“La Repubblica”: Brukseli kundër paktit Rama-Meloni, e quan të paligjshëm
Ditën kur anija e parë me refugjatë mbërriti në Shqipëri, gazeta italiane ‘La Repubblica’ raporton se Brukseli e quan paktin mes Ramës dhe Melonit si të paligjshëm.
Gazeta shkruan se pakti Shqipëri-Itali për emigrantët jo vetëm është ilegal, por nuk shërben as si model për BE-në.
Ky qëndrim përbën një hap pas nga Brukseli, pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se e mbështet paktin dhe se ai përbën një model për vendet e BE-së.
Një zëdhënës i ekzekutivit europian thotë për median italiane se “fjalët e kryekomisioneres janë keqinterpretuar”.
“Nuk është ligjërisht e mundshme që BE të zgjedhë opsionin e modelit të këtij pakti. Normativa europiane për riatdhesimin me forcë të emigrantëve nga një vend i tretë duhet rishikuar,” tha zëdhënësi.
Kujtojmë se pro këtij modeli janë shprehur vetëm Italia dhe Hungaria deri më tani.
Rruga Press