KryesoreLibri i javes

LIBRI I JAVËS/BISEDË PËRMES HEKURASH – ISMAIL KADARE, UKSHIN HOTI

PARATHËNIE

Ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit. Pas dërgimit të një serie letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe ministrave të punëve të jashtme të vendeve kryesore perëndimore (bëhej fjalë për një ish-kolegun e tyre të rënë në fatkeqësi), u mendua se një libër në trajtë dialogu, i botuar në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht, do të ishte më efikas për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.

Ishte mesi i vitit 1997. Shqipëria porsa kishte dalë nga një dramë e shëmtuar vetëvrasëse, në Kosovë retë e zeza dendësoheshin çdo ditë. Më tepër se kurrë, ndihej nevoja e prijësve shqiptarë. Ndërkaq, Ukshin Hoti, njeriu që aq fort i duhej Kosovës, gjendej i lidhur me hekura.

Ky libër, pra, u mendua si një thyerje e këtyre hekurave. Roli i tij do të ishte i trefishtë: shpallja botërisht e pikëpamjeve të Ukshin Hotit, ato që e kishin çuar në burg, njohja nëpërmjet tyre e krejt dramës kosovare, lirimi i liderit. Dialogu me një të burgosur, gjë e mundur në çdo shtet demokratik, ishte i pamundur në një vend politikisht barbar si Serbia. Ndaj u mendua si një dialog i tërthortë, i një mendësuar përmes pyetjeve të dërguara me shkrim. Ishte e natyrshme që ky aksion të shoqërohej nga ankthi i vazhdueshëm: do të arrinin dot pyetjet të futeshin në burg? Do të arrinin dot përgjigjet të dilnin?

Falë rrethanave dhe njerëzve të guximshëm, gjysma e parë e mrekullisë ndodhi: pyetjet arritën tek i burgosuri. Pas kësaj e pabesueshmja po ndodhte: përgjigjet nisën të dilnin.

E gjithë kjo kërkoi një kohë tepër të gjatë. Një ngadalësi makthi diktonte ritmin e kësaj torture. Një si perde mjegulle rrinte mbi gjithçka. Duke e lexuar librin, lexuesi do ta ndiejë gjithmonë këtë mjegull. Pyetjet dhe përgjigjet shpesh nuk përkojnë. Aty-këtu ka zbrazësi. Nuk teprohet po të thuhet se libri ngjan herë-herë si i bombarduar. Shpjegimi është fare i thjeshtë: Ukshin Hoti i ka pasur pyetjet vetëm pak kohë (me sa duket, dy a tri orë) kështu që përgjigjet, të cilat me aq mund nisi t’i shkruante, i ka hartuar sipas kujtesës. Në botimin e librit është respektuar ky vizion i të burgosurit: pyetjet janë vënë bashkë, ashtu siç i ka lexuar ai, në atë ditë befasuese kur i ranë në dorë, dhe përgjigjet janë grumbulluar bashkë, ashtu siç i hartoi pastaj në ditët e zymta të burgimit.

Në kohën kur ky libër po përgatitej me ngut, edhe më ngutshëm, përpara gjithë botës, po shpalo sej tragjedia e Kosovës. Krimi serb po afishohej përherë e më mizorisht e pa maskë. Një ndër tri sy nimet kryesore të këtij dialogu: lirimi i Ukshin Hotit, ai që pritej të kryhej falë këtij libri, kishte rrezik të dëmtohej pikërisht prej tij. Kjo ishte nyja tragjike që i mbajti ca kohë peng autorin e këtyre radhëve bashkë me njerëzit e afërm të Ukshin Hotit. Të egërsuar prej librit, kriminelët e Beogradit mund të shpejtonin zhdukjen e martirit.

Afati i lirimit të Ukshin Hotit (lirim pak i be sueshëm në kushte të tilla) nuk ishte larg megjithatë. Ndërkaq, rrokullisja e ngjarjeve ishte e tillë , që fati i Ukshin Hotit u plazmua e u bë njësh me fatin e krejt Kosovës, çka u ndodh vetëm liderëve martirë. Filloi bombardimi i Serbisë, e bashkë me të, i Kosovës. Populli shqiptar, i ndërgjegjshëm se çmimin e lirisë do ta paguante tepër shtrenjtë, pranoi flijimin si rrallëkush në kronikën e njerëzimit. Dramën e përjetuan të gjithë, por dyfish, dhjetëfish, e përjetuan ata që ishin lidhur në pranga në burgjet serbe. E ndër ta ishte Ukshin Hoti. Si në një epilog biblik, fati i tij u zhvendos në të tjera sfera, për të mbetur gjer më sot në mjegull të plotë.

Lexo më shumë  Votimi në veri, Qeveria i kërkon BE-së largimin e masave sanksionuese

Askush ende nuk e di ç’ka ndodhur me Ukshin Hotin. Nuk e dimë nëse është apo nuk është më në këtë botë. Burgu i Dubravës, ku mendohet se ka qenë për herë të fundit, u bombardua prej NATO-s. Thuhet se më 16 maj, një ditë para mbarimit të afatit të burgut, u nxorr andej, i shoqëruar nga dy përcjellës, për t’u çuar në drejtim të panjohur. Thuhen gjëra të tjera të pavërtetuara nga askush.

Ky dialog, që qysh në krye u quajt natyrshëm “mes hekurash” u bë edhe më dramatik. Tani ai ka midis jo vetëm hekurat, por edhe mjegullën e dendur të së panjohurës e ndoshta të mosqenies.

Këtë pranverë, populli i Kosovës vazhdon të kërkojë njerëzit e vet të rrëmbyer nga barbarët pas ikjes nga Kosova. Ishte akti i fundit i historisë së tyre të zezë. Emrat e Flora Brovinës, Albin Kurtit, emrat e mijëra të tjerëve, një pjesë të pranguar e një pjesë të zhdukur, nuk mund të lënë të qetë ndërgjegjen e Europës.

Ukshin Hoti ndodhet tani në larginë. Le të shpresojmë që ai të jetë ende në botën e të gjallëve. Megjithatë, çfarëdo qoftë trajta e tij trupore, guri ku mbështet kryet, ose mbulesa sipër tij, shpirti i tij, është i paprekur. Ai shpirt i lirë ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat e në letrat e tij. E mbi të gjitha, ai shtillet i plotë e ngadhënjyes në lirinë e Kosovës.

ISMAIL KADARE Tiranë, prill 2000.


NJË NJOFTIM I SHKURTËR MBI UKSHIN HOTIN

Ukshin Hoti u lind më 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore (tetë vjet) e mbaroi në katundin e tij, ndërsa Shkollën Normale (pesë vjet) e kreu në Prizren dhe në Prishtinë. Më pas i vazhdoi studimet në Zagreb, në Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ato pasuniversitare në Beograd, drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare. Pasi jep dorëheqje nga posti i ministrit të Jashtëm të Kosovës, shkon në SHBA, për t’u specializuar në universitetin e Çikagos, të Harvardit, në Kembrixh-Boston dhe në Uashington D.C.

Që nga fillimi i viteve ’70 e gjer në rënien e tij në burg, më 1981, ka ushtruar disa funksione me peshë të veçantë politike e arsimore. Ka qenë anëtar i të gjitha forumeve federale të Jugosllavisë që merreshin me politikë ndërkombëtare. Në Kosovë, përveç funksioneve politike që kryente, ishte edhe ligjërues në Fakultetin Juridik e Sociologjik. Ishte i pari politikan që vuri themelet e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me SHBA-në, me Shqipërinë e me vende të tjera perëndimore. Në vitin 1981, ishte i vetmi që e përkrahu hapur Republikën e Kosovës (ishte kjo kërkesë e rinisë studentore), edhe si politikan, edhe si intelektual. Qëndrimi i tij kombëtar e demokratik në vitin 1981 ishte një shembull i papërsëritshëm për proceset demokratike në hapësirën e Europës Lindore komuniste. Në atë kohë, Kosova bashkë me Poloninë filluan të lëviznin drejt dritës, drejt një të ardhmeje të natyrshme demokratike, që u takonte edhe popujve të kësaj pjese të Europës. Por shteti komunist jugosllav, me ndihmën e pakursyer të ish-establishmentit të atë hershëm të Kosovës (pjesa dërrmuese e tyre ishin shqiptarë), nuk ngurroi ta dënonte Ukshin Hotin me nëntë vite burg. Pas daljes nga burgu shteti komunist e izolon plotësisht. Ndonëse ishte i braktisur prej të gjithëve, sulmi ndaj tij filloi edhe në pikën më të ndje shme të njeriut. I shkatërrojnë pa mëshirë familjen. Natyrisht, ky ishte një mësim i kursit të famshëm dhe të pashembullt të shtetit të kuq sllav ku nuk mungonin as shqiptarët e mjerë.

Lexo më shumë  Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen

I lodhur, më 1990, Ukshin Hoti vendos të shkojë në Lubjanë. Atje punon në revistën “Alternativa”, “Republika” etj. Më vonë nxjerr revistën “Demokracia autentike” , të cilën e drejton vetë. Por, pas një kohe të shkurtër, i bllokojnë revistën me metoda finaciare. I papunë, kthehet në Kosovë. Nën trysninë e studentëve të Universitetit të Prishtinës, pranohet më në fund në fakultet, ku kishte qenë edhe më parë (Universiteti i Prishtinës në atë kohë ishte jolegjitim për pushtetin e atëhershëm serb, prandaj edhe sot e kësaj dite mbetet e habitshme që drejtuesit shqiptarë të universitetit ende hezitonin për ta marrë në punë Ukshin Hotin). Me 1993 vuan edhe dënimin e dytë (mars-prill), për shkak se kishte thyer kordonin e policisë speciale serbe te Bërryli i Nagafcit me disa qindra bashkatdhetarë. Policia speciale serbe nuk kishte dashur t’i lejonte ata që t’u bënin homazhe dëshmorëve të demokracisë të rënë më 27 janar 1990 në Brestofc. Në prag të zgjedhjes së tij si kryetar i UNIKOMB-it arrestohet sërish, e kësaj radhe dënohet me pesë vite burg, gjithnjë me arsyetime tashmë të njohura të shtetit kriminal serb.

Lufta në Kosovë e zë Ukshin Hotin në burg. Më 16 maj të vitit 1999 ai është parë për herë të fundit nga shokët e burgut në Dubravë dhe po atë ditë, pra, një ditë përpara së të përfundonte vuajtjen e dënimit, një ditë përpara se të mbushte pesë vjet burg, Uks Hoti është nxjerrë prej andej me dy përcjellës. Që nga 16 mají nuk dimë më asgjë për fatin e këtij njeriu të madh. I mbetet Kosovës, Bashkësisë Europiane dhe të gjitha forcave të pranishme në Kosovë, duke filluar që nga Kombet e Bashkuara e deri te NATO-ja e institucionet e tjera, që ta ngrenë zërin për lirimin e gjithë shqiptarëve të Kosovës që mbahen ende nëpër burgjet e Serbisë. Dhe ata nuk janë pak. Disa mijëra kanë të njëjtin fat si profesor Ukshin Hoti. Është koha e fundit që të bëhet diçka për ta.

Meqenëse shumë elementë jetëshkrues Ukshin Hoti i ngërthen edhe vetë në përgjigjen drejtuar Ismail Kadaresë, po e përfundojmë biografinë e tij me këtë njoftim të shkurtër, duke shpresuar se një ditë do të botohet një monografi e plotë për patriotin, filozofin dhe humanistin e madh të popullit shqiptar. Ukshin Hoti, pa asnjë dyshim, është një ndër nje rëzit më të mëdhenj të kombit shqiptar. Deri tani janë botuar vetëm dy vepra të tij: “Lufta e ftohtë dhe detanti”, si dhe vepra e madhe “Filozofia politike e çështjes shqiptare”.

Deri më 16 maj të vitit 1999, Ukshin Hoti ishte një peng politik, një peng lufte. Ndërkaq, pas kësaj date, ai vazhdon të mbetet edhe peng i jetës, sepse nuk dimë asgjë se në ç’gropë famëkeqe serbe mbahet në zinxhirë, siç do të thoshte Ismail Kadareja.

Ku ndodhet Ukshin Hoti?

Shtëpia Botuese: Onufri

© RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *