njëzet vjet më parë qe gdhendur në obeliskun e varrit të njërit prej shkencëtarëve të mëdhenj të Rusisë: “Njerëzimi nuk do të mbetet përjetë i lidhur me tokën.”  

Ndjenja të tilla kanë qenë të zakonshme për njëfarë kohe. Ato tregojnë se njerëzit kudo ku ndodhen nuk janë aspak të paaftë për të kapur menjëherë dhe për t’iu përshtatur zbulimeve shkencore dhe zhvillimeve teknologjike, por në të kundërt, kanë qenë më të shpejtë se to me dhjetëvjeçarë. Si në këtë aspekt, ashtu edhe në të tjerë shkenca ka realizuar e konfirmuar atë që njerëzit e kanë parapri me ëndrrat e tyre që nuk kanë qenë as të shfrenuara, as boshe. Risia qëndron vetëm tek fakti se një nga gazetat më të respektuara të këtij vendi më në fund nxori në faqen e parë se ç’po ndodh me atë çka dikur varrosej në letërsinë fantastiko-shkencore tejet të parespektuar (së cilës ende, për fat të keq, askush nuk po i kushton vëmendjen që meriton si një mjet për përcjelljen e ndjenjave dhe të dëshirave publikut të gjerë.) Banaliteti i njoftimit nuk duhet të na bëjë të anashkalojmë atë që në të vërtetë qe e jashtëzakonshme në të; sepse megjithëse të krishterët kanë folur për tokën si një luginë lotësh dhe filozofet e kane parë trupin e tyre si një burg të mendjes dhe të shpirtit, askush në historinë e njerëzimit nuk e ka konceptuar tokën si burg për trupat e njerëzve apo ka shfaqur ndonjë dëshirë të zjarrtë per të shkuar nga toka në hënë në kuptimin e vërtetë të fjalës. A duhet që emancipimi dhe shekullarizimi i epokës moderne, që filloi me një shmangie jodetyrimisht prej Perëndisë, por prej një perëndie që ishte Ati i njerëzve në qiell, të përfundojë me një mohim edhe më të frikshëm të një Toke që ka qenë Nëna e të gjitha krijesave të gjalla nën qiell?

Teksa ështe kuintesenca e mirëfillte e kushteve njerëzore dhe, me sa dimë ne, natyra tokësore mund të jetë e pashoqe në gjithësi per pajisjen e qenieve njerëzore me një habitat në të cilin ato mund të lëvizin e të marrin frymë pa mundim e pa artifical. Artifakti njerëzor e botës *(Bota e krijuar nga njeriu) ndan ekzistencën njerëzore nga i gjithë mjedisi thjesht shtazor por vetë jeta është jashtë botës artificiale dhe njeriu mbetet i lidhur me organizmat e tjera të gjalla nëpërmjet jetës. Ka kohë që një mori orvatjesh shkencore i janë futur punës për ta bërë artificiale edhe jetën”, për të prerë lidhjen e fundit përmes së cilës edhe njeriu u perket femijëve të natyrës. Është e njejta dëshirë per t’u arratisur nga burgu i tokës ajo që po shfaqet në përpjekjen për të krijuar jetën në provëz, për të përzier në mikroskop “plazmën e mikroorganizmit të ngrirë, të marrë nga njerëz që kanë treguar aftësi, me qëllim që të prodhohen qënie njerëzore të epërme” dhe të “modifikohet madhësia, forma dhe funksioni [i tyre]”, dhe gjithashtu dyshoj se dëshira për t’i shpëtuar gjendjes njerëzore thekson edhe shpresën për ta zgjatur jetën e njeriut përtej kufirit prej njëqind vjetësh.

Ky njeri i së ardhmes, për të cilin shkencëtarët thonë se do ta prodhojnë jo më vonë se mbas njëqind vjetësh, duket se do të jetë i pushtuar nga rebelimi ndaj ekzistencës njerëzore në formën që na eshtë dhënë, një dhuratë falas prej hiçit (duke folur me terma laike), të cilën ai dëshiron ta këmbejë, si të thuash, me diçka që e ka bërë vetë. Nuk ka arsye të vëmë në dyshim aftësitë tona për të arritur një këmbim të tillë, sikundër nuk kemi arsye të vëmë në dyshim aftësitë tona të tanishme për ta shkatërruar të gjithë jetën organike mbi tokë. Çështja është vetëm nëse duam t’i përdorim njohuritë tona shkencore e teknologjike të reja në këtë drejtim, edhe pse kjo çështje nuk mund te zgjidhet me mjete shkencore; ajo është çështje politike me rëndësi parësore dhe zor se vendimi do të mbetet në dorën e shkencëtarëve profesionistë apo te politikanëve profesionistë.

Megjithëse mundësi të tilla ende i perkasin një të ardhmeje të largët, pasojat e para prej bumerangu te ngadhënjimeve të mëdha të shkencës jane ndjerë në krizën brenda vetë shkencave të natyrës. Shqetësimi ka të bëjë me faktin se megjithëse “të vërtetat” e botëkuptimit shkencor modern mund të demonstrohen me formula matematike dhe të vërtetohen teknologjikisht, ato nuk do t’u përkasin më shprehjeve normale në të folur e në të menduar. Sapo keto “të vërteta të artikulohen konceptualisht e logjikisht, pohimet rezultuese ndoshta nuk do të jenë aq te pakuptimta sa rrethi trekëndor, por të fortë të tipit të “luanit me krahë” (Erëin Schrodinger). Ne ende nuk e dime nëse nje rezultat i tillë është përfundimtar. Por ka të ngjarë që ne, që jemi krijesa të lidhura me token dhe kemi filluar të veprojmë si të ishim banorë të gjithësisë, do të mbetemi përjetë të paaftë për të kuptuar, domethënë për të menduar e folur për gjëra që gjithsesi jemi të aftë t’i bëjmë. Në këtë rast do të ishte njësoj sikur truri ynë, që përbën kushtin fizik, material, për mendimet tona, të ishte i paaftë për të ndjekur atë çka bëjmë, kështu që prej sot e tutje do të na duheshin vërtet makina artificiale për të realizuar të menduarit dhe të folurit tonë. Sikur të dalë e vërtetë që dija (në kuptimin e sotëm: know-how) dhe mendimi janë ndarë një herë e mirë, atëherë ne do të bëheshim vërtet skllevër të pafuqishëm jo aq të makinave tona, sesa të aftësive tona teknologjike, krijesa pa mend nën mëshirën e çdo mjeti teknikisht të mundshëm, pavarësisht sesa vrastar mund të jetë ai.

Megjithatë, edhe pa këto pasoja të fundit, të cilat janë ende të pasigurta, situata e krijuar nga shkencëtarët është me rëndësi të madhe politike. Kudo ku rëndësia e fjalës është në rrezik, çështjet si rregull bëhen politike, sepse është fjala ajo që e bën njeriun qenie politike. Sikur të ndiqnim këshillën, që na është imponuar aq shpesh, për t’ua përshtatur qëndrimet tona kulturore gjendjes së tanishme të arritjeve shkencore, ne do të praktikonim përnjëmend një mënyrë të jetuari në të cilën ligjërata nuk do të kishte më kuptim. Sepse sot shkencat janë të detyruara të praktikojnë “një gjuhë” simbolesh matematike e cila, ndonëse fillimisht përdorej vetëm si shkurtesë për kumtet e folura, tani përmban thënie që kurrsesi nuk mund të përkthehen në fjalë. Arsyeja se pse do të ishte me vend të mos i zinim besë gjykimit politik të shkencëtarëve qua [si] shkencëtarë, nuk është kryesisht mungesa e “karakterit” tek ata – pra, pse nuk e kundërshtuan zhvillimin e armëve bërthamore – apo naiviteti i tyre – mbasi nuk arritën të kuptonin se sapo këto armë do të ndërtoheshin, ata do të ishin të fundit që do të pyeteshin për përdorimin e tyre – por pikërisht për faktin se ata ecin në një botë ku fjala e ka humbur fuqinë e vet. Dhe çfarëdo që njerëzit bëjnë, dinë apo përjetojnë, ka kuptim vetëm deri në atë shkallë sa mund të flitet për të. Mund të ketë të vërteta që qëndrojnë përtej të folurit, të cilat mund të jenë me rendesi të madhe për njeriun në numrin njëjës, domethënë për njeriun përsa kohë ai nuk është një qenie politike, por çfarëdolloj e tjeter qe mund të jetë. Njerëzit në shumës, domethënë njerëzit që jetojnë levizin e veprojnë në këtë botë, mund të përjetojnë kuptimshmëri vetëm sepse mund të bisedojnë e të kuptohen me shoku shokun e me vetveten.

Përpara syve tanë është një ngjarje tjetër jo më pak kërcënuese e ndoshta po aq vendimtare. Kjo është shfaqja e automatizmit, çka e pak dhjetëvjeçarë ka të ngjarë të zbrazë fabrikat dhe ta çlirojë njerëzimin nga barra e tij më e vjetër dhe më e natyrshme, barra e punës fizike dhe e të qenit i lidhur me nevojat jetësore. Edhe këtu edhe në rrezik një aspekt themelor i gjendjes njerëzore, edhe pse rebelimi ndaj saj, dëshira për t’u çliruar nga “mundi dhe telashi” i punës fizike nuk është i kohës së sotme, por i vjetër sa vetë historia. Të qenit i lirë nga puna fizike në vetvete nuk është diçka e re; dikur ajo ishte ndër privilegjet e rrënjosura më thellë të pakicës. Në lidhje me këtë duket sikur përparimi shkencor dhe zhvillimet teknologjike vetëm se kanë arritur diçka për të cilën të gjitha epokat e kaluara kane ëndërruar, po asnjëra nuk kishte mundur ta realizonte.

Mirëpo kjo vetëm në dukje është e tillë. Epoka moderne ka bartur me vete një përlëvdim teorik të punës fizike dhe ka bërë realitet shndërrimin e të gjithë shoqërisë në shoqëri të karakterizuar nga koncepti i punës fizike ose mundimit. Gjithsesi plotësimi i dëshirës, si plotësimi i dëshirave në përralla, vjen një çast dhe bëhet vetëshkatërrues. Është pikërisht një shoqëri punëtorësh që synon të çlirohet nga vargonjtë e punës së rëndë dhe kjo shoqëri nuk njeh më kurrfarë lloj veprimtarish të tjera më të larta e më të kuptimshme për hir të të cilave kjo liri do t’ia vlente të fitohej. Në këtë shoqëri, e cila eshte barazimtare sepse është në natyrën e punës fizike që t’i bejë njerëzit të jetojnë së bashku, nuk ka më ndonjë klasë të mbetur, ndonjë aristokraci të një natyre politike apo shpirtërore nga të cilat do te niste sërish një rimëkëmbje e aftësive të tjera të njeriut. Edhe presidentët, mbretërit dhe kryeministrat mendojnë për postet e tyre në kuptimin e një pune të nevojshme për të jetuar në shoqëri, kurse ndër intelektualët mund të gjesh vetëm pak individë vetmitarë që vrasin mendjen të dinë se ç’janë duke bërë në kuptimin e të punuarit dhe jo të sigurimit të jetesës. Ajo me të cilën ballafaqohemi perspektiva e një shoqërie punëtorësh të papunë, domethënë, vetmen veprimtari që u ka mbetur. Sigurisht, nuk ka ku të vejë më keq.

Ky libër nuk jep ndonjë përgjigje për këto shqetësime vramendje. Përgjigje të tilla jepen çdo ditë, ato janë çështje politikave praktike, varen nga miratimi i shumicës dhe asnjëherë nga konsideratat teorike apo opinioni i një njeriu, edhe sikur trajtonim këtu probleme për të cilat ka vetëm një zgjidhje. Ajo që parashtroj unë më poshtë është rishqyrtimi i gjendjes njerëzore nga pikëpamja e përvojave tona më të reja dhe e shqetësimeve tona të freskëta. Kjo, natyrisht, është çështje mendimi, mirëpo mungesa e mendimit-mendjelehtësia indiferente, pështjellimi i pashpresë apo përsëritja gjithë vetëkënaqësi e “të vërtetave” që janë bërë bajate e boshe më duken ndër karakteristikat më të dalluara të kohës sonë. Ndaj ajo që propozoj unë është shumë e thjeshtë: asgjë më shumë se të mendojmë se çfarë po bëjmë. 

“Çfarë po bëjmë” është madje tema qendrore e këtij libri. Ai trajton vetëm artikulimet më elementare të gjendjes njerëzore, pra ato veprimtari që tradicionalisht, por edhe simbas opinionit të sotëm, kanë të bëjnë me çdo qenie njerëzore. Për këtë arsye, por edhe për disa të tjera, veprimtaria më e lartë e ndoshta me e pastra për të cilen njerëzit janë të aftë, veprimtaria e të menduarit, ka mbetur jashtë refleksioneve të këtushme. Prandaj libri kufizohet sistematikisht në diskutime për punën fizike, të punuarit dhe të vepruarit, që formojnë tre kapitujt qendrorë. Në aspektin historik, në kreun e fundit trajtoj epokën moderne, kurse gjatë gjithë librit merrem me kategoritë e ndryshme brenda hierarkisë së veprimtarive, ashtu siç i njohim nga historia perëndimore.

Por epoka moderne nuk është e njëjta gjë me botën moderne. Shkencërisht epoka modeme nisi në shekullin e 17-të dhe mori fund te fillim të shekullit të 20-të: politikisht bota moderne, në të cilën jetojmë sot, ka lindur me shpërthimet e para atomike. Unë nuk diskutoj për këtë botë moderne në sfondin e së cilës është shkruar ky libër. Nga njëra anë, unë përqëndrohem në analizën e atyre aftësive te përgjithshme njerezore që burojnë nga gjendja njerëzore dhe janë të përhershme, domethënë, që nuk humbasin në mënyrë të pakthyeshme përsa kohë që vetë gjendja njerëzore nuk ka ndryshuar. Nga ana tjetër, qëllimi i analizës sime historike është të gjurmojë tëhuajsimin e botës moderne, fluturimin e saj të dyfishtë nga toka ne univers dhe nga bota tek uni, te zanafilla e saj, në mënyrë që të arrijmë në një kuptim për natyrën e shoqërisë siç është zhvilluar dhe si paraqitet ajo pikërisht në çastin kur e pllakosi ardhja e një epokeje të re, por ende të panjohur.


Shqipëroi: Stavri Pone
Shtëpia botuese: IPLS & Dita 2000 (2006)


©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *