Ky Ballkan fuçi baruti importuar nga Rusia. Pse presion Bullgarisë dhe jo Maqedonisë së Veriut
Nga Rruga Press
Në ditë e sotme të Samitit të Bashkimit Evropian mund kemi rastin për t’i bërë vetes gjykimin e duhur që mund të na çojë përpara si shqiptarë, por kjo vetëm nëse jemi mjaftueshëm të duruar për të mos dalë pambarimisht në kurthet që i kemi ngritur vetes si argumente të cektët e që të japin një sens rehatimi, edhe atëherë kur nevojitet më shumë se kurrë rimendimi i kordinatave të gjendjes ku jemi zënë ngushtë, deri në angushti.
Nuk kemi nevojë për gjykimin final, doemos me finalitet triumfi sublim; të provojmë hapat e vegjël të gjykimit të betejave të përditshme që na bëjnë punëtorë dhe të denjë për aspiratat kolektive që i presupozojmë se i kemi.
Na mjaftojnë vetëm dy ditët e fundit për të vërejtur një gabim të vogël, që na ka sjellë humbje të madhe.
Kemi parë që kryeministri Rama iu fut, agresivisht, pozicionit nga ku sulmon, shan e mallkon Bullgarinë që nuk i heq veton Maqedonisë së Veriut, e pas kësaj hedh kunjat e batutaxhiu ndaj Bashkimit Evropian. Këtë e bën, sigurisht, me garancinë se në popullin shqiptar ka një resentiment në drejtim të BE-së, që duhet thënë, jo pa të drejtë.
Por, edhe kur BE-ja bën gabime, vendimi për t’i dalë ballë asaj me bllokun e Ballkanit të Hapur në formë shantazhimi është i gabuar. Është gjithnjë më mirë që ta riformulosh përballjen me BE-në, sesa të luash shantazhin; vetëm nëse je Serbia dhe ke për interes distancën me Perëndimin në mënyrë që Rusia të ketë vendin e saj në rajon.
Kryeministri Rama që në fillim gjendet në gabim. Në vend që ai t’i bënte presion Bullgarisë duke mbrojtur bashkëanëtarin në Ballkan të Hapur, Maqedoninë e Veriut, duhet ta kishte menduar se ndoshta presionin duhet ta drejtojë në dy pika.
1. Thirrje e pandërprerë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos i futen procesit të integrimit bashkarisht
2. Presionin ta drejtojë nga Maqedonia e Veriut, jo nga Bullgaria
Për të parën është folur shumë; për të dytën aspak dhe e dyta është më domethënësja për ne shqiptarët. Aty mund të hetojmë gjithë krimin që është shkaktuar mbi ne dhe që e kemi vetshkaktuar me dekada, ndoshta dhe më gjatë.
Është vërtet e çuditshme që askush nuk ka hedhur mendimin “e marrë” se Shqipëria duhet t’i bëjë presion Maqedonisë së Veriut, jo Bullgarisë siç po bën. Por, pse ekzekutivi shqiptar duhet të vepronte në këtë mënyrë?
Ajo çka Bullgaria po kërkon nga Maqedonia e Veriut është krejt në përputhje me vlerat e BE-së dhe në përputhje me të drejtën në termat të një universaliteti të njerëzimit, siç fundja edhe vlerat e BE-së pretendojnë se janë. Bullgaria po kërkon nga Maqedonia e Veriut që kjo e fundit të njohë me kushtetutë minoritetin bullgar në MV (BE-ja lobon dhe lufton shumë për të drejtat e minoriteteve në përgjithësi) si dhe MV-ja të rishikojë historinë dhe figurat historike (Nuk mund të vjedhësh historinë dhe identitetin bullgar dhe pastaj të thuash se nuk je bullgar. Nëse maqedonasit nuk janë bullgarë, atëherë duhet që, jo përmes presionit, por përmes dëshirës së tyre të heqin dorë nga përvetësimi i historisë bullgare).
Bullgaria është më shumë se kurrë në pozicion legjitim ndaj Maqedonisë së Veriut, shtet i cili duke pasur frikën ndaj faktorit shqiptar brenda tij, kërkon të supresojë edhe minoritetet.
Kompleksi i udhëheqësve maqedonas dhe shtetit të MV-së e ka origjinë te mënyra se si u krijua dhe u projektua si shtet. Dhe ja ku ka ardhur koha që ta themi: Maqedonia e Veriut është projekti serb për dobësimin e Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Ta themi shkurt pa hyrë në hollësira historike. Shqipëria e sotme nuk përbën as gjysmën e territorit që shpallja e pavarësisë së vitit 1912 e mbështillte si Republikë e Shqipërisë. E kemi gënyer veten shumë gjatë se shqiptarët janë popull i vogël me territor të vogël. Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi një nga popujt më të mëdhenj në Ballkan e më gjerë dhe me territorin etnik ndër më të mëdhenjt në Ballkan dhe më gjerë. Por, shteti shqiptar regjistron sot më pak se gjysmën, edhe të popullsisë edhe të territorit. Nëse Republika e Shqipërisë shtrihej aq sa ka popull dhe territor shqiptar sot do të ishte fuqi e padiskutueshme rajonale politike, gjeopolitike, ekonomike, ushtarake, kulturore, etj.
Nëse sot do të kishim një Shqipëri të tillë që prodhon mallra improrti për rajonin e më gjerë, dhe jo emigrantë për Evropën, të jemi të gjithë të sigurt se nuk do kishim ndonjë pengesë për tu futur në BE, e as korrupsion e grabitje të atdheut që na e vë në dyshim çdo hap.
Copëtimi i Shqipërisë u bë shkapërderdhja e gjykimit tonë nëpër fragmente kundërthënëse. Kjo është ajo që po na mban peng dhe jo Bullgaria.
Nëse do kishim gjykim të njësuar brenda interesit kombëtar nuk do na vinte ndërmend ndonjë Ballkan i Hapur prej Serbie, me sentiment jugosllavist.
Është shumë shqetësuese që kryeministri i Shqipërisë nuk e shquan dot se futja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, përveçse është një e drejtë në vetvete, hap edhe një proces të ri për shqiptarët në Maqedoni të Veriut, pra një kahje pozitive për Shqipërinë. Procesi që do të niste do të rezultonte në ndryshime kushtetuese në MV, ku shqiptarët nuk do ishin minoritet, siç nuk janë realisht, por element shtetformues, siç duhet të jenë realisht. Por, kryeministri i Shqipërisë nuk do t’ia dijë për forcimin e elementit shqiptar, ai ka zgjedhur të bëjë kryeministrin që mbron interesat serbe në rajon.
Maqedonia e Veriut u krijua pas pushtimeve serbe, në mënyrë që Bullgaria dhe Shqipëria të tkurreshin sa më shumë, e kështu, si atëherë edhe tani të ngelet fuqi rajonale dhe me orekse të paepura për spastrim dhe aneksim edhe sot e kësaj dite.
Një Shqipëri të cilës i spastrohet jugu që sot gjendet në territorin e Greqisë, që i shkulet lindja duke themeluar një artificë si Maqedonia e Veriut dhe një veri si Kosova që i futet dhunshëm nën Serbi dhe Jugosllavi është, si atëherë edhe tani, një Shqipëri që do prodhojë vetëm mjerim dhe emigrim. Rezultati i grabitjes së jashtmi që ky jugosllavizëm serb i bëri Shqipërisë prodhoi ndërgjegjen e dëmtuar politike që sot e grabit së brendshmi atë Shqipëri që ngel.
Kjo ndërgjegje që sot flet përmes gojës së Ramës, vijon linjën e gërryerjes së Shqipërisë, këtë radhë jo me partizanë serbë dhe më vonë me vëllazërim me Jugosllavinë, por me Ballkane të Hapur.
Nëse Ballkani është vendi i krimeve të mëdha dhe fuqi baruti, duhet ta kuptojmë njëherë e mirë që ky barut importohet nga Rusia dhe magazinohet në Serbi, ku sasi më të vogla nisen për te surrogati i saj i vogë, Maqedonia e Veriut. Këtë e di shumë mirë Kosova, Kroacia, Bullgaria, dhe kthjellimi i Shqipërisë në lidhje me këtë ka të bëjë shumë me kthjellimin e rrugës së saj për në BE. Në rast të kundërt na presin përpara dekada të tjera me liderë global që futen nëpër sokaqe të dyshimtë që i nxjerrin në pozitën e atij që i shërben armikut e jo popullit, kurse popullin e nxjerrin nëpër shtigjet që të çojnë në BE, jo si anëtarë, por si emigrantë.
©Rruga Press