KryesoreSpeciale

Letër Rexhep Selimit: Ti je çlirimtari, hallka e vetme mes dëshmorit dhe gjykimit

Shkruan: Elvis Hoxha

(Shkrimi është botuar në Rruga Press më datë 13 Nëntor 2020. E risjellim sot më 15 Mars me rastin e ditëlindjes së ish-komandatit të UÇK-së, Rexhep Selimi.)

Erdhi një kohë kur duhet ta mbrojmë ushtrinë që na mbrojti, ushtrinë që na çliroi.

Është pa dyshim ushtria më e pastër, me idealin më të qartë, me mendimin më të kthjellët, me vulllnetin e ushqyer prej historisë që përmban vetëm vuajtje dhe shkelje të së drejtës njerëzore.

Erdhi një kohë kur duhet të bëjmë luftën e paqes. Sepse lufta e luftës i takon ushtrisë, por lufta e paqes është ajo kohë kur mbrohet ushtria.

Dhe ne nuk e mbrojtëm. Ose më mirë, përfaqësuesit tanë nuk e mbrojtën. Ushtria nuk mbrohet duke e tradhtuar.

Zbuluam se nderi në paqe është shumë i vështirë të ruhet, sepse aty nderi sulmohet në shumë mënyra, nga më të sofistikuarat deri te më meskinet, nga më objektivet deri te më psikologjiket.

Ndoshta mes luftëtarëve ka patur nga ata që dolën gjallë por të tronditur, pikërisht sepse dolën gjallë.

Ndoshta nga anëtarët e një lufte, ka dhe nga ata që kanë marrë pjesë në luftë për t’i shtuar vetes guximin. Ndoshta, në radhët e luftës kanë qenë dhe kalkulatorët. Por, asgjë nga këto nuk ka rëndësi për luftën dhe gjatë luftës.

Masa njerëzore që përfshihet nuk ka shkuar në luftë për t’u ndjerë trim i vetëm, por për të ndjerë atë guxim kolektiv që ngjizet në tensionin e një gjendjeje që e tejkalon haptas poshtërimin. Dhe ky është karakteri i një lufte të vetme, LUFTËS ÇLIRIMTARE. Nga historia kemi mësuar se luftrat mercenare janë luftra ku secili është trim veç e veç.

Sado i organizuar, aparati ushtarak serb përballë jush mbetej paraushtarak dhe mercenar. Serbia ishte dhe mbetet shtet mercenarësh. Nga kjo përballje mes çlirimtarëve dhe mercenarëve, ne kemi fatin e madh dhe të bukur t’i takojmë kombit, i cili, në fund të shekullit XX, ka bërë një luftë çlirimtare.

Dhe ku? Mu në gji të Evropës.

Ne nuk u ndeshëm për të zhvendosur kufij, por për të fituar një gjendje lirie. Ne nuk u ndeshëm të tërë, por ne patëm fatin të kishim pjesën tonë që mbartte mbi vete guximin e munguar të të gjithëve, por kthjelltësinë e tepërt të gjithëve. Lufta jonë ishte deklarimi ynë më i ashpër i të qenit komb i kthjellët.

Pa luftën ne ishim të pështjellë në gjendje gjysmake, ne ishim të pashprehur, jo vetëm si Kosovë, por si shqiptarë, jo vetëm si Republikë Kosove, por si ind njerëzor politik.

Dhe kthjelltësia jonë ishte aq e ashpër, sa shumëkush ndër ndërkombëtarët e rehatuar në kolltuqet që shtypin e harrojnë nën vete njerëzimet e pashpallur, e quajti këtë ashpërsi terrorizëm. Mirëpo lufta çlirimtare e Kosovës ishte vetëm terrorizëm mbi dëshirën për stabilitet, dëshirë që nuk është hiç mendim. Sepse mendimi për “paqe me çdo kusht”, edhe kur nën të kryhen krime çnjerëzorë, nuk e ka virtytin e të qenit mendim.

Më shumë se terror për mendimin, ne ishim terror për me mendu.

Lindja e një ushtrie të tillë është vetë mendimi. Dhe mendimi është i ashpër, është terrori jo mbi paqen, por mbi “paqen me çdo kusht”. Lufta si terror i kryer prej mendimit.

Absurdin e stabilitetit me çdo kusht, me pak vëmendje, perëndimorët e çdo tipi duhet ta kishin kuptuar me kohë. Por jo. Duhej kjo lëvizje e ashpër e mendimit, të cilën ca perëndimorë që nuk njohin më përkufizimet e etërve të tyre, e quajtën terrorizëm.

Po këta mendonin se paqja mund të mbretëronte mbi skenë edhe për ca kohë,… të paktën edhe për ca kohë: ndërkohë që breza shqiptarësh paguanin harraçin e qetësisë së dijes burokratike dhe barbarisë gjeopolitike.

Ndoshta për shumë prej tyre, stabiliteti mund të garantohej edhe për ca kohë prej aparatit shtetëror të Milosheviçit, të Beogradit, të mbetjes ndjellakeqe të Jugosllavisë (le ta themi në të tri format: si burokraci e dhunës, si mbartës subjektiv individual i marrëzisë, si mbetje e patretshme e të shkuarës në ndërgjegjen sentimentale politike të Evropës). Dhe ky aparat, nën emblemën e paqes së pervertuar punonte dhunën e përditshme, vrasjen e përgjithësuar.

Lexo më shumë  Instruktorë britanikë të zbulimit trajnojnë pjesëtarët e FSK-së

Paqja burokratike luante tinëz rolin e kuptimit, punonte krimin mbi njeriun në kohë të pashpallura, militonte për gjumin e mendimit.

Paqja ishte terror i kryer mbi mendimin. Dhe perëndimorët kanë punë. Puna e tyre është stabiliteti me çdo kusht.

Ata kanë harruar se paqja ka një ves: ajo nuk është e kundërta e luftës, por mban së brendshmi të kundërtën e vet, “lirinë me çdo kusht”. Dhe perëndimorët kanë një veti. Ata dinë mbi ne, aq sa ne u deklarojmë se dimë për veten. Ata janë njerëz po si ne, me zakonin e tyre të qetësisë dhe rehatisë, po si ne.

Por mjaft që të dëgjojnë një zë të ri, dhe tremben prej tij më shumë se prej të gjitha kakofonive dhe tollovive vokale me të cilat janë mësuar.

Atyre u duhet kohë për me kuptu kthjelltësinë e mendimit që shkon përmes atij zëri.

U duhet kohë për me kalu, nën zhurmë lufte, nga cilësimi terrorist në atë çlirimtar.

Kanë kohë që nuk i shohin luftrat nga kaq pranë. Prej kohësh nuk kanë parë një luftë kaq të qartë, kaq të kthjellët. Vështrimi i afërt ua mjegullon perceptimin.

Zëri i ri ua tremb veshin.

Ama vërtet, shpejt dhe saktë, ata kaluan nga cilësimi terrorizëm në atë çlirimtar.

Sepse ishte cilësia jonë e lartë e luftës që ndihmoi që ajo të kryhej shpejt. Lufta jonë nuk pati asnjë akt terrorist diku në territorin e Serbisë.

Lufta jonë ishte e dëlirë. E ndoshta kjo shpejtësi e përkrahjes, mobilizimit dhe fitores, na i uli dhimbjen, na fashiti plagët, na i harroi disi tepër vuajtjet. Dhe paqja na erdhi si analizë karakteresh. Ata që mund të fshihnin në virtytin e luftës karakteret e tyre të dobët dhe vullnetet e tyre të kufizuar, në paqe nisën të risjellin aktet dhe fjalët e vesit. Lufta i bëri të rendin kah virtyti kolektiv dhe publik, ndërsa paqja i bëri të nxjerrin vesin e tyre individual dhe privat.

Nuk po flas vetëm për një e për dy, por edhe për masën që mbështet vesin më të kualifikuar si ves, i jep pushtet dhe nuk ka më turp që e mbron atë ves. Paqja nuk është më sinonim i virtytit po qe se nuk trashëgon konceptin themelues të luftës.

Ajo kthehet në heshtim virtyti, në gjumë të përdhunë të mendimit. Dhe ne fjetëm përsëri mbi institucionet tanë, dyshekë me jetëgjatësi të përjetshme për shpejtësinë e ulët të një mendimi të fjetur.

Ne rimorëm zakonin e para-luftës, a thua se ajo nuk na kishte mësuar asgjë: menduam se institucionet kryhen vetë, me dijen e të tjerëve. Luftën e bëmë me dijen dhe vetëdijen tonë.

Institucionet menduam se bëhen me dijen e të tjerëve. Dhe gjykuam se dëshmia e Jasharajve qe mbyllur me vendosjen e të drejtës për me pasë institucione.

Të vërtetë në luftë e mashtrues në shtetndërtim, nga mjegulla e padijes buçiti një frazë: Bac u kry! Nuk u kuptua aspak se paqja po kthehej në terror mbi institucionet. Qartësia ishte pakicë, si gjithnjë.

Nga reflektimi mund të artikulohej vetëm një devizë përsëri e ashpër: “Jo Bac! Me kësi shteti u kry vetëm vdekja jote, jo drejtësia për ty. Duhet shumë dije e vetëdije për ta vendosur shtetndërtimin si drejtësinë tënde Bac: si paprekshmëri të luftës dhe si dinjitet të dhimbjes.” Dhe përsëri trupat që do ta mbronin mendimin u cilësuan terroristë. Lufta ndaj mendimit, në kushtet e një pavarësie sakate, është më e egër dhe ka viktimat e veta. 10 shkurti i vitit 2007 tregoi se mbi trupat e Kosovës mund të ushtrojë dhunën vrasëse çdo polici që kalon atypari.

