Opinion/Aktualitet

Kush janë fituesit dhe humbësit më të mëdhenj nga forcimi i lekut?

Nga Neritan Sejamini

Kush janë fituesit dhe humbësit më të mëdhenj nga forcimi i lekut?

Pasojat ekonomike janë të ndërlikuara dhe dinamike (pjesërisht si pasojë e psikologjisë së konsumatorit dhe sipërmarrësve), por me përafërsi, më shumë si prirje se sa si vlerësim sasior, mund të thuhet:

Fituesit më të mëdhenj

1. Fituesi më i madh është qeveria: qeveria ka mbi €5,5 miliardë borxh në monedhë të huaj që sot ‘kushton’ më lirë. Qeveria i ka të ardhurat në lekë të cilat i kthen në euro për të paguar borxhin, dhe sot i duhen rreth 20% më pak lekë se një vit e gjysëm më parë për të paguar borxhin e jashtëm. De facto, vetëm nga zhvlerësimi i valutave borxhi i jashtëm i vendit është ‘ulur’ me rreth €1 miliardë.

2. Një, dy, tre importuesit e naftës (importi i naftës është monopol/duopol/oligopol)—ata importojnë të paktën €600 milionë karburant në vit, që tani kushton 20 për qind më pak (në lekë) për ta blerë. Çmimi në shitje i karburantit nuk ka ndryshuar, ndaj vetëm nga forcimi i lekut fitimet e importuesve të karburantit janë shtuar me rreth €150 milionë në vit.

3. Importuesit në përgjithësi: kostoja (në lekë) e blerjes së mallrave në tregjet e huaja u është ulur me afërsisht 20%, ndërsa të ardhurat nga shitjet u janë rritur (cmimet kanë mbetur të pandryshuara ose janë rritur). Prandaj, fitimet e importuesve mund të jenë rritur afërsisht 20% vetëm nga kursi i këmbimit. Importet totale të vendit janë rreth €8,5 miliardë në vit.

Lexo më shumë  Deklaratat e dy nënkryetarëve të LDK-së në çdo vend të botës do të cilësoheshin si tradhëti kombëtare

4. Turistët shqiptarë jashtë vendit: pushimet e shqiptarëve jashtë vendit janë rreth 20 për qind më të lira në lekë. Duhet patur parasysh se shqiptarët harxhojnë në një vit për turizëm jashtë thuajse aq sa harxhojnë të huajt për turizëm në Shqipëri. Nga zhvlerësimi i valutave, sot është relativisht më lirë të bësh pushime jashtë Shqipërisë se sa në Shqipëri në krahasim me një vit më parë.

5. Kredimarrësit në euro: të gjithë ata që kanë marrë kredi në euro dhe nuk u është ndryshuar/strukturuar kushtet apo interesi. Mes tyre përfituesit kryesorë janë krëdimarrësit e mëdhenj që zakonisht marrin hua në euro (konsuamatorët marrin zakonisht kredi në lekë).

Humbësit më të mëdhenj

1. Emigrantët shqiptarë: dërgesat e tyre (afërsisht €850 milionë në 2022) kanë humbur 20 për qind të fuqisë blerëse—për shembull, €850 milonë sot blejnë afërsisht aq sa blinin €680 milionë në vitin 2021. Rreth 26 për qind e familjeve shqiptare jetojnë plotësisht ose pjesërisht nga dërgesat e emigrantëve dhe janë prekur ndjeshëm nga forcimi i lekut.

2. Eksportuesit: të ardhurat në lekë të eksporteve kanë rënë, përfshi të ardhurat e produkteve bujqësore që fermerët shqiptarë kanë arritur të nxjerrin në tregjet e huaja. Kostot e tyre të prodhimit janë në lekë, ndaj të ardhurat e eksportuesve kanë rënë afërsisht me 20%. Për disa, kjo gjendje është rrezik falimentimi. Në vitin 2022 Shqipëria eksportoi rreth €4,5 miliardë.

Lexo më shumë  Deklaratat e dy nënkryetarëve të LDK-së në çdo vend të botës do të cilësoheshin si tradhëti kombëtare

3. Turistët e huaj dhe turizmi shqiptar: turizmi në Shqipëri është bërë praktikisht 20 për qind më i shtrenjtë. Të ardhurat nga turizmi ishin rreth 1 miliardë euro në 2022; këtë vit për të marrë të njejtin nivel shërbimesh turistët duhet të harxhojnë të paktën rreth 200 milionë euro më shumë.

4. Kushdo që paguhet në euro: banorët vendas dhe të huaj që i kanë rrogat apo të ardhurat në euro, përfshi qiradhënësit me kontrata në euro. Një grup i rëndësishëm janë diplomatët e huaj në Tiranë, të cilët tani kanë tani edhe arsye personale për të denoncuar (tek shefat e tyre) shkakun kryesore të zhvlerësimit të monedhave të tyre përballë lekut.

Fitues apo humbës ende të papërcaktuar:

1. Sektori bankar: vështirë të vlerësosh që tani ndikimin neto në sektorin bankar pasi ai vepron edhe në lekë edhe në valutë.

2. Kompania e energjisë (KESH apo si e ka tani) e cila importon edhe eksporton energji në varësi të faktorëve të pranishëm, përfshi rreshjet në vend (duke shmangur faktin se një pjesë e madhe e vendimeve shit-blerjes të saj bëhen mbi konsiderata joekonomike dhe jo të intersit publik).

Rruga Press

YouTube player