KryesoreLajme

Kusari-Lila: S’mundet të ketë dialog pa siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se s’mund të ketë dialog pa u ofruar garanci për sigurinë e Kosovës dhe sanksione ndaj Serbisë.

Në ditën kur do të vijnë në Kosovë, emisarët evropianë dhe amerikanë, Kusari-Lila, përmend nevojën e barazisë në dialog dhe kërkon që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese, ndërsa Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, thotë se pa pasur një epilog për ndëshkimin e Serbisë dhe garancive për mospërsëritje të ngjarjeve të 24 shtatorit, është e pamundur që të ulet në tavolinë dhe të diskutohet për temat e kaluara.

“24 shtatori e shpërfaqi Serbinë me të gjitha pretendimet për sulm të armatosur ndaj Kosovës, për cenim të sovranitetit dhe integritetit tonë. Gjithashtu edhe për destruktivitetin e vazhdueshëm paralel që ata kanë zhvilluar në kundërshti me vet frymën e dialogut dhe synimin e marrëveshjeve të arritura. Prandaj pa pasur një epilog në kuptimin e sanksionimit dhe të vlerësimit real të ndikimit të Serbisë do të jetë e pamundur që të ulet në tavolinë dhe të diskutohet me temat ku ishin…

E para dhe më e rëndësishme në këtë fazë është siguria, garancia për siguri. Gjithashtu edhe garancia për mos përsëritjen e ngjarjeve të 24 shtatorit dhe e dyta pastaj është procesi afatgjatë. Në afatshkurtër dhe i menjëhershëm duhet të jetë përkushtimi për mossulmim dhe paqe, pasi veprimet pas 24 shtatorit nuk kanë treguar një seriozitet nga ana e Serbisë në raport me ngjarjet dhe situatën të cilët ata dukshëm dhe të faktuar e kanë mbështetur deri në rangun më të lartë shtetëror… Duhet doemos që të shihet qartë se duhet të merret përgjegjësia dhe duhet vendosur barazia ndërmjet palëve, Kosovës duhet t’i hiqen masat dhe Serbia duhet të mbajtur përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit”, thotë Kusari-Lila.

Lexo më shumë  I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

Përkitazi me këtë, ajo thekson se sulmi terrorist i 24 shtatorit, ka dëshmuar se Serbia është palë bllokuese në dialog.

Ajo kërkon që Bashkimi Evropian t’i largon masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi sipas saj, atyre iu ka humbur kuptimi.

Derisa edhe mirëpret rezolutën e Parlamentit Evropian, ku sulmi i 24 shtatorit, kualifikohet si terrorist dhe kërkohet nga institucionet të tjera të BE-së, të vendosin masa ndaj Serbisë si përgjegjëse për sulmin.

“Tashmë i ka humbur kuptimi i atyre masave në bazë të shkakut dhe të pasojës, për çfarë janë vendosur dhe cilat janë veprimet e Kosovës që kanë mundur të shkaktojnë në raport me eskalimin.

U pa se cila palë eskalojë situatën dhe cila është pala me potencialin e madh të rrezikimit të stabilitetit dhe sigurisë në tërë Ballkanin Perëndimor. Në vetvete nuk ka asnjë efekt përmbajtjesor ndaj Kosovës por duhet të gjenden forma apo mënyra sesi Bashkimi Evropian t’i tërheqë ato siç i ka vendosur”, thekson ajo.

Në anën tjetër, shefja e deputetëve të LVV-së, deklaron se zgjedhjet në katër komunat verore, mund të organizohen vetëm përmes peticionit që mundëson largimin e kryetarëve aktual.

“Të bëhet presion në Kosovën për organizim të zgjedhjeve apo tërheqje të kryetarëve të komunave pa u marrë parasysh të gjithë faktet të tjera siç janë se zgjedhjet ishin caktuar, pastaj shtyrë, pastaj prapë afati për certifikimin e partive politike për t’iu mundësuar Listës Serbe të marrin pjesë, përkundër që nuk ndodhi ajo është tash absurde. Duhet të kuptohet dhe vlerësohet situata në teren qartë dhe saktë mbi parimet e sjelljet e deritanishme. Natyrisht të gjithë kanë treguar gatishmëri, prej nivelit më të lartë shtetëror, presidentes, kryeministrit kanë thënë se janë të gatshëm për një procese të rregullt zgjedhor siç parashihet me Kushtetutën dhe ligjet”, thotë Kusari-Lila.

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu – opozitarëve: Jeni bërë milionerë veç duke qenë në qeveri

Në lidhje me kërcënimet për pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën, Kusari-Lila, thotë se e njëjta nuk mund të ndodh, pavarësisht deklaratave që mund të bëhen në lloj presioni për vendin.

“Jo nuk mund të ndodh, s’ka format të tillë. Qytetarëve të Kosovës duhet t’iu hequr merakun që ka mundur të tingëllojë një pezullim formal, pasi nuk mund të bëhet në formën deklarative nga një president apo udhëheqësi i një shteti individualisht të Bashkimi Evropian”, shton ajo.

Sa i përket punës në Kuvendin e Kosovës, shefja e deputetëve të mazhorancës paralajmëron se do të ketë diskutime me partitë opozitare për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Nuk ishin ende masat e BE-së kur PDK-ja vendosi masa ndaj qytetarëve të vendit duke thënë se nuk e konsiderojnë se kjo qeveri duhet të vazhdojë qeverisjen dhe nuk votojmë deri sa të shkojmë në zgjedhje. Janë vendime të cilat kanë ndodhur para kauzave të cilat pastaj u ndërtuan dhe në situatën aktuale ne e shohim se duhet diskutuar. Në aspektin e kompromisit nuk ka kompromis në aspektin e vlerave por diskutime duhet të ketë”, përfundon ajo.

Rruga Press

YouTube player