Kush po e mban peng Republikën?
Kosova po hyn në një fazë të re të krizës politike, e cila, që në sipërfaqe duket si një përplasje brenda LDK-së, por në thelb mund të jetë simptomë e një sëmundjeje shumë më të thellë e sistemit politik. Dështimi i marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit dhe rikthimi i vendit në prag të zgjedhjeve të reja nuk është thjesht një episod tjetër i konfliktit ndërpartiak. Është dëshmi e një politike që, në vend se të prodhojë institucione, po prodhon vazhdimisht bllokada, pasiguri dhe cikle të reja zgjedhore.
Nga Sadri Ramabaja
Paradoksi është i madh. Në një moment kur Kosova do të duhej të kishte nevojë më shumë se kurrë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe një orientim të qartë strategjik, elitat e saj politike duket se po e trajtojnë Republikën si një fushë manovrimi për interesa partiake, fraksionale dhe personale. Në materialin e publikuar thuhet se marrëveshja ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidaturën e Bekim Sejdiut shihej si një përpjekje serioze për të nxjerrë vendin nga kriza institucionale, pas një periudhe me disa cikle zgjedhore. Por vetëm një ditë më pas, gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan atë.
Këtu fillon problemi i vërtetë.
Në një demokraci parlamentare është krejtësisht legjitime që deputetët të votojnë kundër qëndrimit të kryetarit të partisë. Deputeti nuk është makinë votimi e kryesisë. Por demokracia nuk mund të funksionojë vetëm me të drejtën për të thënë “jo”; ajo kërkon edhe përgjegjësinë për të shpjeguar pse. Nëse gjashtë deputetë e rrëzojnë një marrëveshje që synon të shmangë zgjedhjet e reja, publiku ka të drejtë të dijë: cili është interesi politik që e justifikon këtë vendim? Çfarë alternative propozohet? Dhe, mbi të gjitha, kush përfiton nga rikthimi i Kosovës në një tjetër cikël destabilizues?
Kjo është pyetja politike që mbetet pas gjithë zhurmës që u shkaktua dje përgjaët gjithë ditës deri në orët e vona..
Edhe më shqetësuese janë pretendimet e paraqitura në shkrime të ndryshme të redaksive dje dhe sot për ekzistencën e rrjeteve të vjetra të ndikimit, kompromateve dhe ndërhyrjeve mbi deputetë. Këto pretendime nuk mund të trajtohen si fakte të provuara pa dëshmi të mjaftueshme. Vetë burimet e pranojnë këtë dallim dhe theksojnë se nuk ekziston ende provë për një “komandë unike” që kontrollon votën e deputetëve.
Por as nuk duhet të hidhen poshtë me një të rënë të lapsit.
Nëse një pjesë e këtyre pretendimeve do të provohej, atëherë nuk do të kishim më përpara një konflikt banal brenda një partie. Do të kishim një problem të sigurisë kombëtare: ndikimin e strukturave informale, presionin përmes kompromateve dhe manipulimin e procesit kushtetues të Republikës. Në një demokraci, vota parlamentare mund të jetë e lirë ose e imponuar; në rastin e dytë, ajo pushon së qeni thjesht votë politike dhe shndërrohet në instrument të kapjes së shtetit.
Por këtu duhet të shmangim edhe një tjetër rrezik: tundimin për ta shpjeguar çdo zhvillim politik me teorinë e “dorës së fshehtë”. Kosova ka vuajtur mjaftueshëm nga politika konspirative. Një demokraci serioze nuk mund të ndërtohet mbi insinuata, por mbi prova. Prandaj, pretendimet për SHIK-un, kompromatet, ndikimin mbi deputetët apo lidhjet e mundshme me struktura të huaja duhet të hetohen, verifikohen dhe dokumentohen. Vetëm atëherë mund të bëhen bazë për një gjykim politik.
Në të kundërtën, rrezikojmë të biem në dy ekstreme po aq të dëmshme: ose ta banalizojmë një problem potencialisht shumë serioz, ose ta shndërrojmë çdo konflikt politik në një konspiracion gjithpërfshirës.
Nga kriza e LDK-së te kriza e sistemit
Ajo që po ndodh brenda LDK-së ka një dimension më të gjerë. LDK-ja tashmë është përballë një pyetjeje ekzistenciale: a do të mbetet një subjekt politik me autonomi strategjike, apo do të vazhdojë të copëtohet nga luftërat e brendshme, ambiciet personale dhe ndikimet e jashtme?
Deklarata e Lumir Abdixhikut se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë, ndërsa zgjedhjet e reja nuk ishin agjendë e saj, e bën paradoksin edhe më të madh. Nëse qëndrimi zyrtar ishte opozita, atëherë refuzimi i një marrëveshjeje për presidentin nuk mund të arsyetohet thjesht me termin “opozitë”. Sepse një parti opozitare mund të mos hyjë në qeveri, por mund të votojë për një zgjidhje institucionale që shmang një krizë të re. Pikërisht këtu ndahet opozitarizmi demokratik nga politika e bllokimit.
Nëse, ndërkaq, qëllimi është të çohet vendi në zgjedhje, atëherë kjo duhet thënë hapur. Zgjedhjet nuk janë katastrofë në vetvete. Katastrofë është përdorimi i zgjedhjeve si mekanizëm për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për ta mbajtur shtetin në një gjendje permanente tranzicioni.
Kosova nuk mund të ndërtojë shtetësi të konsoliduar nëse çdo krizë institucionale zgjidhet duke prodhuar një krizë tjetër.
