Bota

Kuvendi rus miraton ligjin që shtyp median e pavarur vendore dhe ndërkombëtare që mbulojnë pushtimin e Ukrainës

Ligjvënësit rusë kanë miratuar një ligj që kriminalizon shpërndarjen “e informatave të rreme” lidhur me operacionet e entiteteve të shtetit, përfshirë edhe të ambasadave jashtë vendit. Ky është një zgjerim i legjislacionit që bëri që disa media të pezullonin operacionet e tyre në Rusi.

Ligji i miratuar në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Dumën Shtetërore, në leximin e dytë dhe të tretë, më 22 mars zgjeroi ligjin e mëhershëm që bënte vepër penale shpërndarjen “e informacioneve të qëllimshme të rreme” lidhur me operacionet e forcave të armatosura ruse jashtë vendit.

Ligji i ri parasheh dënim deri me 15 vjet burgim për ata që gjenden fajtorë për shpërndarjen e “informacioneve të rreme” lidhur me operacionet e misioneve diplomatike ruse jashtë vendit, prokurorët, Gardën Kombëtare ruse, Ministrinë e Emergjencave dhe për trupa të tjerë shtetëror. Edhe ligji paraprak parashihte dënime të ngjashme.

Lexo më shumë  Kievi mund t’i përdorë armët britanike për ta sulmuar Rusinë, thotë Cameron

Ky legjislacion pritet të miratohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit dhe më pas nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ky legjislacion do të shtohet si klauzolë në ligjin e mëparshëm, që është nënshkruar më 5 mars nga Putini.

Ky ligj është pjesë e fushatës së shtypjes së mediave të pavarura vendore dhe ndërkombëtare që mbulojnë pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.

Në mesin e mediave ndërkombëtare që kanë pezulluar operacionet në Rusi janë: BBC, CNN, Bloomberg, CBS, ARD, ZDF. Por, BBC dhe ARD më pas kanë rihapur selitë e tyre në Rusi.

Lexo më shumë  BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

Disa ueb-faqe të Radios Evropa e Lirë dhe BBC-së, por edhe të mediave të tjera, janë bllokuar pasi rregullatorët rusë thonë se nuk kanë ndjekur rregullat e Qeverisë ku përfshihet edhe ndalesa që veprimet e Moskës në Ukrainë të quhen “pushtim” apo luftë”.

Mbikëqyrësi i mediave në Rusi, Roskomnadzor, po ashtu ka bllokuar disa platforma të mediave sociale.

Më 21 mars, një gjykatë në Moskë i shpalli “organizata ekstremiste” platformat e kompanisë Meta, duke i shpallur të jashtëligjshme Facebook-un dhe Instagram-in./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *