Kusari-Lila: Kurti s’bëri kompromis, në draftin e Asociacionit s’ka autonomi për serbët
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria nuk kanë bërë asnjë kompromis dhe se në draftin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe të propozuar nga ndërkombëtarët, nuk ka autonomi për serbët në Kosovë.
“Absolutisht jo, në fakt nuk flasim fare për situata në të cilat në një mënyrë ose tjetër mund të rrezikohet rendi kushtetues në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila të hënën, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ajo ka thënë se për pikat e draftit që mund të kenë dykuptimësi, Qeveria ka dërguar komente dhe është në pritje të përgjigjeve për to.
“E kemi një dokument i cili paraqitet në formë jo të finalizuar, për të cilin kryeministri bashkë më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kanë dërguar komentet e tyre, ndërsa përgjigjet për to ende nuk janë dhënë … Në të njëjtat sfida, apo situata në të cilat ka komente ose hapësirë për dykuptimësi, janë dorëzuar komentet gjerësisht nga zyra e kryeministrit, janë trajtuar dhe janë dërguar komente për plotësim, në mënyrë që të kemi diçka të pranueshme dhe në mënyrë që të parandalohet çfarëdo dykuptimësie”, është shprehur Kusari-Lila.
Ajo ka folur edhe për raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës, në të cilin ata kanë konstatuar se nuk shohin vullnet politik nga ana e Qeverisë së Kosovës për ta implementuar Asociacionin.
“Ajo se si mund të definohet vullneti politik, duhet të shikohet edhe në kontekstin e rrethanave, për ne është absurde që nuk ka pasur reflektim në sjelljen e komunitetit evropian në veçanti ndaj Serbisë, të paktin jo në aspektin e vlerës normative, apo në sjelljen e një vendimi që mund të tregonte se kanë kundërshti të forta në raport me sulmin në Banjskë, prandaj të kërkohet nga Kosova diçka, përderisa nuk është kërkuar ose nuk është kthyer në mënyrë eksplicite na masa ndaj Serbisë, është kërkesë absurde, në anën tjetër që nuk ka munguar vullneti për të zbatuar të gjitha marrëveshjet”, është shprehur Kusari-Lila.
Rruga Press