Ne kuptuam se “paqja me çdo kusht” është paqe pa vetëvendosje dhe ka pakushtimisht viktimat e veta. Kur paqja nuk e ka më konceptin e luftës, kur ajo nuk është më reflektim i luftës, atëherë ajo është terror mbi trupat e vet. Dhe ndërkombëtarët kanë për zakon, meqë janë njerëz po si ne, të mendojnë se duhet ta ruajnë paqen me çdo kusht. Edhe pse nën të i luhen gjëmat demokracisë. Dhe kështu shkojnë vite dhe lindin breza brenda paqes terroriste.

Lexo më shumë  Knaus zbulon pse po eskalon Serbia: Dhunë për kërcënim

Ndërkohë, ti Rexhë, më tregon pa u lodhur mbi Ademin, Luanin e Mujën. Ti nuk mësohesh dot me këtë vdekje të dytë të tyre. Cila është ajo gjykatë që do të mund të vendosë drejtësi për vevtëmohimn e fisit të lirisë, apo intelektualit të lirisë? Cila ëshët ajo dije që prodhon një gjykatë të denjë për me i dhënë drejtësi Ademit e Ukshinit?

Përballë sublimes, dija burokratike mplekset me fatalitetin geopolitik dhe me përhumbjen tonë institucionale. Gjykata e humb gjykimin. Ti e dije mirë këtë. Ndaj dhe iu bashkove me kohë luftë së paqes: Lëvizjes Vetëvendosje! Ti e dije që vargjet dhe këngët e tua nuk mjaftonin, për përjetësinë e tyre duhen ligjet dhe ligjërimet. E në mungesë të tyre…

… vjen një ditë e gjykohet lufta, LUFTA ÇLIRIMTARE. Dhe fabrikohet një skenë speciale. Por sa vlerë ka një skenë kur mbi të je ti Rexhë? Të duhet vetëm një frazë. Një frazë që e rithur historinë, e rilidh atë aty ku ajo ishte zgjidhur dhe e kishte humbur udhën e kuptimit. Në një resht të shpejtë e të shkurtër ti deklaron: “Ne e nisëm luftën me Adem Jasharin dhe e mbaruam me gjeneralin Clark, me NATO-n” Pak fonema shpallin terrorin e natyrshëm të mendimit historik mbi paqen e pervertuar anakronike.

Kaq pak të lipset për me na kujtu se, në një grimë kohe krahasuar me historinë e njerëzimit, Kosova ishte vendi ku u thur diagonalja më e kthjellët njerëzuese mes familjes dëshmore Jasharaj dhe aleancës më të madhe ushtarake të historisë, NATOS. Aleanca mes dëshmorit të lirisë dhe historisë republikane.

Të nevojitej edhe një nënshkrim para se të deklaroje atë frazë. Edhe këtë ti e gjete në një formë të shkurtër: unë jam çlirimtari. Dhe në përfund të atij fillimi, të duhej deklarimi i kthejlltësisë së vitit 1998, të duhej si gjithnjë cilësimi i Gjykatës së duhur, asaj të lartës.

Ti the për fund: unë ndjehem i pafajshëm… përpara gjyqit të vetes. Shumë shpejt burokratët e dijes perëndimore do të dëgjojnë këtë frazë dhe do të kuptojnë vonesën e gjykatës speciale ndaj asaj Gjykatës Sublime për të cilën militon shtetndërtimi. Dhe kjo do të ishte një gjykatë lartësisht speciale, një gjykatë që nuk ka ekzistuar kurrë e që ushtron gjykimin mbi vetë historinë, që di të gjykojë mbi aleancën çlirimtare mes dëshmorit të lirisë dhe historisë republikane.

Duhet një gjykatë absolute për me u kthy pikërisht aty ku mendimi ishte i kthjellët dhe i ashpër. Terrori i paqes mbi mendimin është gjithnjë i përkohshëm. Ndërsa terrori i mendimit mbi mjegullnajën është i beftë dhe i ashpër.

I dashur Rexhë, po flas besoj me zërin tënd.

Ne e dimë mirë se duhet t’ia nisim luftës së instituimit, duhet të mbrojmë instituimin e luftës çlirimtare si lufta më e drejtë e këtij kombi.

Nëse e bëjmë një gjë të tillë, nuk do të jetë aspak nevoja që çlirimtari të mbrojë luftën. Paqja, që të trashëgojë konceptin prej luftës, ka nevojë për luftëtarët, çlirimtarët e vet.

Paqja e vërtetë nuk është e kundërta e luftës, por shtjellimi i saj. Nëse lëmë në harresë luftën e Kosovës, ne kemi vrarë virtytin e Republikës.

Rexhë, ti na e the, ne dhe trupës gjykuese, si nuk ka më qartë: “Nëse ju harroni dëshmorin dhe NATON, pra botën që ishte me ne, unë jam çlirimtari që do t’jua përsëris deri në fund aleancën time me gjykimin e kthjellët të luftës”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *