Libri i javes

LIBRI I JAVËS/E PAFILOZOFUARA-HYSAMEDIN FERAJ

FILOZOFIA E PAFILOZOFUAR

“Si gjithmonë të menduarit me logjikë, më lodhte…. Vërtet, të menduarit me logjikë më dërmonte fare”.

 Bernardo Atxaga

Kjo është një hyrje në filozofinë e një filozofie të pafilozofuar: në filozofinë shqiptare. Dhe një kritikë “ideologjisë” shqiptare.

Gjendjes filozofike i duhet të ngërthejë një konstante. Jo vetëm studimet e hershme, por edhe studimet më moderne për shqiptarët, jo vetëm nga autorët shqiptarë por edhe joshqiptarë, e sidomos këta, e kanë ndonjë kapitull, së paku ndonjë syth, herë ironik e herë serioz, për rëndësinë që i japim dhe krenarinë që ndjejmë për prejardhjen ilire. Ndërkohë që do duhej me qenë

 shqetësimi ynë është pse kemi mbetur ilirë edhe sot,

në paaftësinë e bashkëpunimit me njëri – tjetrin, të coptuar si ilirët në shumë shtete, në njëfarë paaftësie për pushtime, në shpërfilljen ndaj shkrimit, dokumentimit, filozofimit, mendimit – ndër të tjera.

Studimi i filozofisë politike ilire është joshje dhe sfidë, sidomos një studim krahasues me filozofinë bashkëkohëse antike greke, sepse dy popujt ishin fqinjë, e megjithatë shumë të ndryshëm. Ky fakt bëhet më intrigues nga dijenia se Athena pushtoi Marsin romak kur ky e pushtoi ushtarakisht Heladen, dhe më vonë, e – thëna filozofike greke e pushtoi gjithe Perëndimin si themeli i atëhershëm i mendimit të sotëm të tij.

Hamendësimet pse Ethëna nuk arriti të pushtojë Thot-in, domethënë Ilirikun fqinjë, janë sfiduese: nga paaftësia e ilirëve për t’u “asimiluar”, në kuptimin që ata të “asimilonin” filozofinë e stërholluar greke? Sepse ilirët ishin pak të përparuar në mendim, nëse me këtë kuptohet ecja kah mendimi i sotëm politik? Apo sepse mendimi ilir ishte më i përparuar? Dhe se ishte më tepër mbështetës i demokracisë përkundër mendimit helen?

Faktet mbështesin dy hamendësimet e fundit: filozofia politike ilire ka qenë, më afër mendimit të sotëm filozofik dhe politik perëndimor, dhe më demokratik, në kuptimin e atëhershëm e të sotëm të termit dhe të praktikave. Siç e dëshmojnë së paku dy praktika faktike: së pari, përkundër praktikave në qytet-shtetet helene, mbretërit ilirë kishin kryesisht funksione honorifike, të ngjashme me presidentët e sotëm në republikat parlamentare, ndërkohë që vendimet kryesore u takonin kuvendeve; së dyti, gratë gëzonin të drejta të plota qytetarie, deri edhe të drejtën e mbretërimit[1], çka autorët antikë grek e njoftojnë për ne sot, me përçmim sepse në mendimin filozofik dhe praktikat e atëhershme greke, gratë nuk kishin të drejta qytetarie.

Krahasimi ndërmjet filozofisë antike ilire dhe greke po ecë kështu mirë e bukur sikur të mos ishim duke krahasuar praktikat ilire me filozofinë greke, dhe jo filozofinë me filozofinë sepse nuk dihet që ilirët të kenë filozofi të filozofuar. Thjesht fakt janë pohimet, edhe ato nga autorë grekë e romakë, kishin të drejta të plota qytetarie etj., por asnjë argumentim, se jeta shoqërore e politike ilire ishin demokratike, se gratë asnjë mendim, asnjë filozofim ilir lidhur me këto praktika. Mirëpo, pa pasur argumentimin e asaj kohe, filozofimin ilir të asaj kohe, bëhet i pamundur edhe filozofimi për atë kohë.

E, nëse jetesa sipas praktikash të pafilozofuara dëshmohet si karakteristikë ilirie, atëherë shqiptarët vërtetë trashëgimtarët e tyre: në shekuj

 si fakt në botë, por pa mendim

të përthithur në praktika që merren të vetkuptueshme, pa nevojën e mendimit për to. Prandaj nuk dihet që në këto troje të jetë krijuar ndonjë traktat filozofie.

 E, në qoftë se ka diçka ilirie tek shqiptarët, ngurtësi nëpër shekuj deri sot, është kjo marrëdhënie e keqe me filozofinë, me teorinë dhe me mendimin. Edhe sot, sapo dikush fillon ta thellojë paksa argumentin e vet teorikisht, bashkëbiseduesi ka shumë të ngjarë ta ndërpres, si leximin e këtij libri: “ou, ç’më çanë kokën me filozofi!”. Ose të shprehet përçmueshëm për dikë të cilin nuk e ndërpret se ai/ajo: “filozofon shumë”, “të mërzit me filozofi” , “e mban veten për filozof të madh”, etj. Vështirë të gjendet ndonjë popull me më shumë shprehje përçmuese për filozofinë.

Përçmimi për filozofinë

duket një tipar i përhershëm, konstant dhe i vijueshëm te shqiptarët, sido të jenë quajtur në shekuj.

Këtë marrëdhënie të keqe me filozofinë e kishte vënë re rreth dy shekuj më parë Jakob Ph. Fallmerayer, i cili kishte udhëtuar në këto vise për të njohur popuj e kultura: “Shqiptarët, aty ku mund të shfaqen , gjithnjë në mënyrë natyrore… janë artizanë, lundërtarë dhe ndërtues të shkathët…, të cilët nuk duhet të humbasin veten në ide të përgjithshme, me çështje ndjenjash, me mençuri esnafi dhe me teori filozofike të lumturimit të botës”[2] 200 vjet para tij dhe katër shekuj para sot, të njëjtën gjë e kishin konstatuar priftërinjtë shqiptarë e joshqiptarë në Shqipëri:”…. kurr nuk kanë pa si shkojnë punët e botës; nuk kanë njohuni as historish, as popujsh, as vendesh, as shkencash, as shkrimesh, as gjanash të bukura, as stolisjesh, as qytetesh, as mjeshtrash, as lundrimi me një fjalë të vetme, nuk kanë njohuni për gja të madhnueshme…”.[3] Ose: “… unë kam prekë me dorë edhe se spekulativa e thjeshtë asht e pafryt n’ato anë. Dhe me të vërtetë shihen disa nxanës, që këtu numërohen se janë theologë, me ndonjë shpresë dhe dalin pa dobi në vend sepse janë të stërvitun me abstraksione e formalitete dhe dalin të pa-aftë për veprim”[4]. Por, shpërfillja ndaj ideve për lumturimin e botës, gjërave “të madhërishme”, “ideve të përgjithshme “dhe” abstrakte”, domethënë ndaj filozofisë si veprimtari e mendjes për to, nuk i ka lënë pa asnjë lidhje me filozofinë, sepse lidhja është ruajtur në fytyrën e saj të keqe: në hakmarrjen e filozofisë ndaj shqiptarëve përçmues. Po të përdoret një shprehje e Engelsit, përçmimi

tanimë është pasuar nga hakmarrja e filozofisë

 ndaj shqiptarëve, siç i kishte paralajmëruar ai shkencëtarët empiricistë që përçmonin teorinë dhe filozofinë.[5] Engels ka qenë një ndër filozofët zyrtar gjatë socializmit shqiptar, por të filozofuarit shqiptar u dëmtua më së shumti pikërisht atëherë. Filozofia tanimë në shekuj është hakmarrë rëndshëm ndaj shqiptarëve, mirëpo as nuk e dinë, as nuk duan ta dinë këtë. E kështu, si dëshmi përçmimi, që kur u nis të shkruhet, në këto hapësira nuk gjendet ndonjë libër filozofie me autor ilir dhe as shqiptar, veç mijëra vite më vonë, ndonjë përpjekje në këto vite të vona.

Ndaj edhe sot, filozofimi i filozofisë politike shqiptare detyrohet ta gjejë filozofinë të mbështjellë në ndonjë fushë tjetër, ta nxjerrë copë-copë prej andej e t’i japë ndonjë koherencë, që pastaj t’i bëjë ndonjë shqyrtim kritik.

Historiografia

është disiplina e parë nga mund të nxirret copë-copë njëfarë mendimi filozofik shqiptar.

Veçanërisht në regjimin socialist, sajë lidhjes me pushtetin, historiografia ka luajtur gjerësisht rolin e filozofisë: si tregim i madh (metanarracion), i një identiteti, i shtrirë në shekuj, e ka ndikuar dhe krijuar vetëkuptimin e popullit të cilin e përshkruante, në këtë rast, të popullit shqiptar. Shqiptarët janë paraqitur si një entitet me vijimësi nga ilirët e deri sot, me fjalë të tjera, si një entitet mijëravjeçar. Më pas historiografia ka formuluar përgjigje për vendin e shqiptarëve në histori dhe në botë përgjatë mijëvjeçarëve. Prandaj,

 si surrogat i filozofisë së mirëfilltë

ka marrë rolin e një metafizike të tregimeve të mëdha për vendin e njeriut e të popujve në histori dhe në botë, pra rolin e një filozofie, metafizike dhe ontologjie.

Si e tillë e detyron kritikën e mendimit filozofik dhe ideologjik shqiptar t’i drejtohet mendimit historiografik, dhe kur të flitet për mendim filozofik të shqiptarëve, në radhë të parë të flitet për mendimin e krijuar nga historiografia si zëvendësuese e dobët e filozofisë. Si surrogat që

 shuan subjektin

 vetëreflektues që mendon, që pyet për veten, botën dhe historinë. Mirëpo nga shqiptarët janë formuluar shumë pyetje themelore:

Tani shqiptarët pyesin veten shpesh: pse jemi populli më i prapambetur në Europë? Dhe historianët përgjigjen se: kemi qenë për shekuj nën sundim. Por, kjo është pyetja: pse kemi qenë në shekuj nën sundim dhe nuk kemi sunduar në shekuj? Përgjigja e historianëve është: kemi qenë popull i vogël. Por, kjo është pyetja: pse u bëmë popull i vogël nëse jemi vijues të ilirëve që ishin popull i madh? Dhe historianët përgjigjen: pushtuesit e radhës, qofshin romakët, bizantinët, sllavët ose osmanët, na pushtuan sepse ishin të fuqishëm. Por kjo është pyetja: pse nuk ishim ne të fuqishëm dhe t’i pushtonim Romën, ose Bizantin, ose Perandorinë Osmane? Shqiptarët pyesin: si arritën të na pushtojnë e copëtojnë edhe popuj të vegjël si serbët, grekët, e madje malazezët? Dhe historianët përgjigjen: sepse ata kishin, ndërsa ne nuk kishim aleat ndonjë Fuqi të Madhe. Por kjo është pyetja: pse nuk ishim ne Fuqi e tillë që të tjerët të na kërkonin si aleat?

Tani shqiptarët bëjnë edhe nënpyetje: pse nuk kemi vepra të shkruara në shqip për fusha të ndryshme? Dhe historianët përgjigjen: pushtuesit na ndaluan të shkruajmë në shqip. Por kjo është vetëm pyetja: pse na e ndaluan ata ne, dhe jo ne atyre? E, shqiptarët pyesin: si nuk po arrijmë të krijojmë një shtet e shoqëri të fortë dhe efiçiente as sot? Dhe historianët përgjigjen: se nuk na lejoi pushtimi i gjatë osman. E prapë kjo është vetëm pyetja dhe jo përgjigjja. Madje tani për çdo pyetje themelore dhe reflektuese të shqiptarëve, përgjigjja është e gatshme: na e ka shkaktuar pushtimi i gjatë osman!

Prandaj duket se grupi social që ka përfituar më së shumti nga pushtimi osman janë historianët shqiptarë. Për çdo pyetje e kanë përgjigjen të gatshme, pa nevojën për të menduar: na ka lënë prapa Perandoria Osmane dhe fajin e ka pushtimi i gjatë osman.

Këto përgjigje, të cilat janë më tepër pyetje, kanë arritur që nëpërmjet sistemit të socializimit dhe veçanërisht arsimimit, të bëhen mendim popullor që përshkon, si i gatshëm, që nga shkrimtarët më të shquar deri tek fshatarët më të palexuar. Pyetja e marrë si përgjigje është bërë doksë. A nuk është në natyrën e mendimit që kthehet në opinion të shpëtojë nga çdo tundim reflektimi?

Mirëpo, me këto përgjigje themeluese, pra gati filozofike, modusi i shkrimit të historianëve shqiptarë e doksa popullore,

 mbyt pyetjet

dhe Perandoria Osmane i ka liruar nga barra e rëndë e mendimit dhe veprimit reflektues duke ua lehtësuar maksimalisht përgjigjet për veten: gjithçka shpjegohet, legjitimohet dhe vijohet me pushtimin e gjatë osman! Këto përgjigje, që mbeten pyetje, si në funksionin e tyre shpjegues, ashtu edhe atë legjitimues, e shohin çdo mundësi aktive jashtë shqiptarëve, dhe gjithçka shqiptare vetëm si mundësi pasive apo pësore.

Historia jonë na kthen në popull johistorik

sepse me përgjigjet ndaj pyetjeve themelore të shqiptarëve për veten ka themeluar një filozofi të vetëkuptimit si popull johistorik. Ironia e madhe është se, si historianët, si popullsia vetë përbën një entitet që as nuk e di se e merr veten për popull johistorik, dhe madje ngul këmbë se është popull i lashtë historik!

Ky keqkuptim vjen nga se, në njërën anë, të qenët historik të njeriut e të popujve e ka barazuar me të qenët i vjetër në kohën kronologjike, në vite e shekuj. Kështu, në mënyrë tipike shqiptare, thjesht dhe pa kuptuar, nga besimi se shqiptarët vijnë prej ilirëve ose pellazgëve, ka nxjerrë përfundimin se është populli më i vjetër në Europë, dhe përfundimin, pra, se është popull historik![6]

Dhe, në anën tjetër, vetë krijuesit e këtij mendimi, teoricienët e tij shqiptarë, nuk janë marrë asnjëherë me filozofinë e konceptit “popuj historikë”, siç nuk janë marrë as me ndonjë filozofi tjetër të mirëfilltë, meqenëse filozofia për ta ka mbetur gjithnjë e huaj, e largët, e pakapshme dhe… e padëshirueshme!

Kështu, pothuajse në fund të jetës së tij, në moshën 90 vjeçare, me çështjen e popujve historikë dhe johistorikë në lidhje me shqiptarët është marrë, ashtu siç pritej, shkarazi, Kristo Frashëri, një nga etërit e historiografisë socialiste shqiptare. Por duket qartë se Frashëri nuk e di për çka është fjala në filozofi kur flitet për popuj historikë dhe popuj johistorikë. Ai qorton një drejtim të historiografisë gjermane që, sipas tij, vjen nga shkolla (ideologjia) prusiane e vlerësimit të popujve historike dhe përbuzjes së popujve johistorike, dhe që gjen shprehjen e vet të përbuzjes ndaj shqiptarëve tek Geroge Stadtmüller, Franz Babinger, e arrin deri tek Oliver Schmitt në ditët tona.[7] Por as Frashëri nuk sjell asnjë kritikë, asnjë argument për ose kunder koncepteve “popuj historike dhe” popuj johistorike”, dhe veç emocioneve të veta personale nuk jep as një argument të vetëm që të provojë se shqiptarët hyjnë në klasën e popujve historikë. Përkundrazi, në vijim të paqartësisë së tij konceptuale dhe filozofike, Frashëri, tanimë në moshë të përparuar, e paraqet përmbledhtas përvojën dhe argumentin e vet si historian i, se shqiptarët nuk janë popull historik, duke iu bashkuar kështu , pa dijen e tij, “ideologjisë prusiane”. Sipas Frashërit: “Dihet se historia shqiptare është histori e një populli vazhdimisht të shtypur, e një populli që ka luftuar vazhdimisht për mbijetesë, që nuk ka bërë kurrë agresione ndaj të tjerëve, që në të kaluarën nuk ka patur kurrë përkrahje nga Fuqitë e Mëdha”. [8]

Nuk ka si të paraqiten më përmbledhtas karakteristikat e një populli që klasifikohet nën konceptin e “popujve johistorikë”, sesa në këtë përshkrim prej tij të karakteristikave të përgjithësuara të popullit shqiptar. Ai madje lavdëron për objektivitet historianë gjermanë si Johan George von Hahn dhe J. Ph. Fallmerayer[9]. Por edhe Fallmerayer është i mendimit se: “Albanezët, arbanitët ose shqiptarët nuk janë një popull me kulturë, nuk kanë literaturë kombëtare…; në fushën shpirtërore gjatë një mijëvjeçari të ekzistencës së vetëdijshme nuk kanë dhënë as gjënë më të vogël…“[10]. Shprehjet “nuk janë një popull me kulturë”, “në fushën shpirtërore gjatë një mijëvjeçari nuk kanë dhënë as gjënë më të vogël” njerëzimit, etj., janë përshkrim i qartë i “popujve johistorikë” siç e implikon koncepti. Por, Kristo Frashëri, për shkak të njohjes së mangët të filozofisë, ndonëse deklarohet kundër ndarjes së popujve në historikë dhe johistorikë, e lavdëron Fallmerayer-in sepse, nuk njeh konceptet dhe filozofinë e “popujve historikë” dhe “popujve johistorikë”.

Gjithsesi, shprehja më koncize, nuk ka si bëhet më filozofike, e vetkonceptimit themelor të vetes si popull johistorik është

në shprehjen “kështu na erdhi historia”,

si fatalitet, ndaj të cilit veprimi dhe aktiviteti njerëzor nuk mundet të bëjë asgjë. Sepse në kuptimin më të thjeshtë, një popull është johistorik në qoftë se e ka bërë historia dhe nuk e ka bërë historinë. Saktësisht si e thotë shprehja jonë shprehje tanimë e kthyer në vetëkuptim akademik dhe popullor:

Kështu, kombinimi i historianit dhe politikanit shqiptar prof . Paskal Milo, e përdor shprehjen si të vetëkuptueshme kur përgjigjet ndaj vërejtjes se, p.sh. anëtarësimi në NATO i Shqipërisë pa Kosovën nuk e ka domethënien e anëtarësimit të shqiptarëve si komb. Ai përgjigjet: “Historia kështu erdhi…!” [11]. Këtë ndjenjë dhe vetëkuptim pafuqie përballë historisë e shpreh edhe ish-presidenti Alfred Moisiu: “Shqiptarët janë krahasimisht një popull i vogël. Të ndarë pjesë pjesë në shtetet ballkanike, jo më shumë se gjysma e tyre brenda shtetit shqiptar, Shqipërisë shtetërore, apo Shqipërisë londineze, sikurse e quan një pjesë e shtypit ballkanik, ata nuk kanë pasur më shumë mundësi të promovojnë vlerat e identitetit të tyre historik-kulturor” [12]. Kjo filozofi që përshkon popullsinë, akademikët dhe politikanët është përmbledhur në mënyrë koncize nga kryeministri Berisha: “As edhe një komb tjetër në Evropë nuk ka patur të shkuar më të vështirë, më dramatike dhe të dhimbshme, se sa kombi shqiptar. Historia, në të shkuarën madje edhe të afërt të saj, u soll si një njerkë e pamëshirshme ndaj nesh. Ajo na rezervoi ne, shqiptarëve, pushtime të gjata, spastrime çnjerëzore, copëtime të mëdha, racizma primitivë, ksenofobira të egra, diktatura orvelliane. Ajo na rrëmbeu toka dhe territore, pasuri, mori qindra e mijëra jetë njerëzish, por më keq akoma na vrau kohën, na grabiti të ardhmen. Mirëpo ne jo vetëm mbijetuam, por edhe fituam, arritëm të mbruajmë vokacionin perëndimor, identitetin tonë kombëtar” [13].

Shprehja “kështu na erdhi historia” është përmbledhja e gjithë karakteristikave të tjera vetëkuptuese të shqiptarëve si popull: i shpjegimit ndaj ankesave pse jemi keq, i legjitimimit të gjendjes pse jemi keq, i krenarisë se “kemi arritur të ruajmë ekzistencën”. Por, ndonëse vetëkuptim themelues filozofik, me funksion “shpjegues” dhe “legjitimues”, as nuk shpjegon, pasi nuk jep përgjigje në pyetjet më të thella, dhe as nuk legjitimon , pasi fataliteti e zhbën mundësinë e (de) legjitimimit, i cili merr kuptim vetëm në sfondin e lirisë.

Gjithësesi, e formuluar në historiografi, shprehja është thellësisht filozofike, sepse është një zgjidhje (dhe një zgjedhje) e marrëdhënieve ndërmjet objektit dhe subjektit, natyrës dhe njeriut, të dhënës dhe vullnetit, heteronomisë dhe autonomisë, determinizmit dhe lirisë, përshtatjes dhe krijimit, popullit dhe historisë së tij, etj. Është filozofike themelore, sepse në mbështetje të “kështu na erdhi historia” janë formuluar shprehje të tjera, në vete jo më pak “filozofike”, sepse janë po ashtu përgjithësime gati të përjetshme, dhe po ashtu të kthyera në doksë popullore:

o popull i vogël, gjithnjë përballë pushtuesish të fuqishëm;

o gjithnjë përballë pushtuesish të fuqishëm

o pa pasur asnjëherë aleat ndonjë Fuqi të Madhe;

o arriti të ruajë ekzistencën;

o pa bërë kurrë luftëra pushtuese;

o gjithnjë të pushtuar nga të tjerët.

Të identifikuara dhe të renditura në koherencën e tyre si “filozofi” që shemb një popull në pafuqinë e tij, tani mund të shihen në implikimet që kanë nga kontekste të ndryshme filozofike dhe të zbulohet e të formulohet filozofikisht filozofia mbisunduese shqiptare. (Duke u zbuluar trishtë edhe një dështim: në përpjekjet përçmuese për t’i ikur filozofisë kanë dështuar te mbeten pa filozofinë e tyre teksa i kanë ikur vetëm filozofimit të vetëdijshëm).

Formulimi dhe pyetësimi filozofikifilozofisë së pafilozofuar shqiptare ofrohet si mundësi të vendosin: të ruajnë filozofinë (mosfilozofimin) dhe vetëkuptimin e deritashëm bashkë me rrjedhojat që kanë pasur deri tani, apo të ndryshojnë së pari filozofinë e vet, e bashkë me të edhe mënyrën e qenësimit të vet. Por tanimë vetëdijshëm, domethënë si qenie që di (Bewusste – Sein), vetreflektuese dhe e lirë. Ftesë për të menduar, për ta jetuar filozofinë dhe, mbi të gjitha, për të jetuar filozofikisht.


[1] Ndër to p.sh., Olympia, Deideameia, Teuta, etj.

[2] Fallmerayer, J.Ph.: Das albanesische element in Griechenland, në: Autoktonia e shqiptarëve – në studimet gjermane, “8 Nëntori” 1990, £121 (nënvizimet e mia)

[3] Zamputi: Relacione…, Fra Kerubini, 27 mars 1638, dok 28-11: 115 (nënvizimet e mia)

[4] Zamputi: Relacione…, misionari, Françesk Leonardi, vjeti 1638, dok 33-11-189 (nënvizimet e mia)

[5] F. Engels: Dialektika e natyrës, “8 Nëntori” 1981, f.54.

[6] Dihet se nocionit “popull historik” i është bashkëngjitur edhe një konotacion pozitiv emocional dhe vleror. Po të ishte çështje vitesh e shekujsh atëherë krokodili do të duhej të ishte më krenari sepse vjen drejt e nga dinosaurët. Pra shumë para shqiptarëve. Madje çdo qenie e gjallë që është ende, është që nga fillimi. Po të ishte ndërprerë vijimësia gjenetike, qenia individuale e gjallë nuk do të ishte; por ajo është sepse vijimi i jetës ka kaluar nga një individ te tjetri, pa ndërprerje.

[7] Frashëri, K.: Skënderbeu i shpërfytyruar, DUDAJ, 2009, ff. 57-60; (nënvizimet mia)

[8] Po aty, f. 60

[9] Po aty

[10] Fallmerayer, J.Ph.: Das albanesische element in Griechenland, në: Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, “8 Nëntori” 1990, f. 120-21

[11] Në emisionin “Opinion” të transmetuar nga TV Klan, dt.15.01.2009

[12] Moisiu, Alfred: Fjala e presidentit Moisiu në forumin e Oxfordit, (nënvizimet e mia)

[13] Berisha, Sali: Fjala në Kuvendin Kosovës, 6 tetor 2009, në: RD, 7 tetor 2009, f.8: (nënvizimet e mia).


Autori: Hysamedin Feraj

Shtëpia Botuese: Zenit, 2011


©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *