KryesoreLajme

Kurti zhvillon takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), zhvilloi takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Gjatë takimit u diskutua situata politike në rajon si dhe çështjet e sigurisë, në një kontekst gjithnjë e më të ndërlidhur të sfidave ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, Kryeministri Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë.

Lexo më shumë  Numërohen 80 kuti të votave me postë, LVV kryeson me mbi 69 për qind

Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara.

Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kryeministri Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Lexo më shumë  Ekzekutohen sot 100 eurot e sektorit privat, Ministria jep edhe një mundësi për aplikuesit me gabime

Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi temat me interes të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të afërt dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Kurti zhvilloi takime edhe me Kryeministrin e Luksemburgut, Kryeministrin e Kroacisë dhe Kryeministrin e Finlandës.

Rruga Press

YouTube player