Rikthimi i faktorit të jashtëm
Një tjetër dimension i kësaj katrahure është ndërhyrja e aktorëve të jashtëm në debatin politik kosovar. Në një praqitje publike në X mbrëmë rikthehet në skenën politike kosovare sërish Richard Grenelli, duke u bë pjesë e diskursit publik, përmes mbështetjes së tij ndaj Avdullah Hotit dhe deputetëve që kundërshtuan marrëveshjen. Le të kthejmë në vëmendje rolin e tij gjatë krizës politike të vitit 2020 dhe fakti se Serbia i kishte dhënë atij Urdhrin e Flamurit të Serbisë në vitin 2023.
Kjo histori nuk dëshmon se Grenelli po organizon krizën e sotme. Dhe një analizë serioze nuk duhet të bëjë një pretendim të tillë pa prova.
Por ajo dëshmon diçka tjetër: Kosova vazhdon të jetë jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj politikës së ndikimit nga jashtë.
Kjo është një dobësi strategjike e Republikës.
Një shtet që nuk është në gjendje t’i prodhojë vetë kompromiset e tij politike bëhet objekt i kompromiseve të të tjerëve. Dhe sa më e dobët të jetë elita politike vendore, aq më shumë hapësirë krijohet për aktorë të jashtëm — amerikanë, evropianë, serbë, rusë, turq apo të tjerë — që të ndikojnë në dinamikën e brendshme.
Prandaj problemi nuk është se “Amerika po ndërhyn” apo se “Evropa po ndërhyn”. Problemi më i madh është se elitat kosovare vazhdojnë t’ua ofrojnë aktorëve të jashtëm hapësirën për të ndërhyrë.
Një Republikë serioze duhet të ketë aleatë të fuqishëm, por nuk duhet të ketë parti që kërkojnë legjitimitetin e tyre nga ambasadat, ish-emisarët apo qendrat e huaja të ndikimit.
Miqësia me Amerikën është interes strategjik i Kosovës. Por pikërisht për këtë arsye, ajo nuk duhet të shndërrohet në monedhë për konsum të brendshëm partiak.
Pasojat mund të jenë shumë më të mëdha se një palë zgjedhje
Nëse kriza çon përsëri në zgjedhje, pasoja e parë do të jetë lodhja politike e shoqërisë. Pas disa cikleve zgjedhore në një periudhë të shkurtër, qytetari fillon ta perceptojë demokracinë jo si mekanizëm për zgjidhjen e problemeve, por si një proces të pafundmë elektoral.
Pasoja e dytë do të jetë dobësimi i institucioneve. Një shtet që kalon vazhdimisht nga një krizë në tjetrën humb kapacitetin për të marrë vendime strategjike, për të planifikuar politika afatgjata dhe për të përballuar kërcënimet e sigurisë.
Pasoja e tretë do të jetë ekonomike. Investitori nuk kërkon vetëm stabilitet fiskal; kërkon parashikueshmëri politike. Kriza e përhershme rrit pasigurinë, shtyn investimet dhe e bën Kosovën më pak konkurruese në një rajon ku shtetet fqinje po përpiqen të pozicionohen në mënyrë agresive për kapitalin, energjinë, infrastrukturën dhe industrinë e mbrojtjes.
Pasoja e katërt është gjeopolitike.
Në një Evropë që po hyn në një epokë të re të konkurrencës strategjike, me luftën në Ukrainë, rritjen e rolit të NATO-s, riformatimin e marrëdhënieve amerikano-evropiane dhe rikthimin e politikës së fuqisë në Ballkan, Kosova nuk ka luksin e një vakumi institucional.
Çdo dobësim i brendshëm krijon hapësirë për Serbinë.
Dhe Beogradi nuk ka nevojë domosdoshmërisht të fitojë një betejë diplomatike nëse Kosova arrin ta dëmtojë vetveten përmes krizave të pafundme.
Kush po e humb Kosovën?
Kjo është pyetja më e rëndë.
Sepse në fund mund të rezultojë se askush nuk e ka “rrëzuar” Republikën. Mund të jetë vetë elita politike ajo që, përmes egoizmit partiak, luftës për kontroll, fraksionalizmit dhe paaftësisë për të bërë kompromise, po e konsumon kapitalin politik të shtetit.
Kosova nuk ka më nevojë për heronj partiakë që shpëtojnë partinë duke fundosur institucionin. Ajo ka nevojë për shtetarë që dinë ta humbin një betejë partiake për të fituar një betejë shtetërore.
Nëse gjashtë deputetë kanë votuar kundër një marrëveshjeje, le ta shpjegojnë publikisht arsyen. Nëse kanë pasur bindje të ndryshme nga kryetari i partisë, kjo është e drejtë e tyre. Nëse dikush ka ushtruar presion mbi ta, kjo duhet të hetohet. Nëse ka ekzistuar kompromat, duhet të zbardhet. Nëse ka pasur ndikim të huaj, duhet të dokumentohet. Nëse nuk ka pasur asgjë nga këto, atëherë duhet të mbetet vetëm ajo që demokracia njeh: përgjegjësia personale për votën.
Por një gjë duhet të jetë e panegociueshme: Republika nuk mund të mbahet peng.
Sepse partitë mund të humbin zgjedhje. Kryetarët mund të humbin poste. Deputetët mund të humbin mandate. Por kur një shtet fillon të humbë aftësinë për të marrë vendime të lira, transparente dhe institucionale, atëherë humbja nuk është më partiake.
Është humbje e Republikës.
Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse katrahura e sotme politike duhet parë jo vetëm si një krizë për presidentin apo si një përplasje brenda LDK-së, por si një provë për pjekurinë e shtetit të Kosovës.
Nëse elitat politike dështojnë edhe kësaj radhe të gjejnë një zgjidhje institucionale, pyetja nuk do të jetë më vetëm se kush fitoi e kush humbi. Pyetja do të jetë:
Sa herë mund të dështojë politika, para se të fillojë të dështojë Republika?
Rruga Press

