Opinion/Aktualitet

Libani në prag të luftës civile/ Gjenerali i ushtrisë paralajmëron veprime kundër kaosit

Tensioni u intensifikua të premten në Liban, me trazira që lanë më shumë se dyzetë njerëz të plagosur në qytetin verior të Tripolit, përfshirë ushtarë që u sulmuan me granatë dore.

Shefi i ushtrisë së Libanit, gjenerali Joseph Aoun tha se situata në vend po përkeqësohet dhe do të përshkallëzohet edhe më tej, në kohën kur vendi gjendet në një krizë financiare.

“Përgjegjësia jonë është e madhe në këtë periudhë dhe ne duhet të ruajmë sigurinë e kombit dhe stabilitetin e tij, si dhe të parandalojmë kaosin,” tha gjenerali Aoun në një fjalim për personelin e ushtrisë të postuar në llogarinë zyrtare të ushtrisë në Twitter.

Libani është në grahmat e një kolapsi ekonomik që po kërcënon stabilitetin e tij dhe Banka Botërore e ka quajtur si një nga depresionet më të thellë të historisë moderne.

Gjenerali Aoun foli një ditë pasi politikani veteran sunit Saad al-Hariri braktisi përpjekjet për të formuar një qeveri, duke zhytur Libanin edhe më thellë në krizë.

Pas njoftimit të Haririt të enjten, protestuesit bllokuan rrugët në zona kryesisht sunite, duke djegur goma dhe mbeturina, me disa përplasje që rezultuan në plagosjen e një ushtari.

Banorët, të zemëruar me rritjen e çmimeve, ndërprerjet e energjisë elektrike që zgjatën për pjesën më të madhe të ditës, mungesat e mëdha të naftës dhe ilaçeve, dolën të premten në rrugët e pjesës veriore të Tripolit dhe sulmuan trupat libanezë.

Ushtria Libaneze tha se 10 ushtarë u plagosën nga gurët e hedhur nga protestuesit, ndërsa pesë të tjerë u plagosën kur u sulmuan me një granatë dore. Nuk ishte e qartë se kush e hodhi granatën.

Në Bejrut, protestuesit bllokuan disa rrugë kryesore duke nxitur një ndërhyrje të shpejtë të trupave ushtarake, për t’i liruar ato. Demonstruesit bllokuan edhe autostradën kryesore që lidh Bejrutin me Libanin e Jugut.

Ushtria është parë prej kohësh tashmë si një nga institucionet e pakta në Liban që mund të mbajë bashkë krenarinë kombëtare dhe të krijojë unitet. Përçarja e saj në linja sektare në fillim të luftës civile të Libanit e uli fuqinë e saj.

“Kombi ynë ka besim tek ne, e po ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare,” tha gjenerali Aoun.

“Të gjithë e dinë se institucioni ushtarak është i vetmi që është akoma efektiv.”

Aoun tha se përgjegjësia për ushtrinë ishte e madhe në një kohë kur personeli i saj ishte “duke jetuar me ankthin e sigurimit të bazave për një jete të mirë”, për familjet e tyre.

Pakënaqësia ka shpërthyer në forcat e sigurisë pasi monedha e Libanit ka humbur më shumë se 90% të vlerës së saj ndaj dollarit, duke ulur kështu edhe pagat e ushtarëve. Shumë prej ushtarëve bëjnë punë shtesë. Disa e kanë lënë./TheArabWeekly

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *